Autoritetet: Fluksi i udhëtarëve u përgjysmua

Në terminalin e trageteve në Portin e Durrësit ka nisur implementimi i një sistemi të ri nëpërmjet të cilit do të mundësohet matja e temperaturës në distancë për udhëtarët.

Masat shtesë vijnë pas vendimit për të lejuar lëvizjen e qytetarëve nëpërmjet linjave detare.

“Kemi patur investime brenda në terminal, kamerat termike, kamerat dixhitale në distancë të cilat monitorohen nga mjekët e portit dhe nga mjekët e terminalit. Këto kamera e përforcojnë monitorimin shëndetësor. Me këto masa do jemi në gatishmëri të plotë për sezonin”, thotë drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit.

Autoritetet portuale kanë bërë edhe një bilanc të 6 muajve të parë të vitit. Pas rënies drastike të lëvizjes së udhëtarëve gjatë izolimit, shihet se nuk ka pësuar ndryshim qarkullimi i mallrave.

“Nëse do shohim totalitetin e volumeve të përpunuara, në këtë 6-mujor të parë të vitit 2020 shohim një trend që është i krahasueshëm me vitin e kaluar. Kemi një qëndrueshmëri të përpunimeve tregtare, ky është lajm i mirë pasi po jetësohen e parashikojmë përmirësim”.

Në 6 muaj afro 120 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga porti i Durrësit, 130 mijë udhëtarë më pak se në periudhën Janar-Qershor të një viti më parë. Këto janë shifrat më të ulëta që prej liberalizimit të vizave.

Tv Klan