Mbrëmja e 12-të e spektaklit “Dance Albania” në Tv Klan nisi me një lajmërim shumë të rëndësishëm. Programi “Në kurthin e Piter Pan” rikthehet për një tjetër sezon dhe audicionet nisin në datat 9 dhe 10 Dhjetor, ora 10:00 pranë Tv Klan.

Performanca e parë e mbrëmjes erdhi nga fituesja e puntatës së kaluar, Adelina Tahiri, e cila ndau edhe një video ekskluzive nga jeta e saj private, momentin e propozimit për martesë nga bashkëshorti. Këngëtarja tregoi edhe unazat me diamantë që ai i ka dhuruar në momente kyçe të marrëdhënies së tyre.

Në nder të shpalljes së xhubletës sonë tradicionale si pasuri e mbrojtur nga UNESCO, Klaudia Pepa dhuroi një performancë speciale, e veshur me të. Nuk kaloi pa u përmendur as çmimi që balerina  mori për rolin e saj në filmin me metrazh të shkurtër “Lights Off”.

Cindy Marina rrëfeu se në moshën 7-vjeçare ka qenë pjesë e muzikalit “Grease” në një rol të vogël, por që mbetet një nga “kujtimet e saj më të bukura të fëmijërisë”.

Melisa u përlot teksa u zbulua se nëna e saj sapo ka kaluar një operacion të vështirë dhe ndodhet në reanimacion. Më tej, ajo zbuloi edhe pak më shumë për djalin me të cilin po njihet.

Soni Malaj erdhi në një performancë speciale me muzikalin “Chicago” si një surprizë e kësaj mbrëmjeje.

Melisa fitoi kupën e mbrëmjes, ndërsa në sfidë u përballën dy miqtë, Orgesa dhe Kastro, prej të cilëve u largua ky i fundit.

“Kjo më bën të të kem akoma më shumë xhan”, Orgesa Zaimi vlerëson gjestin vetësakrifikues të Kastros

Orgesa Zaimi dhe Kastro Zizo u vendosën në sfidën e mbrëmjes në “Dance Albania” në Tv Klan. Si më pak të votuarit nga juria, ata kërcyen nën siglën e “Time of my life”, por Kastro nisi të improvizonte duke mos respektuar koreografinë. Pikërisht për këtë, Orgesa, e cila u zgjodh nga juria për të qëndruar, i drejtoi një falenderim të ndjerë mikut të saj.

Orgesa Zaimi: Për mua ka qenë shumë e dhimbshme sfida e dytë me dy nga miqtë e mi. Përshëndes Valonin, sifda ime e parë ishte me Valonin dhe ishte goxha e sikletshme me mua që të isha në sfidë me një mikun tim. Gjithashtu edhe për Kastron, ju lutem një duartrokitje të jashtëzakonshme. Kam përshtypjen se gabove vetëm se doje që unë të dilja mirë me koreografinë, kështu që kjo realisht më bën të të kem akoma edhe më shumë xhan.

Alketa Vejsiu: Shih, paska edhe skenare kështu.

Ermal Mamaqi: Orgesa është në garë për të fituar, edhe pse ndonjëherë, dhe e shoqëron në çdo vend këtë, edhe pse ndonjëherë nuk e vazhdon garën për të fituar.

“Është i pjekur dhe më mbështet”, Melisa zbulon më shumë për djalin që i ka marrë vëmendjen

Lulet që i erdhën një javë më parë në skenën e madhe të spektaklit të kërcimit Dance Albania, në Tv Klan, duket se kanë ngritur shumë pyetje, se kush është djali që e ka bërë për vete Melisën…

Këtë të hënë, ajo zbuloi më shumë rreth tij, ndërsa tha se ajo që vlerëson më shumë tek ai është fakti është i pjekur dhe që e mbështet.

