Presidenti francez Emanuel Macron mbërriti në Beograd pasditen e kësaj të enjteje, në një vizitë 2-ditore. Në aeroport, shefi i Elizesë u prit nga vetë Presidenti Aleksandër Vuçiç. 

Një pritje zyrtare me nderime ushtarake iu rezervua në Pallatin e Serbisë.

Ndonëse aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, Serbia konsiderohet si një nga aleatet më besnike të Rusisë në kontinent, ndër të pakëtat që i kanë mbetur që pas rënies së bllokut komunist.

Në një shkrim editorial të tij të publikuar nga mediat serbe, Macron u bën thirrje serbëve të mos kenë frikë se mund të humbin identitetin kombëtar, nëse i largohen Rusisë dhe afrohen me Bashkimin Europian dhe strukturat euroatlantike.

Si shembull të angazhimit të BE-së për këtë, merr propozimin për bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamata, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Ajo krijon mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa iu cënuar identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë si dhe është një garanci për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.

Gjatë kësaj vizite, Macron do të nënshkruajë me presidentin serb, marrëveshjen që Franca t’i shesë Serbisë 12 avionë luftarakë Rafal me vlerë 3 miliardë Euro.

Mediat franceze megjithatë ngrenë pikëpyetje për këtë marrëveshje, se sa garanci jep ajo që teknologjia e tyre nuk do të bjerë në duart e aleatëve rusë të Serbisë dhe se nuk do të përdoret për presion ndaj Kosovës, të cilën Serbia ende e njeh si pjesë të territorit të saj.

Tv Klan