Cënojnë marrëveshjen dhe aspiratën europiane të Shqipërisë

Ndryshimet kushtetuese, sipas Presidentit Ilir Meta, cënojnë marrëveshjen politike të 5 Qershorit, rikthejnë konfliktin politik në vend, si dhe rrezikojnë aspiratën europiane të Shqipërisë.

“E prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e 5 Qershorit dhe e zeron këtë arritje të Shqipërisë. Cënohet në rradhë të parë vetë Integrimi Europian i vendit, që është aspiratë e gjithë partive shqiptare sepse është aspiratë e të gjithë popullit shqiptar”.

Për kreun e shtetit, ndërmarrja e kësaj nisme bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit, i cili ndalon ndërmarrjen e iniciativave të tilla në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme.

Neni 107 pika 5: Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.

Neni 177 pika 2: Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. 15 qershor 2020, Shqipëria ishte ligjërisht nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vetë Kuvendi i Shqipërisë.

Më tej shkoi në argumentin e tij kur tha se ndryshimet kushtetuese bien ndesh edhe me vetë opinionin e Venecias në kodin e praktikave të mira, duke risjellë edhe një herë në vëmendje atë që e cilëson ilegjitimitet të numrave në Kuvend.

“Janë në kundërshtim të plotë me parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias, të parashikuara në kodin e praktikave të mira për çështjet zgjedhore. Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitim”.

Akuzave të Kryeministrit se e ka kthyer institucionin e Presidencës në seli të opozitës, iu kundërpërgjigj me një deklaratë të bërë më herët nga vetë Rama.

“Unë mbështes plotësisht qëndrimet vizionare dhe tërësisht të përgjegjshme të kryeministrit Rama, të cilat i kam postuar në Facebook, në Twitter dhe ju i keni. Ku ai shprehet shumë qartë që ishte një gabim serioz ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë të nxituar në vitin 2008, edhe pse Parlamenti ishte tërësisht legjitim, se ishte rezultat i një rotacioni dhe dy forcat kryesore kishin mbi 125 mandate plotësisht legjitime dhe që një gabim i tilë nuk do të ndodhte kurrë”.

Ashtu si në 2 Mars, sërish kreu i shtetit tha se si garant i Kushtetutës do të frenojë çdo përpjekje të njëanshme të maxhorancës për të ndryshuar të drejtën që Kushtetuta ia njeh sovranit.

“Unë nuk dëshiroj t’iu them se çdo të bëj unë, në rast se të tjerët çmenden. Edhe populli aty është, në 2 Mars, ju nuk i dëgjoni, po unë i dëgjoj çfarë thonë: Shpërndaje, shpërndaje. Kam që nga 2 Marsi që nuk më ikën kjo. Ia tregoj unë edhe kompetencën, siç kanë ata kompetencë për të bërë këto çmendurira dhe marrëzira”.

Presidenti Meta bëri edhe një herë thirrje për reflektim, duke ftuar palët të heqin dorë nga retorika shterpë dhe tentativat që minojnë procesin e integrimit europian të vendit.

Tv Klan