Ndonëse në parim shprehen “pro” votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të 2025, maxhoranca dhe opozita dolën pa një dakordësi nga takimi me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili erdhi në tryezën e grupit të dialogut për reformën zgjedhore me një formulë kompromisi. Sipas propozimit të bërë nga Ilirjan Celibashi regjistrimi dhe votimi i emigrantëve me apo pa leje qëndrimi në vendet ku ata jetojnë të bëhet përmes një platforme që menaxhohet nga KQZ-ja, duke anashkaluar portalin e-Albania.

“Kishte 2 komponent, lidhej me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë nëpërmjet një portal të posaçëm që administrohet nga KQZ dhe komponenti i dytë ishte mënyra e votimit dhe dërgimit të fletës së votimit të bëhet nga ky aplikacion”, tha Celibashi.

Por ky propozim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk e ka bindur aspak socialistin Damian Gjiknuri.

“Nëse fusim elementin e votës në distancë përmes sistemit elektronik ta bëjmë për të gjithë, jo të ketë diskriminim. Varianti më i ndjeshëm dhe potencial mbetet varianti klasik i votimit me postë”, tha Gjiknuri.

Demokratët këmbëngulin që fletët e votimit të vijnë përmes një poste ndërkombëtare dhe nëse zgjidhet votimi elektronik, procesi të mos bëhet përmes e-Albania.

“S’duhet të jetë Posta Shqiptare, nëse me portal, jo portal qeverie”, tha Bylykbashi.

Maxhoranca dhe opozita i kanë lënë afat vetes që deri më 1 korrik të kenë gati dokumentin e dakordësuar për ta votuar më pas projektligjin në parlament.

Tv Klan