640 mësues të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve përpos lëndëve që japin aktualisht mësim do të marrin edhe një rol të ri brenda muajit Tetor. Gjysma e tyre do të jenë koordinator për orientimin e karrierës dhe gjysma tjetër për sigurimin e cilësisë.

Koordinatori për orientimin e karrierës do të identifikojë talentet, hobet apo prirjet e nxënësve duke i informuar këta të fundit edhe për kërkesat që ka sot tregu i punës.

“Ka dinamika të tjera që lidhen me aftësitë sipërmarrëse, me zgjedhjen e degëve për në universitet, kjo ishte dhe arsyeja se përse një figurë qendrore e koordinimit për orientim karriere është i domosdoshëm duke mos lënë peshën vetëm te mësuesi kujdestar apo ato që zhvillojnë tema për orientimin e karrierës”, thotë Gert Janaqi, nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

Ndërsa koordinatori për sigurimin e cilësisë ka ardhur si nevojë pasi është vënë re që në shkollat tona duhet të ketë një kujdes më të shtuar në zhvillimin profesional të mësuesve.

“Më shumë sesa një masë që lidhet me vlerësimet ndërkombëtare, është një nevojë që vetë shkollat kanë për të pasur më të detajuar nivelin e investimit që do duhet të marrin mësuesit në termat e zhvillimit të tyre profesional”, shprehet Janaqi.

Ky rol i ri që futet për herë të parë këtë vit shkollor thuhet se nuk do të sjellë ngarkesë shtesë për mësuesit.

“Mësuesi një pjesë të normës së tij e ka proces mësimdhënie, ndërsa orët e dedikuara që janë nga 8-10 orë i ka aktivitete të planifikuara për këto dy aktivitete”, shton Janaqi.

Kjo risi do të shtrihet në disa shkolla në të gjithë vendin, si në zonat urbane ashtu edhe rurale.

Tv Klan