Më shumë se 3 mijë persona në të gjithë botën kanë humbur jetën nga koronavirusi. Gjatë orëve të fundit, Kina njoftoi se në vend kanë vdekur 42 persona. Më shumë se 90% e vdekjeve janë në Hubei, provinca kineze ku u shfaq për herë të parë virusi në Dhjetor 2019.

Humbjet e jetëve janë shënuar edhe në shtete të tjera. Më shumë se 50 vetë kanë vdekur në Iran, dhe më shumë se 30 të tjerë në Itali.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se shkalla e vdekshmërisë është ndërmjet 2% dhe 5%. Në krahasim me gripin sezonal, ky i fundit ka një vdekshmëri mesatare 0.1% dhe deri në 400 mijë persona vdesin prej tij çdo vit.

Pavarësisht se ishte vendi i parë në botë nga filloi përhapja e koronavirusit, shkalla e infeksionit në Kinë është frenuar. Por situatë tjetër është në Itali, ku ka një rritje të numrit të të infektuarve. Gjatë 48 orëve të fundit, sipas autoriteteve shëndetësore në Itali, është rritur numri i personave të infektuar. Në shtetin italian deri më tani janë 34 të vdekur dhe 1694 të infektuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar janë 36 raste të dyshuara me koronavirus. Në Korenë e Jugut janë raportuar 476 raste të tjera, duke e rritur në 4212 numrin e të infektuarve me koronavirus. Edhe në Iran është i lartë numri i viktimave dhe personave të infektuar, por mediat botërore raportojnë se autoritetet iraniane e fshehin numrin real të pacientëve që kanë humbur jetën nga ky virus. Ndërsa vende si Katari, Ekuadori, Luksemburgu dhe Irlanda konfirmuan gjatë fundjavës rastet e tyre të para të infeksionit, ndërsa sot ka njoftuar edhe Indonezia. Së fundmi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur jetën dy persona nga koronavirusi. /tvklan.al