Kryeministri teknik në RMV, Talat Xhaferi, deklaroi këtë të shtunë se shqiptarët janë të gatshëm për një kryeministër për të gjithë. Duke folur në cilësi të përfaqësuesit të Frontit Evropian, Xhaferi tha se kryeministri për të gjithë duhet të jetë pro rrugës europiane të vendit dhe të punojë me përkushtim për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, zbatimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2024 dhe hapjen e kapitujve të negociatave.

“Një kryeministër që do të praktikojë qeverisje të mirë që karakterizohet me transparencë, pjesëmarrje, efikasitet, përgjegjshmëri, llogaridhënie, barazi, konsensus dhe kohezion. Do të kujdeset për sundimin e ligjit dhe së drejtës, do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Xhaferi.

I pyetur se çfarë ndodhë nëse VMRO nuk bën koalicion qeveritar me BDI-në, Xhaferi tha se këto çështje do të diskutohen pas zgjedhjeve në organet partiake.

“Nuk është çështje për të biseduar tani, për çështjet konkrete pas mbarimit të zgjedhjeve. Organet partiake të Frontit Evropian, ka strukturë udhëheqëse të frontit, çështja do të diskutohet normal se do të ketë vendim përkatës”, tha ai.

I pyetur se deri kur pret të jetë kryeministër teknik duke pasur parasysh rrethanat rreth formimit të qeverisë, Xhaferi tha se puna e tij parësore nuk është të presë se çfarë do të ndodhë pas 100 ditëshit, por të jetë në krye të detyrës. /tvklan.mk/