Pritet që të jetë i operueshëm brenda këtij muaji

Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë krijimit të pikës doganore në Aeroportin e Kukësit.

Zona e përhershme doganore në këtë pikë aeroportuale do të jetë 780 mijë metra katrorë, ndërsa autoritetet doganore kanë nisur punën për zbatimin e këtij vendimi.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se pritet që ky aeroport të jetë i operueshëm brenda këtij muaji, ndërsa fluturimi i parë parashikohet të nisë në 18 Prill.

Një muaj më parë Autoriteti i Aviacionit Civil nisi testimin e pistës së Kukësit, ndërsa deri tani janë kryer 90% e punimeve të aeroportit.

Punimet për këtë aeroport nisën 2 vjet më parë, ndërsa kompania koncesionare ka investuar 8 milionë euro për rehabilitimin e tij në zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve dhe zonës së parkingut.

Aeroporti i Kukësit do të operojë me linja low cost. Kjo pistë dhe një terminal i vogël ka ekzistuar që vite më parë, por pa u vënë asnjëherë në përdorim. Aeroporti ishte një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë krizës së luftës në Kosovë.

Tv Klan