Cardi B u sigurua që të bënte një hyrje mbresëlënëse në tapetin e kuq ndërsa përgatitet të prezantojë American Music Awards për këtë vit.

Këngëtarja 29-vjeçare shokoi të pranishmit teksa vuri këmbën në ngjarjen ikonike, dy herë. Në daljen e parë, Cardi dukej e mahnitshme me një fustan të zi deri në fund të këmbëve, i cili kapej rreth qafës së saj duke mbuluar një pjesë të mirë. Në njërën anë, veshja ishte e çarë duke ekspozuar pak edhe tatuazhin e saj.

Por veshja e dytë la gojëhapur të gjithë audiencën. Duke i qëndruar besnike të zezës, fustani tjetër ishte tërësisht i hapur në pjesën e sipërme dhe i dekoruar me tyl në mënyrë të tillë që të formonte një vello sipër kokës. Por detaji më interesant ishte fytyra e Cardi, e mbuluar nga një maskë ari, ndërsa dy vathë të hatashëm të artë, plotësonin paraqitjen.

Këngëtarja njoftoi që do të kishte edhe veshje të tjera gjatë prezantimit, madje e ka shprehur më herët entuziazmin e saj: “Kur mora ftesën për të prezantuar AMA, isha kaq e emocionuar. Jam gati ta nxjerr personalitetin tim në skenën e saj!”

Megjithatë, në një intervistë për “Variety” reperja tha se ndonëse ishte ajo prezantuesja e mbrëmjes, rëndësia qëndron te yjet që performojnë./tvklan.al