Emisioni “Opinion” trajtoi edhe një herë ngjarjen që ka tronditur opinionin publik shqiptar. Anëtari i Këshillit të Europës, Dick Marty në një raport të përgatitur për luftën e Kosovës, ka hedhur akuza mjaft të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministrit Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte drejtori politik i ushtrisë.

Në të vërtetë historia nis shumë vite më parë, pas disa denoncimeve të mbërritura në zyrat e UMNIK, ku thuhej se në disa zona të Shqipërisë ishin kryer eksperimente mjekësore me robër serb dhe shqiptarë kolaboracionistë ose ishin vrarë në varreza masive. Historia më pas vijoi me disa verifikime të kryera nga Shqipëria në Tribunalin e Hagës.

Por kjo ngjarje u rikthye në qendër të vëmendjes pas akuzave të kryera nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e Hagës, në librin e saj “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”. Sipas saj, këto krime nuk u hetuan dot asnjëherë, duke provokuar në këtë mënyrë Këshillin e Europës për të nisur hartimin e një raporti special.

Ky raport iu ngarkua Dick Marty-t, një prej anëtarëve të tij më pro serb. Misteri më i madh është me një shtëpi në Burrel, e quajtur “shtëpia e verdhë”, e cila zë vendin dominues në raportin e Marty-t.

Mbrëmjen e sotme emisioni “Opinioni” u fokusua te pyetja e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje, Arben Dyla dhe një prej drejtuesve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ardian Visha.

Në 4 Shkurt të vitit 2004, Dyla, në detyrën e prokurorit të Matit, shoqëroi përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës për të verifikuar “shtëpinë e verdhë” në fshatin Rrip. I ftuar në emisionin “Opinion”, Arben Dyla tregoi se grupi i ekspertëve, i përbërë nga 12 persona, erdhi në Mat për të verifikuar nëse kjo banesë kishte shërbyer si burg i UÇK-së.

Ai rrëfeu se Prokuroria e Burrelit nuk ishte në dijeni të pretendimeve për këtë shtëpi, e cila ishte në pronësi të Abdullah Katuçit. I pyetur nga prokurori Dyla, pronarët mohuan të kishin lidhje me UÇK-në.

Prokurori tha se pretendimin që kjo shtëpi ishte përdorur për trafikim organesh e ka mësuar në librin e Del Pontes, ndërkohë që nuk ishte përdorur nga asnjë familje kosovare.

Por në raportin e Dick Marty-t pretendohet se në “shtëpinë e verdhë” grupi i ekspertëve ka gjetur shiringa, pajisje mjekësore dhe një aparat për transfuzionin e gjakut, i cili ishte shumë i sofistikuar për t’u përdorur në këtë fshat.

Prokurori Dyla e mohoi në mënyrë kategorike, duke thënë se janë gjendur vetëm dy flakonë peniciline në mbeturinat e banesës. Pronarët shpjeguan se fshati nuk ka qendër shëndetësore, ndaj i blejnë ilaçet në farmaci dhe mjeku i kryen shërbimet në banesa.

Tribunalia e Hagës nuk kishte të drejtë të kryente asnjë veprim hetimor në Shqipëri, pasi verifikimi i takonte vetëm Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat. Përfaqësuesit kryen vetëm verifikime në Mat për rreth 11 orë. Ata kërkuan zhvarrosjen e trupave në varrezat që ndodheshin pranë “shtëpisë së verdhë”, por kjo nuk ishte kompetencë e tyre, pasi nuk kishin ardhur për procedim penal.

Prokurori Arben Dyla rrëfeu me detaje në studion e emisionit “Opinion” gjithçka ndodhi gjatë shoqërimit të përfaqësuesve të Tribunalit të Hagës. Sipas tij, pas këtyre verifikimeve, ekspertët thanë se nuk kishte as një provë që “shtëpia e verdhë” kishte shërbyer si burg i UÇK-së.  

Nga ana tjetër, familjarët u shprehën të shqetësuar për sjelljen e tyre dhe padrejtësinë që u është bërë. Familja Katuçi nuk e kupton pse gjenden të përfshirë në këtë histori të tejmbushur me fantazi.

