Në Selanik nisi puna për ndërtimin e gazsjellësit TAP, që do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në drejtim të Europës.

Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të qeverive nga vendet ku do të kalojë tubacioni i gazit me gjatësi 878 km.

Zv/Kryeministri Niko Peleshi e quajti TAP një projekt madhor për të ardhmen e gjithë Europës dhe rajonit, ku ai do të shtrihet.

“Integrimi rajonal përmes korridoreve rrugore, gazsjellësve, si dhe zgjerimi në sektorin e prodhimit mbetet në krye të axhendës sonë të përbashkët. Ajo që ne besojmë është se rritja e bashkëpunimit ekonomik në rajonin tonë është themeli për zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqe”.

Projekti TAP në Shqipëri do të ketë një gjatësi rreth 215 km, duke filluar nga Bilishti në qarkun Korçë, në kufirin me Greqinë dhe do të përfundojë rreth 17 km në perëndim të Fierit.

Shtrimi i tubave në Shqipëri pritet të nisë në fund të muajit Korrik të këtij viti.

Tv Klan