Ish-futbollisti italian Toto Schillaci është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte i shtruar në Spitalin e Palermos prej disa ditësh për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Ish-sulmuesi i Juventusit dhe Interit trajtohej prej disa kohësh për kancerin në zorrën e trashë. Ditët e fundit ishte shtruar në spital dhe gjendja e tij paraqitej e rëndë.

Ai ishte operuar dy herë nga tumori. Në një intervistë të para disa viteve për Coerriere dell Serra, Toto Schillaci kishte thënë se “i kishte rënë bota mbi kokë” kur mësoi për sëmundjen. “Rashë në depresion, kisha frikë mos vdisja”, ishte shprehur ai kur u përball për herë të parë me sëmundjen e rëndë.

Pavarësisht se ishte operuar dy herë, 59-vjeçari nuk e fitoi dot betejën.

Toto Schillaci ishte golashënuesi më i mirë i Italisë në Botërorin e vitit 1990.

/tvklan.al