Vetëm 6 pikë në 6 takimet e fundit, shoqëruar me humbjen 3-1 ndaj Torinos duket se i kanë dhënë goditjen finale Stefano Piolit në pankinën e Milanit. Tekniku italian ka arritur të marrë vetëm një fitore gjatë kësaj periudhe, çka nuk ka kënaqur aspak drejtuesit. Për këtë fakt, Milan po kërkon një trajner të ri. Paulo Fonseca është kandidati më potencial për të marrë drejtimin e skuadrës kuqezi.

Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, mes palëve është zhvilluar bisedë telefonike dhe nga ana e portugezit është dhënë dakordësia për t’u rikthyer sërish në Serie A. Shtatë ditë kohë është periudha e dhënë në dispozicion të Piolit për të vendosur, që përkon edhe me takimin e fundit të këtij sezoni.

Fonseca që për momentin drejton francezët e Lille është një profil që e njeh tashmë kampionatin italian pas periudhës në stolin e Romës, teksa paga është edhe ajo që gëzon treshen drejtuese të kuqezinjve, Furlani-Ibrahimovic dhe Moncada. Në orbitën e Milanit gjendet edhe Sergio Conceiçao i Portos që do i pëlqente një rikthim tashmë si trajner në Milano.

Klan News