Një aksident rrugor ku është përfshirë edhe një minibus me pasagjerë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në Elbasan. Mësohet se një makinë tip Volkswagen kabriole është përplasur me minibusin në aksin rrugor Elbasan-Bradashesh.

Për pasojë ka humbur jetën një person dhe janë plagosur gjithsej gjashtë persona të tjerë. Viktima është pasagjeri i makinës së vogël, me iniciale K.D. i cili humbi betejën me jetën në spital.

Në spital për ndihmë mjekësore është dërguar edhe shoferja e Volkswagenit si dhe pesë pasagjerë të tjerë të minibusit.

Aksidenti ka shkaktuar radhë të gjata makinash në të dy krahët e saj, por policia thotë se ka bërë të mundur zhbllokimin e saj.

Siç duket nga pamjet e siguruara nga gazetari i Tv Klan në Elbasan, Fatos Salliu, makina e vogël ka pësuar dëme të mëdha pasi është shkatërruar pothuajse e gjitha.

Tashmë i mbetet autoriteteve që të përcaktojnë shkakun e këtij aksidenti./tvklan.al