Ndeshjet e para në Ligën e Kampioneve nuk prodhuan surpriza. Bayern Munich shkatërroi me shifrat e thella 9-2, kroatët e Dinamo Zagreb.

Dominim absolut i bavarezëve, që e kthyen në spektakël ndeshjen e tyre. Harry Kane hapi festivalin e golave në minutën e 18-të, ndërsa Guerreiro në minutën e 33-të dhe Olise në minutën e 38-të, i dhanë avantazhin e trefishtë vendasve.

Pjesa e dytë nisi me dy gola të shpejtë të kroatëve, por kjo zgjati pak, pasi Bayern, shënoi edhe gjashtë herë të tjera. Kane ishte i papërmbajtshëm, duke shënuar tre herë të tjera, ndërsa golin e gjetën edhe Olise, Sane dhe Goretzka.

Real Madrid mposhti me vështirësi skuadrën e Stuttgart, me rezultatin 3-1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ishte spektakolare.

Mbappe zhbllokoi sfidën në minutën e 46-të, para se Undav të barazonte në minutën e 68-të. Golin e avantazhit për madrilenët e shënoi Rudiger në minutën e 83-të. Endrick vulosi fitoren e spanjollëve me një gol në minutën e 94-t.

Në sfidat e tjera, Liverpool mposhti 3-1 Milanin, ndërsa Sporting Lisbona triumfoi 2-0 ndaj Lille. /tvklan.al