Roma ka shkarkuar trajnerin Daniele De Rossi nga detyra e tij si trajner. Në njoftimin zyrtar, klubi verdhekuq informoi se e kishte marrë vendimin në interes të skuadrës, në mënyrë që të mund të rifillojë me shpejtësi rrugën e dëshiruar, në një kohë kur sezoni është ende në nisje.

Klubi ka falenderuar De Rosin për punën e bërë. Pronarët e klubit verdhekuq kanë befasuar me vendimin, ndërsa të hënën mbërritën në kryeqytetin italian, për të kuptuar se çfarë po ndodhte në fillimin e sezonit ku klubi kishte grumbulluar vetëm 3 pikë në 4 ndeshje, pa asnjë fitore të arritur.

Mediat në Itali raportojnë për një takim mes palëve dhe debate të ashpra, që sollën edhe shkarkimin e teknikut. De Rossi u ul në stolin e Romës më 16 Janar, pas shkarkimit të José Mourinho.

Pak muaj më vonë për të mbërriti edhe rinovimi i kontratës deri më 30 Qershor 2027.

Nga 16 Janari deri më 18 Shtator në stolin e verdhekuqve, ai drejtoi 30 ndeshje, ku mori 14 fitore, 9 barazime dhe 7 humbje. Por për Romën erdhi vetëm një sukses në 11 sfidat e fundit, në ndeshjet në Serie A dhe Europë.

Fitorja e fundit për De Rosin ishte kundër Xhenoas më 19 Maj 2024. Drejtuesit kanë nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e 41-vjeçarit. Sipas gazzettadellosport, pëlqehet Stefano Pioli për të cilin ka një ofertë prej sheiku nga AL-Nasr i CR7-ës.

Ish-tekniku i Milanit ishte shumë afër transferimit, por ende nuk ka zyrtarizim. Një ofertë nga verdhekuqtë mund ta bindë atë që të qëndrojë në Serie A, pasi tekniku mund të heqë dorë nga milionat sauditë nëse i paraqitet një projekt ambicioz.

Klan News