Në Ohër të Maqedonisë së Veriut është organizuar këtë të enjte Forumi i Prespës për Dialog. Atje ndodhet edhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, e cila është filmuar përkrah kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke bërë një foto selfie.

Bregu në një video sqaron se nga dita e sotme në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka tarifa Roaming për celularët. Sfida e radhës, sipas Bregut dhe njëkohësisht e Zaev është ulja e tarifave Roaming e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.  

“Kjo nuk do të ishte e mundur pa lidershipin, vullnetin dhe bashkëpunimin e Ballkanit Perëndimor plus partnerëve dhe KE-së. Nga kjo ditë ne eliminojmë, barrierat, kufijtë dhe tarifat Roaming për celularët. Presim që të bëjmë të njëjtën gjë për të eliminuar barrierat kufijtë dhe të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, biznesit, qytetarëve të këtij rajoni një realitet siç ka ndodhur sot me Roaming. Siç tha kryeministri, sfida e ardhshme do të jetë nisja e negociatave me BE për uljen e tarfave Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Bregu.

Qytetarët e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, gjatë qëndrimit në njërin nga këto vende nuk do të paguajnë para shtesë për bisedat apo mesazhet telefonike nga dita e sotme./tvklan.al