“…Janë sulur të gjithë, kush është, pse është, si është, çfarë është, sa ke, sa s’ke, duroni! Jo nuk është bjond, është diçka e mesme. Pak më i gjatë si unë, nuk kemi shumë diferencë në moshë. Thjeshtë është i pjekur, kaq më mjafton mua, më shumë se mosha. Ka qenë njëherë në publik, por askush nuk e dinte, madje as unë vetë nuk e dija. Më mbështet”, tha Melisa.

Cindy Marina që 7 vjeçe në skenat e Los Anxhelos, çfarë i ka ndodhur që nuk do ta harrojë kurrë

Cindy Marina ka treguar gjatë emisionit “Dance Albania” se kur ka qenë 7 vjeçe ka marrë pjesë në një muzikal shumë të famshëm. Ajo ka treguar se kjo eksperiencë në Los Anxhelos ka qenë e paharrueshme.

“Kam një lidhje emocionale me muzikalët sepse në fakt unë kam marrë pjesë në një muzikal shumë të famshëm nëpër botë. Quhet Grease. Mbetet një nga kujtimet e mia më të bukura të fëmijërisë”.

“Thjesht isha cheerleader se isha 7 vjeçe, por ishte hera e parë që dilja në skenë, një emocion e paparë. Po në Los Anxhelos në Kaliforni. Me të vërtetë ishte një eksperiencë e paharrueshme. Përveç faktit që ishte hera e parë në skenë më ndodhi dhe kjo ngjarja se unë nuk kam si ta harroj”, u shpreh Cindy.

Por çfarë i ka ndodhur Cindy-t që nuk do ta harrojë kurrë?

“Aq më tepër mbetet si një kujtim sepse më ka ndodhur një ngjarje e vogël që nuk do e harroj ndoshta gjithë jetën. Në këtë muzikal kisha dy skena që ishin shumë afër me njëra tjetrën dhe duke u ndërruar unë nuk e mbylla mirë atë fundin. Dola në skenë dhe po kërceja. E ndjeva që fundi po më binte avash-avash dhe unë vazhdoja ndërkohë gjithë audienca filloi me qesh sepse e vunë re që po më binte fundi. Kjo skenë mu rikujtua disa javë këtu në ‘Dance Albania’ dhe më duket sikur historia përsërit vetveten”, u shpreh Cindy.

Melisa shfaqet me sy të përlotur, Vejsiu zbulon arsyen

Nëna e Melisa Lleshit, konkurrentes në “Dance Albania” në Tv Klan ndodhet në reanimacion. Teksa iu drejtua Melisës për ta thirrur drejt performancës së saj, moderatorja Alketa Vejsiu solli në vëmendje përjetimin e konkurrentes, e cila shfaqet me sy të përlotur.

Alketa Vejsiu: Melisa të shoh atje me sytë e trishtuar pak. Dua të të falënderoj që megjithëse nëna jote ndodhet në operacion shumë të vështirë dhe ka përfunduar në reanimacion, ti në respekt të publikut dhe formatit je këtu dhe do të bësh vallëzimin dhe do të shkosh përsëri në spital. Të shkuara mamasë dhe Zoti t’i japë jetë dhe ta kalojë sa më shpejt e sa më lehtshëm këtë që ka kaluar. Faleminderit shumë që je këtu me ne. Publiku nuk e di, ne e dimë se çfarë ndodh me jetën e artistëve që shumë herë duhet të bëjnë kompromis me gjendjen e tyre shpritërore dhe përsëri duhet të jenë këtu për publikun.

Xhubleta në UNESCO, Klaudia Pepa performon e veshur me të në “Dance Albania”

Në nderim të shpalljes së xhubletës shqiptare si pjesë të Trashëgimisë së Mbrojtur Kulturore Jo Materiale në UNESCO, spektakli “Dance Albania” në Tv Klan i kushtoi një moment të veçantë.

Anëtarja e jurisë dhe balerina Klaudia Pepa dhuroi një performancë të veçantë, e veshur me xhubletën tradicionale 4000-vjeçare.

Balerina zgjodhi xhubletën e zezë me motive ari dhe një shirit të bardhë karakteristik në fund.

