Deputeti Flamur Noka ka qenë i pranishëm në protestën e banorëve të “5 Majit” para Kuvendit. Noka u shpreh se në projektin e “5 Majit”, por edhe në Laprakë, ka një bashkëpunim mes Edi Ramës, Erion Veliaj dhe Lulzim Bashës.

Ndër të tjera, Noka tha se qytetarët që protestojnë kërkojnë vetëm që të trajtohen denjësisht. “Të paktën gjysmën e trajtimit që Rama iu bëri afganëve të Soros”, tha Noka.

“Pas kaq kohësh prishje, pas kaq kohësh duke nxjerrë banorë dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe duke i lënë në mëshirë ta fatit, këta qytetarë nuk kanë kërkuar asgjë më shumë veçse duan që të trajtohen sipas ligjeve në fuqi, duan të mos nëpërkëmbën, duan të mos hidhen në rrugë dhe të trajtohen si qen, por të trajtohen si qenie njerëzore të denja të këtij vendi. Të paktën gjysmën e trajtimit që Rama iu bëri afganëve të Soros. Kaq kërkojnë qytetarët që janë pa strehë pa shtëpi në këtë dimër të acartë. Ajo që është më e rëndë në këtë panoramë dhe që vetë banorët e rrugës “5 Maj” dhe Laprakës, po ju bëj me dije ju është fakti, se në të gjitha këto projekte, tashmë po del hapur në dritën e diellit se ka një bashkërendim dhe bashkëpunim mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe “Lulzim Bravës”. Kishte dilema kur u mbyll çështja e unazës. Koha vërtetoi që për kokën e Klevis Balliut u lëvizën para pa fund që të mos ishte deputet. Ajo çështje u tradhtua dhe u braktis. Ka pasur shumë pikëpyetje dhe akuza që pas kësaj tradhtie ishte Brava me pazaret e tij. Tashmë me masakrën që po bëhet në 5 Maj dhe në Laprakë është çdo gjë evidente. Rama dhe Veliaj, prishin dhe shkatërrojnë sepse pazari është që pas kësaj historie është Lul Brava me Kapllanat apo Alibeajt e tij të cilët përfitojnë nga këto projekte”, tha Noka./tvklan.al