Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti, Ilir Meta çmoi dirigjenten e spikatur Suzana Turku me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim me motivacionin: “Në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit, vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar dirigjentes Turku, familjarëve dhe kolegëve të saj, si dhe personaliteteve të artit e të kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti i Republikës u shpreh: Është privilegj për mua, që sot në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, të vlerësoj një nga personalitetet më të shquara të kulturës, të artit dhe muzikës sonë, zonjës Suzana Turku. Një zonjë, që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare, duke thyer tabu e stereotipe dhe duke merituar një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë./tvklan.al