Derisa Brukseli po bënë përpjekje për të ulur në tavolinën e bisedimeve palën kosovare dhe atë serbe në nivel kryenegociatorësh,  deklarata kundërthënëse vijnë nga të dyja palët.

Janë mediat serbe ato që kanë thënë se pala kosovare ka refuzuar një takim trepalësh në Bruksel në takimin që pritet të mbahet të martën më 17 Shtator.

Nuk ka munguar reagimi i zv.kryeministrit Besnik Bislimi. Ai në një status në platformën X ka shkruar se është Serbia ajo që  e ka refuzuar takimin me kryenegociatorët më 17 Shtator sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Sipas tij, Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.

Kryenegociatori i Kosovës e ka ftuar ndërmjetësin Lajçak “të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe, të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”.

E në Bruksel nuk kanë dhënë fare datë të takimit.

“Ata do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak. Axhenda dhe takimi do të mbahen në një kohë të përshtatshme, nuk mund të them asgjë specifike”, tha zëdhënësi i Bashkimit Europian.

Më 6 Shtator, Lajçak vizitoi Kosovën e pas katër ditësh edhe Beogradin ku tha se është duke bërë përgatitjet për një takim të radhës në nivel kryenegociatorësh, madje dha edhe shenja pozitive për mbajtjen e këtij takimi.

Tv Klan