Socialdemokratet, bisedime me te gjelbërit dhe liberaldemokratët

Negociatat për formimin e koalicionit të ri qeverisës në Gjermani hyjnë në një fazë vendimtare këtë të Enjte. Pasi u renditën në krye në zgjedhjet e 26 Shtatorit, socialdemokratët tentojnë të parët të ulen në bisedime për një marrëveshje bashkëqeverisjeje trepalëshme, me të gjelbërit dhe liberaldemokratët për të ashtuquajturin koalicion me ngjyrat e semaforit.

Mes socialdemokratëve ka optimizëm se qeveria e re do të jetë mes tre partive, që së bashku arrijnë 368 votat e nevojshme parlamentare për ta miratuar. Përputhshmëri më të madhe ka mes programit të socialdemokratëve dhe të gjelbërve, sidomos për rritjen e taksimit të të pasurve dhe për kalimin tek energjia që është në përputhje me standardet për mbrojtjen e mjedisit. Këto pika krijojnë kontrast me programin e liberaldemokratëve, të cilët kërkojnë krijimin e lehtësirave për biznesin.

Më herët gjatë kësaj jave, të gjelbërit dhe liberaldemokratët përmbyllën pozitivisht negociatat dypalëshe, për një bashkëpunim të mundshëm në qeverinë e re. Nëse nuk bien dakord me socialdemokratët, një tjetër mundësi është nisja e bisedimeve me kristiandemokratët. Analistët nuk përjashtojnë edhe një qeveri të mundshme mes socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve.

Tv Klan