Ministria e Shëndetësisë: Duhet të mbyllemi 22:00 – 05:00

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive ka rekomanduar vendosjen e orës policore nga ora 22:00 deri ora 05:00 të mëngjesit në territorin e gjithë vendit.

Komisioni në mënyrë plotësuese do të prononcohet se nga cila ditë do të fillojë ora policore dhe deri kur do të zgjasë kjo masë.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Filipçe njofton se ora policore mund të fillojë nga e mërkura më 10 Mars.

Ministri ka sqaruar se ky propozim i KSI-së, është për shkak se javëve të kaluar infektimet e reja janë si rezultat i shpërndarjes së virusit përmes tubimeve, por edhe përmes mosrespektimit të masave për mbajtjen pajisjeve mbrojtëse, distancës dhe mosgrupimit.

“Analizat e KSI-së kanë konstatuar se për shkak të mosrespektimit të masave do të ketë raste të reja të infektimeve por edhe shifra në rritje të të shtruarve nëpër spitale dhe për këtë arsye Komisioni velrëson se një masë e këtillë rigoroze do të ketë efekte”.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut, tashmë një muaj e gjysmë numri i infektimeve të reja është rritur për 2.5 herë, kurse mesatarja gjatë 20 ditëve të kaluara tejkaloi 600 infektime brenda ditës.

Dy qytetet Negotina dhe Gjevgjelia, të cilët për momentin konsiderohen si vatra kryesore, më herët kishin kërkuar nga Shtabi i Krizës që t`u lejohet ora policore gjatë natës.

Autoritetet e shëndetësisë në vend thanë se 70% e rasteve të reja janë si rezultat i virusit britanik, që përhapet më shpejtë.

Ndërkohë, po rritet edhe numri i të shtruarve nëpër spitalet Covid. Njoftohet për 860 të hospitalizuar dhe 370 shtretër të lirë.

Qeveria e RMV-së, në seancën e nesërme duhet të prononcohet sipas këtij propozimi të MSH-së dhe KSI-së.

Klan Macedonia