Policia ka arrestuar 3 persona, anëtarë të një grupi të trafikut të drogës në Francë. Me vendim të Gjykatës së Posaçme ata janë lënë në qeli. Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar: 15 automjete, 34.270 euro cash, 1000 franga zviceriane, 180.000 lekë të reja dhe  9 aparate celularë.

Në total janë proceduar 17 anëtarë të organizatës, mes tyre dhe shqiptarë, që vepronin në zonën e Savojës. Sipas mediave franceze, grupi drejtohej nga disa persona nga Vlora, në lidhje farefisnore. Kreu i tij jetonte në Lion dhe organizonte së bashku me disa shqiptarë të tjerë, trafikun nga portet e Holandës dhe Belgjikës dhe më pas droga shpërndahej në zonën e Savojës.

SPAK njofton se sasia e drogës së sekuestruar e këtij grupi kap vlerën e 1 milion eurove.

Në operacionin e autoriteteve franceze, zhvilluar muaj më parë, u sekuestruan heroinë e kokainë me vlerë 500 mijë euro si dhe u bllokuan 400 mijë euro kesh, llogari bankare dhe disa automjete luksoze.

Sipas mediave, kjo bandë zotëronte një arsenal të rëndë armësh zjarri dhe dyshohet se ka qenë e përfshirë në një atentat ndaj një rivali në Shqipëri. Po ashtu ata akuzohen edhe për një grabitje të armatosur të një ngarkese me 395 kg marijuana, ngjarje që ka ndodhur në shkurt, në Bruksel.

Klan News