Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se në spitalin e ri karantinë që do të ngrihet në ish-godinën e Universiteti “Kristal”, do të ketë 100 shtretër.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manastirliu u shpreh se kjo godinë ka hapësirë të mjaftueshme nëse do të ketë rritje të numrit të personave të prekur.

“Ne kemi vënë në dispozicion disa spitale në vend. Së fundmi është marrë vendimi për t’u adaptuar struktura pranë ish-Universitetit Kristal. Aty do të jenë rreth 100 shtretër. Aktualisht kemi vendosur uljen e numrit të të gjitha operacioneve të planifikuar në mënyrë që sistemi ynë aktual të reduktojë ato prurje dhe të vihet në dispozicion të të sëmurëve që do kenë nevojë për të marrë shërbime. Aktualisht po bëjmë këtë spital karanbinë që nëse do kemi rritje të numrit të rasteve aty ka hapësira të bollshme për të vënë në dispozicion edhe shtretër”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se ka filluar që të ketë një rritje të numrit të të prekurve. Me masat që janë ndërmarrë, Manastirliu shpreson që në vendin tonë të mos përsëritet skenari i Italisë fqinje.

Sapo ka filluar të ketë një rritje të nurmit të rasteve. Jemi në javën e 3 ku vërehet një rritje e numrit të rasteve pasi është normale dhe e pritshme. Që ky virus të rezistojë do duhet të udhëtojë nga një person tek një person tjetër. Zakonisht koeficienti që një person infekton është afërsisht 2.5 të tjerë. Se kur do të jetë piku i Shqipërisë nuk mund ta themi dot sot. Nuk ka shifra të plota që të jetë modeli konkluziv. Masat që kemi ndërmarrë synojmë që të kemi një kurbë e cila të jetë një kodër dhe jo një mal siç përballet Italia apo dhe Spanja“. /tvklan.al