Serbia zotëron 12 avionë luftarakë francezë falë marrëveshjes së nënshkruar në Beograd mes dy vendeve me një vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh.
Presidenti Macron në nisje të vizitës dyditore në Beograd, në konferencën me homologun serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia ka nevojë për Bashkimin Europian dhe mund të shërbejë si shembull për të gjithë rajonin.
“Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, kanë nevojë për një Serbi të fortë dhe demokratike, dhe Serbia ka nevojë për një Bashkimi Evropian të fortë dhe Sovran. Për të mbrojtur interesat e saj Serbia ka një vend në Bashkimin Evropian dhe mund të luajë shumë rol të rëndësishëm atje dhe të shërbejë si shembull për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim. Blerja e avionëve luftarakë është një zgjedhje e qartë që përfaqëson vullnetin për një aleancë afatgjatë midis dy vendeve tona. Ne po ndërtojmë mbrojtjen tonë dhe duam të jemi operativisht të pavarur,” tha Macron.
Sanksionet e munguara ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë u rikthyen në vëmendje gjatë konferencës nga gazetarët për presidentin Vuçiç. Kreu i shtetit serb theksoi se nuk ka ndryshuar qëndrim për atë vendimmarrje.
“E di që Emmanueli do të donte që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë, por nuk më vjen turp për vendimin tim. Serbia, mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe se ne e perceptojmë atë si një komb mik. Ne kemi dhënë më shumë ndihma humanitare se kushdo në Ballkanin Perëndimor, ndoshta njëzet here. Ne nuk po shkaktojmë probleme askund, as nuk planifikojmë ta bëjmë këtë, as nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë. Ky është një sinjal i madh besimi midis Francës dhe Serbisë,” tha Vuçiç.
Presidenti Vuçiç mohoi akuzat se në Serbi do të depozitohen mbetjet bërthamore franceze duke i cilësuar marrëzi. Ndërsa tha se energjia Bërthamore është e pastër dhe i jep siguri një vendi për të pasur energji elektrike.
Klan News