Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka shpallur publikisht planin e masave të Serbisë për marrëdhënien me Kosovën.

Në adresimin drejtuar popullit serb, Vuçiç foli për masat e Serbisë në raport me Kosovën dhe Metohinë ku jetojnë pakica serbe.

Presidenti serb kërkon ndalimin e veprimeve të njëanshme nga Kosova dhe paralajmëroi se do të nisin një fushatë diplomatike për plotësimin e kërkesave të tyre.

Edhe pse shprehu gatishmërinë për dialog me Kosovën. Vuçiç tha se ndalimi i veprimeve të njëanshme nga Prishtina zyrtare është parakusht për vazhdimin e dialogut në Bruksel mes dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sot Serbia është në një situatë të vështirë juridike dhe politike sa i përket Kosovës dhe Metohisë. Ekonomisht Serbia është shumë mirë, ndoshta shkëlqyer. Por ajo që mbetet pika jonë më e dhimbshme është Kosova dhe Metohia”, u shpreh Vuçiç.

Në kuadër të masave serbe, Presidenti deklaroi se kërkesa e parë e tyre nga 7 të tilla është shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe Misionit të BE.

Kërkesa e dytë është kthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun.

Kërkesa e tretë, kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.

Kërkesa e katërt, tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Kërkesa e pestë, formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kërkesa e gjashtë, zbatimi i garancive të BE-së dhe SHBA-së i 28 Dhjetorit 2022 për lirimin e të burgosurve politikë.

Kërkesa e shtatë, rikthimi i transaksioneve financiare dhe pagesave e shërbimeve postare për qytetarët serbë në veri të Kosovës në raport me Serbinë.

Vuçiç deklaroi se do ta shpallë Kosovën dhe Metohinë zona të mbrojtjes së veçantë sociale për Serbinë.

/tvklan.al