Dyla tha se nuk kanë mbajtur asnjë procesverbal gjatë vizitës së ekspertëve, por pas publikimit të librit Del Pontes, nëpërmjet të cilit mësuan se verifikimi ishte kryer për trafikim organesh dhe femrash, hartoi një raport të detajuar mbi atë çfarë kishte ndodhur gjatë vizitës së tyre.

Prokurori Arben Dyla e përmbylli duke thënë nëse autoritetet shqiptare do të nisin një procedim penal.

“Nëse do të ketë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, patjetër që edhe autoritetet shqiptare do të mund të nisin një  procedim penal. Por në stadin aktual, ku as zonja Del Ponte dhe as zoti Marty nuk venë në dispozicion burimet e provave apo se çfarë provash kanë, më duket e vështirë që të fillohet një procedim penal vetëm me kaq”.

Gjithashtu në emisionin “Opinion” dëshmoi edhe ish-drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Ardian Visha.

Ai rrëfeu se iu përgjigjën pozitivisht kërkesave të Tribunalit të Hagës dhe se u kërkuan kopjet autentike të akteve për të iniciuar një procedim të pavarur, nëse rezultatet do të ishin pozitive dhe do të kishin fakte për ta provuar.

Por nga përfaqësuesit u tha se nuk ishte produktuar asgjë nga aktiviteti investigativ i realizuar në Burrel. Si rrjedhojë, prokuroria mbylli praktikën dhe e arkivoi.

Kjo nuk ishte e vetmja kërkesë për këtë banesë. Prokurori serb për Krimet e Luftës i drejtoi Prokurorisë së Shqipërisë një kërkesë për ekzekutimin e të njëjtës letër-porosi në subjekt dhe në përmbajtje. Kjo letër-porosi u refuzua nga autoritetet shqiptare, por për prokurorin Visha do të ishte mirë të realizohej, pavarësisht shkaqeve ligjore dhe morale të refuzimit.

Sipas Vishës, raporti i Dick Marty-t nuk është një investigim i mirëfilltë procedurial, ndaj dhe nuk përmban prova. Mungesa e bashkëpunimit që theksoi ky i fundit, është një padrejtësi kundrejt autoriteteve shqiptare, pasi ka akte që e provojnë.  

“Unë mendoj që përsa i përket institucioneve shqiptare, kazusi sado absurd në dukje, është vlerësuar si real dhe i mundshëm, përsa i takon përkushtimit institucional dhe bashkëpunimit të ofruar. Për sa kohë ky bashkëpunim dhe veçanërisht ekspertiza e drejtuesve të Hagës nuk provoi gjë  për të iniciuar një procedim të pavarur tonë, është arkivuar. Por kjo nuk e privon prokurorinë serbe të kërkojë kryerjen e veprimeve në territorin shqiptar për të hedhur dritë mbi atë që pretendojnë”, shpjegoi Ardian Visha. 

Nga ana tjetër, përkthyesi i Tribunalit të Hagës, Artan Grubi tha se ishte i vetmi shqiptar i punësuar në grupin e ekspertëve. Me përgjegjësinë më të madhe ai theksoi se Lulzim Basha nuk ishte pjesë e këtij grupi ekspertësh.  Grubi nuk pranoi të përgjigjej përsa i përket materialeve të gjetura në “shtëpinë e verdhë”.

“Unë vura re një dallim mes përshtypjeve të hetuesve të kualifikuar të Tribunalit të Hagës dhe mjekëve ligjorë. Nuk do të doja të flisja për detajet se çfarë është hetuar apo gjetur aty sepse nuk më takon mua të flas për këtë çështje. Por gjithnjë iu referoj në deklaratat zyrtare të Tribunalit të Hagës, të hetimit të UNMIK-ut apo të EULEX-it, që e kanë përfunduar hetimin rreth të ashtuquajturës ‘shtëpi e verdhë’, në lidhje me pretendimet. Deklarata është dhënë më 27 Maj 2010, e ka dhënë hetuesi i këtij rasti, që i kishte të gjitha materialet. Në atë deklaratë, të dhënë për BBC, ai thotë që nuk ka dëshmitarë, nuk ka dëshmi”, tregoi përkthyesi.

Në pjesën e tretë emisioni “Opinion” transmetoi një përmbledhje të intervistës së kryeministrit të Kosovës dhe ish liderit politik të Ushtrisë Çlirimtare,  Hashim Thaçi, ku flet për akuzat e Dick Marty-t./tvklan.al