Filipçe: Për momentin nuk ka kufizime të reja

Në Maqedoninë e Veriut, virusi britanik bëhet gjithnjë e më agresiv. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka pranuar se tek 70% e të infektuarve të rinj është konfirmuar lloji britanik i COVID-19, gjë që sipas autoriteteve shëndetësore ka ndikuar dukshëm në rritjen e rasteve të reja. Shifrat e fundit flasin se mbi 20% e të testuarve rezultojnë pozitiv.

“Ka një rritje të numrit të pacientëve me Covid-19. Në këtë moment, vazhdojnë ekzaminimet në laboratorin e AMSHA-së. Dje, kam biseduar me përfaqësues të laboratorit nga klinika “Zhan Mitrev”, ku lloji i virusit britanik është i pranishëm në 70 % të rasteve. Është e qartë se numri i personave të infektuar po rritet, ndërsa një pjesë e rritjes së shifrave është për shkak të pranisë së këtij lloji të virusit, i cili përhapet më lehtë”.

Qeveria dje ka nënshkruar kontratë për blerje edhe të 100 mijë  doza të vaksinave ruse “Sputnik V”. Por, Ministri i Shëndetësisë, Filipçe nuk kishte një përgjigje se kur do të arrijnë 200 mijë vaksinat e paralajmëruara kineze, e as 5.800 dozat nga Kompania “Pfizer”, për të cilat flitej se do të arrijnë në fund të Shkurtit.

“Kërkohen dokumente shtesë, por edhe të qartësohen disa nene nga kontrata. Këto dalin nga komunikimi i përditshëm dhe nga shkëmbimi i informacioneve. Ja edhe sot komunikojmë dhe shpresoj që ditëve në vijim do të kemi datë konkrete se kur do t’i kemi këto vaksina”

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut për momentin nuk mendojnë për vendosjen e masave të reja shtrënguese, por nuk përjashtojnë një mundësi të tillë nëse përkeqësohet situata me infektimet e reja.

Raportet nga terreni flasin për rritje të numrit të të hospitalizuarve. Janë mbi 650 pacientë të shtruar nëpër covid-spitalet e vendit.

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut presin që brenda dy javëve të përfundojë procesi i imunizimit të punonjësve shëndetësor, përkatësisht të 4.000 prej tyre që punojnë me pacientët me COVID-19.

Tv Klan