Propozimi surprizë në Vjenë dhe diamantet e çmuar, Adelina Tahiri zbulon ekskluzivisht ‘vlerën’ e martesës së saj

Adelina Tahiri zbuloi mbrëmjen e kësaj të hëne në spektaklin e kërcimit Dance Albania në Tv Klan, detajet nga propozimi që bashkëshorti i saj i bëri për martesë. Bashkë me videon që u transmetua ekskluzivisht në program, këngëtarja tregoi se propozimin e mori në një lokal në Vjenë.

“Sigurisht që nuk ka vajzë që nuk do diamante, sidomos kur je me një partner dhe je në pritje të një propozimi. Unë kam dy. Por për mua edhe pse ky është më i madh, më shumë ka vlerë ky sepse ishte me shumë dashuri dhe ishte unaza e parë që unë mora. Ishim në një lokal, është një lokal shumë i njohur në Vjenë dhe vjen kamarieri me një pjatë dhe heq unazën. Nuk e kuptoja a është për mua realisht dhe e para që më erdhi ndërmend ishte që mos është për ndonjë tavolinë tjetër, por pashë përreth që nuk kishte çift dhe nuk kishte ndonjë vajzë që po priste unazë”.

Këngëtarja po ashtu rrëfeu se ajo nuk surprizohet lehtë, por njeriu që ajo ka në krah, arriti ta bënte një gjë të tillë.

“Kuptova që unaza ishte për mua dhe aty nuk më besohej nga aftësia e tij si arriti të më bënte surprizë sepse është shumë e vështirë për mua që dikush të më bëjë surprizë, sepse jam e shkathët dhe i kap gjërat shumë shpejt. Por që ai doli më i shkathët se unë dhe prandaj më ka. Diamanti i parë ishte çështje propozimi. Diamanti i dytë, më tha një ditë, zemër tha, do të bëj një diamant dhuratë, sepse si po të rritet vlera si nënë, ashtu do t’i rris diamantet”.

Megjithatë për këngëtaren, diamanti më i madh që gjysma tjetër i ka dhënë është djali që ata kanë bashkë.

“Ndërsa për mua, diamanti më i madh që ai më ka dhënë në jetë është çuni”.

Rikthehet “Në kurthin e Piter Pan”! Vejsiu njofton datat e audicioneve

Në hapjen e spektaklit të vallëzimit “Dance Albania” në Tv Klan, moderatorja Alketa Vejsiu njoftoi rikthimin e një programi shumë të dashur argëtimi. “Në kurthin e Piter Pan”, emisioni që i argëton të gjithëve me kuriozitetin, inteligjencën dhe humorin e fëmijëve, do të nisë shumë shpejt. Në datat 9 dhe 10 Dhjetor pranë ambienteve të Tv Klan nisin audicionet për përzgjedhjen e kastit.

Alketa Vejsiu: Jam shumë e kënaqur që të them se do të rikthehet përsëri në sezonin pranveror “Në kurthin e Piter Pan”, ndaj duhet të bëj një lajmërim të rëndësishëm tani. Është një ndër programet më të suksesshëm në fakt të këtyre viteve, nga më të dashurit që mbledh gjithë familjen afër Tv Klan dhe dua t’ju ftoj të gjithëve që të keni vëmendje dhe për datat.

Alketa Vejsiu: Të premten dhe të shtunën e kësaj jave, 9 dhe 10 Dhjetor, në ora 10:00 të mëngjesit, në teatrin e Tv Klan, këtu ku realizohet ky spektakël, hapen portat për të gjithë fëmijët e talentuar 4-8 vjeç. Ju lutem mos i mësoni fëmijët, lërini të jenë të lirë të improvizojnë sepse pyetjet jua bëjmë ne. Vetëm me meritë do të bëhet kasti i piterpanistëve të vegjël dhe këtë vit, kështu që mos kini merak, do t’ju jepet mundësia të gjithëve një për një që të jenë të dëgjuar./tvklan.al