Ambiciet për tu shndërruar në kampionatin e yjeve sa vijnë e shtohet për klubet e Arabisë Saudite.
Futbollistë dhe trajner që kanë shkruar historinë deri më tani janë bindur për të firmosur në elitën e futbollit arab, teksa ka të tjerë që ngurojnë për këtë hap në karrierë.
Vinicius Jr. ishte shumë pranë kalimit në kampionatin saudit, por zhvillimet në klubin e Al Ahli detyruan drejtuesit për tu tërhequr nga pista që e dërgonte te braziliani.
Drejtori sportiv i këtij klubi ka pranuar se ishin gati për të shpenzuar 180 milionë Euro për kartonin e anësorit të Real Madrid.
Kontratë ku do të kurorëzohej edhe si lojtari më i paguar në botë, me shifrat e pagës së lojtarit që nuk u bënë publike.
Kjo lëvizje do të kishte qenë një transferim historik, duke treguar përkushtimin e Al-Ahli për të pasur në skuadër yjet e futbollit botëror.
Fondi i investimeve saudite, i cili ka ndikim të rëndësishëm në kampionat kishte si qëllim ta bënte Vinicius edhe ambasador të Arabisë Saudite, me planet që shtriheshin deri në Kupën e Botës 2034.
Pavarësisht nga ky zhvillim, pritet që klubet saudite të kthehen sërish në merkaton e janarit për të ‘rrëmbyer’ futbollistë që aktivizohen në kampionatet Europiane, me Vinicius që mbetet një objektiv kyç për futbollin saudit.
Klan News