Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka qenë një keqkuptim, kështu ka deklaruar drejtori i arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit vetëm dy ditë pas protestës së studentëve të Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale. Sipas drejtorit Agim Muça, askush nuk ka menduar që në diplomat e këtyre studentëve të shkruhej se ata po diplomohen në degën e Filozofisë-Sociologjisë.

Agim Muça: “Fakulteti në qoftë se ka një problem lidhur me miratimin, nëpërmjet rektorit i drejtohet Ministrisë së Arsimit dhe Ministria e Arsimit jep një vendim. Pasi jepet ky vendim, njeriu ka të drejtë ta interpretojë atë si të dojë, por kjo rrugë nuk është kryer nga fakulteti dhe vetëm ditën e fundit kur studentët do të hyjnë në diplomim, këta pedagogë na kujtohen dhe po na habisin, duke thënë qëndrim absurd”.

Ditën e shtunë, 29 studentët e kursit të Shkencave Politike, të parët që diplomohen në këtë degë, bojkotuan provimin për mbrojtjen e diplomës, pasi kishin marrë veshë, që në diplomat e tyre, do të njiheshin si studentë të Filozofisë.

Kjo protestë u mbështet edhe nga pedagogët e kësaj dege. Këta të fundit deklaruan, se nuk ishte e drejtë që për shkak se kjo degë nuk ka ende departamentin e saj, studentët që diplomohen këtë vit të njihen si studentë të Filozofisë dhe Sociologjisë, por drejtori i arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit ka hedhur poshtë pretendimet e studentëve dhe pedagogëve, se departamenti i Shkencave politike nuk është ngritur për shkak të burokracive të krijuara nga kjo ministri./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka