Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka marrë fund brenda 24 orëve historia e pengut Fatjon Demirlika. Policia ka arritur të gjejë 23-vjeçarin e marrë peng, ka arrestuar njërin nga pengmarrësit Ilir Kodumi dhe ka identifikuar dy të tjerët. Lirimi i pengut është bërë pas mesnatës nga forcat e komisariatit nr.3, ndërkohë që në orët e mbrëmjes, në një operacion taktik ishte bërë e mundur të arrestohej njëri nga pengmarrësit, i cili ishte futur në kurth, duke i thënë të merrte sasinë e parave të kërkuar prej 100 mijë eurosh.

Deklarata e policisë: “Një person i kontrolluar tërësish nga policia është nisur për të dorëzuar sasinë e parave të kërkuara nga pengmarrësit, të cilët nëpërmjet telefonatave udhëzonin lëvizjen e tij. Pengmarrësit kanë kërkuar që dorëzimi i parave të bëhej pranë varrezave të Tufinës. Menjëherë, sapo njëri prej tyre, e pikërisht Ilir Kodumi i është afruar vendit ku ishin vendosur paratë, pranë një pllake varri, forcat e policisë së kryeqytetit Tiranë dhe forcat speciale, e kanë rrethuar atë”.

Në momentin e arrestimit 21-vjeçari Ilir Kodumi mbante me vete një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të forcave policore, por nuk ka të lënduar. Sipas policisë ai është një shpërndarës droge, me një kartelë kriminale të pasur, me dënime për grabitje, armëmbajtje, trafik droge etj. Gjithashtu Kodumi është person i shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Shpërndarës droge dhe ish-të dënuar janë edhe dy pengmarrësit e tjerë tashmë ën kërkim.

Gjergj Cukalli 25 vjeç është i dënuar më parë me 7 vjet heqje lirie për plagosjen e një shtetasi, grabitje të një motori, falsifikim dokumenti dhe shpërndarje droge. Ndërsa personi tjetër Lerbi Lito 24 vjeç është dënuar më parë për trafik dhe shpërndarje droge. Sipas policisë dhe pengu 23-vjeçar ka precedent penal dhe për të zbardhur plotësisht këtë rast, po hetohet nga prokuroria e krimeve të rënda.

Deklarata e policisë: “Nga hetimet paraprake rezulton, se shtetasi Demirlika ka pasur njohje dhe lidhje të mëparshme me pengmarrësit, madje po hetohet edhe në lidhje me aferat të ndryshme që mund të kenë ekzistuar midis tyre”.

Personi i arrestuar është keqtrajtuar pas ndalimit de për këtë arsye është dërguar gjatë paradites në spital për mjekim./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj