Ushtria izraelite sipas zëdhënësit të Departamenti Amerikan i Shtetit, Matthew Miller, ka njoftuar nisjen e operacioneve ushtarake tokësore të kufizuara, duke pasur si shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit me Libanin.

Ushtria izraelite i bëri thirrje civilëve libanezë pranë disa ndërtesave në periferinë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut i njohur si Dahiyeh, që të evakuohen menjëherë dhe të largohen deri në 500 metra. Sipas Agjencisë së Lajmeve Reuters trupat ushtarake libaneze janë tërhequr 5 kilometra nga kufiri me Izraelin.

Sakaq Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë disa mijëra ushtarë shtesë dhe dyfishojnë fuqinë ushtarake ajrore në Lindjen e Mesme për të shtuar sigurinë dhe për t’u përgatitur për të mbrojtur Izraelin nëse është e nevojshme. Presidenti amerikan Joe Biden u shpreh kundër ndërhyrjes tokësore ushtarake dhe kërkoi armëpushim të menjëhershëm.

Numri 2 i Hezbollahut, Naim Kasemi, në të parën dalje televizive të një drejtuesi të lartë të kësaj organizate pas vrasjes së liderit Hasan Nasrallah tha se militantët e tij janë gati të përballen me një sulm tokësor të çfarëdolloj shkalle nga Izraeli. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Naser Kanani paralajmëroi se aktet kriminale të Izraelit nuk do të lihen pa përgjigjen e merituar.

Tv Klan