Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u diskutua në lidhje me martesat të së njëjtit seks. Debati zhvillohet pas martesës së dy vajzave në një ceremoni fetare në tarracën e Bashkisë së Tiranës. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” ishte aktivisti Altin Hazizaj, i cili tha se feja po “përfiton politikisht në kurriz të komunitetit LGBT”. Hazizajt i ka bërë përshtypje reagimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar në lidhje me këtë çështje duke theksuar në studio se ndjen rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm nga kjo deklaratë e tyre. Sipas tij, islami politik edhe sot e kësaj dite i shpie njerëzit në vrasje masive duke bërë krahasime me Sirinë, Afganistanin dhe talebanët. Madje sipas tij edhe feja katolike e ortodokse duhet të distancohen nga “ekstremizmi i dhunshëm fetar”.

Altin Hazizaj: Për herë të parë po lexoj që islami politik, që do të thotë ai që ka nxitur terrorizmin anembanë botës se ai është islami politik. Islami që edhe sot e kësaj dite i shpie njerëzit në vrasje masive. E ke kudo, shiko Sirinë, shiko Afganistanin. Islam politik është ai. Çfarë janë talebanët? A janë myslimanë talebanët?

Blendi Fevziu: KMSH në Shqipëri është i nderuar, është komform gjithë ligjeve dhe rregullave.

Altin Hazizaj: Nuk po paragjykoj. Unë po them, të ta lexoj: “Ne këshillojmë dhe i bëjmë thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtim të kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë”. Ku e di Myftinia e Tiranës se çfarë mendojnë taksapaguesit shqiptarë? Taksapaguesit shqiptarë nuk janë një unison i tërë. Që do të thotë për herë të parë në Shqipëri ndjej rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm. Ky është ekstremizëm i dhunshëm. Dhe çuditem si autoritetet përgjegjëse në Shqipëri nuk kanë reaguar. Pa diskutim kjo është axhendë fetare. Kjo çfarë bën i thotë të gjithë partive politike në Shqipëri, kujdes dhe e kanë vendosur qartë fjalën “të jenë të kujdesshëm” dhe nuk e kanë përdorur kot edhe “votuesit” edhe “taksapaguesit”. Ky është diskurs politik. Unë si Altin nëse ka një reagim që e shikoj të rrezikshëm, që i shtyn njerëzit tashmë drejt ekstremizmit është ky reagim. Kjo kërkon padiskutim përfshirjen e autoriteteve politike. Shqipëria ka patur 200 luftëtarë në Siri. Ai është islami politik, dërgon fëmijën, e rrëmben gruan dhe fëmijën dhe e dërgon aty që të luftojë. Ky është islami politik për mua. Feja katolike dhe ortodokse duhet të jenë të kujdesshëm se me kë mund të bashkohen. Ky është ekstremizëm i dhunshëm fetar që fton partitë politike.

Deklaratat e fundit të Hazizajt që i bënte thirrje edhe feve të tjera sollën reagimin e Blendi Fevziut.

“Jo këtu nuk mund të fusësh sherr mes komuniteteve fetare. Ka një problem. Në brigadat e ISIS ka pasur më shumë britanikë dhe amerikanë sesa shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se Britania dhe Amerika kanë islamizëm radikal”, tha ai.

Deklaratat e Hazizajt që e konsideronin reagimin e komunitetin mysliman si “axhendë politike” bëri që gazetari Fevziu të kërkonte një reagim edhe të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Për këtë çështje foli Mytiu i Tiranës, Gazment Teqja. Akuzat e Hazizajt, Teqja i hodhi poshtë duke u shprehur se pas martesës së dy vajzave “nuk duhet viktimizuar dikush duke akuzuar të tjerët se po ndjekin islam politik”.

“I qëndrojmë asaj deklarate që e kemi thënë dhe e kemi publikuar. Mendoj se kam përcjellë aty realitetin që jetojmë në Shqipëri dhe asgjë tjetër përveç kësaj. Se çfarë lidhje ka islami politik që thotë zoti Hazizaj me mbrojtjen e familjes, kjo nuk asnjë lloj lidhje. Unë kam 22 vjet që ushtroj aktivitetin fetar. E kam nisur si imam xhamie, predikues dhe kam rreth 22 vjet që predikoj. Edhe ne i kemi qëndruar edhe atyre sfidave të tjera që thotë zoti Hazizaj dhe kemi qenë kundër gjithmonë, jemi prononcuar edhe haptas edhe në publik, edhe në ligjërata brenda komunitetit tonë, qëndrimet tona dihen. Është gabim të përzihej kjo gjë në një moment të tillë, që një pjesë ose pjesa më e madhe nuk ndihen mirë nga ajo që ka ndodhur dhe tani të viktimizohet dikush duke akuzuar të tjerët se po ndjek islam politik që nuk ka lidhje domethënë. Komunitetet fetare në Shqipëri kanë qenë në harmoni dhe do vazhdojnë të jenë. Nuk besoj se çështje të tilla që ne i kemi të qarta në fe, mund të na ndajnë ne në këtë moment”, u shpreh Teqja./tvklan.al