Nga kjo e martë, Mark Rutte është zyrtarisht Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Ish-kryeministri i Holandës mori stafetën nga Jens Stoltenbergu në një ceremoni të zhvilluar në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel.

Rutte merr postin më të lartë të NATO-s në një prej momenteve më të veshtira gjatë gjithë ekzistencës së kësaj aleance prej 7 dekadash e gjysmë, siç është lufta ruse në Ukrainë. Konflikti rrezikon të shpërthejë përtej kufijve të Ukrainës, në ato të vendeve të NATO-s për t’u shndërruar në një përballje të madhe me një fuqi bërthamore si Rusia, në një Luftë të Tretë Botërore.

57-vjeçari dha dorëheqjen vitin e kaluar si kryeministër i Holandës, më jetëgjati në post në historinë e vendit. Në këtë post, ai ka qenë një prej mbështetësve kryesorë të çdo nisme të furnizimit të Ukrainës me armatim perëndimor për t’i bërë ballë sulmit rus, ndaj dhe pritet të vazhdojë me linjën e pararendësit të tij Jens Stoltenberg që mbajti këtë post për 1 dekadë.

Pasiguria më e madhe e mandatit të tij është fitorja e mundshme e Donald Trampit në presidencialet e Nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Kandidati republikan është skeptik ndaj NATO-s dhe kundër mbështetjes ndaj Ukrainës.

Tv Klan