Biden: Rusia pushton Ukrainën në muajin Shkurt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” që Rusia mund të pushtojë Ukrainën në muajin Shkurt. Ai i bëri të ditur këtë paralajmërim homologut të tij ukrainas Vlodimir Zelenskiy gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të enjten.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden gjatë bisedës ka riafirmuar gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve ndërkombëtarë që të përgjigjen me vendosshmëri në rast të një agresioni rus.

Zbulimet e inteligjencës amerikane në Dhjetor vlerësuan se Rusia mund të fillojë një ofensivë ushtarake në Ukrainë “që në fillim të vitit 2022”. Që atëherë, zyrtarët amerikanë kanë qëndruar në këtë linjë.

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, është mbajtur ditën e sotme biseda telefonike mes Presidentit Francez, Emanuel Macron dhe homologut te tij Rus, Vladimir Putin.

Sipas mediave ndërkombëtare, të dy krerët kanë rënë dakord në gjetjen e një zgjidhjeje Diplomatike nëpërmjet dialogut ku Putin është shprehur se nuk do donte që situata pranë kufirit me Ukrainën të përshkallëzohej.

Kremlini është shprehur se Putin i ka thënë Macron se SHBA dhe NATO nuk i kanë adresuar kërkesat kryesore të sigurisë së Rusisë, por megjithatë Moska është e gatshme të vijojë bisedimet. Putin u shpreh se palët duhet të punonin drejt zbatimit të marrëveshjes së Miniskut.

Me kërkesën e qeverisë amerikane, instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë situatën e  krizës në Ukrainë në një seancë, e cila pritet të mbahet këtë të hënë. 

Tv Klan