Në ditëlindjen e tij, Presidentja Vjosa Osmani kujton Ibrahim Rugovën


Në ditëlindjen e tij, Presidentja Vjosa Osmani kujton Ibrahim Rugovën

13:11 02/12/2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar në ditëlindjen e tij Presidentin e parë të vendit, Ibrahim Rugovën. Teksa ka përshkruar rëndësinë e figurës së tij, Presidentja Osmani e ka quajtur udhëheqjen e Rugovës një “shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë”.

“Sot shënojmë 2 Dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre.

Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë”, shkruan Osmani.

Rugova humbi betejën me kancerin në mushkëri dhe ndërroi jetë në vitin 2006 gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Ai u varros me nderime madhështore në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë./tvklan.al









Të ngjashme