Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mundur të çelin negociatat me BE-në edhe kësaj radhe për shkak të vetos së Bullgarisë.

Në një konferencë shtypi së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe Presidentin serb Vuçiç, nga Brukseli pas mbledhjes së samitit të Këshillit Europian në ditën e parë, Rama tha se është i zhgënjyer me Bashkimin Europian.

Kryeministri deklaroi se arsyeja e mos hapjes së negociatave nuk është vetëm Bullgaria, por sipas tij, në Bashkimin Europian ekziston një frymë e deformuar kundër zgjerimit të unionit.

“Më vjen keq për ta dhe shpresoj që mund t’i ndihmojmë. U përpoqa që të them disa gjëra në takim dhe do ndaj me ju disa prej tyre. Charles Michel na tha që kishim 3 minuta. Unë i thashë mund të kishte qenë edhe 30 sekonda, por ata nuk mbajtën fjalën, kështu që 3 minuta nuk ishin mjaftueshëm. U thashë që ndihesha mirë dhe keq që të isha me ta. Ndihesha mirë sepse jemi europianë, por ndihesh keq sepse ende ne nuk mund të jemi këtu si europianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Është vërtetë diçka shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemie, një sulm tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjike globale nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Çfarë të bëjmë? Kemi shumë për të bërë dhe nga njëra anë unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë për të mbështettur idenë e Presidentit francez. Ne do të vazhdojmë me shpresën që shekullin tjetër do jemi anëtarë, ne do ta vlerësonim shumë nëse ky komunitet i ri politik i Europës ngrihet për të qenë bashkë në një shtëpi të përbashkët.

Së dyti, tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut. Ishte Maqedonia një herë e një kohë dhe më pas 17 vjet më pas është ende në pritje si kandidate për çeljen e bisedimeve. Ndryshoi madje edhe emrin. Imagjino Francën të ndryshojë emrin. Ndërkohë që Shqipëria është në pritje prej 8 vitesh tashmë. M’u desh të fitoja mandat të 3 që të prisja për çeljen e negociatave për anëtarësim. Arsyeja nuk është thjesht Bullgaria. Bullgaria është fatkeqësi. Por është fryma e deformuar e zgjerimit, një frymë tërësisht e deformuar dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Ka kaluar nga vizioni i përbashkët tek marrja peng nga shtetet individuale.

Kjo çështja e Bullgarisë është një turp. Një vend i NATO që merr peng dy vende të tjera të NATO.

Nuk do të presim godonë. Më vinte kaq keq për ca njerëz optimistë dje. Nuk erdha këtu me idenë që do ndodhte diçka.

Kam kërkuar mbështetje të plotë për Ballkanin e Hapur. Ne nuk do të heqim dorë, do të vazhdojmë, dhe një ditë dhe ne do të bëhemi anëtarë të mirë të BE-së”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë sot në mbledhje me liderët e vendeve të Bashkimit Europian.

Rama: Qytetarët e Kosovës janë marrë peng dhe nuk lejohet të lëvizin, edhe gjatë diktaturës jugosllave mund të udhëtonin

Nga Brukseli në përfundim të mbledhjes së samitit të BE-së në ditën e parë të punimeve, Kryeministri Edi Rama kërkoi nga vendet e BE-së që të heqin vizat ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në konferencën për shtyp, Kryeministri i Shqipërisë tha se Kosova po mbahet peng duke mos lejuar qytetarët që të lëvizin lirisht.

Ndërkohë që, theksoi Rama, gjatë diktaturës jugosllave shqiptarët e Kosovës kishin mundësi të udhëtonin.

“Ka një tjetër pengmarrje në proces që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës që nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë. Është e vetmja popullatë që nuk lëviz lirisht. Ishin nën diktaturën jugosllave dhe mund të udhëtonin. Por qysh kur u liruan, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng. Ata nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri. Kjo duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht”.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian.

Së dyti, Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe. Serbia është një realitet ndryshe. U përpoqa t’ju shpjegoj se flasim për një vend ku popullariteti i Putin është 80% dhe një vend ku opinioni publik nuk është kaq i bindur të vrapojë drejt Brukselit. Por është një vend jashtë çdo pritshmërie. Tre herë janë harmonizuar me BE-në dhe Perëndimin kundër Rusisë duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga Komuniteti i të Drejtave të Njeriut. Nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksione. Serbia thjesht nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë kaq shpejt”, deklaroi Rama.

/tvklan.al