Queer film marathon Albania” starton këtë të hënë, ai nuk është thjesht një festival filmi, por një shfaqje guximi. Për të folur për këtë festival dhe mesazhet e rëndësishme që ai përcjell për të drejtat e njeriut, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Vladimir Luxuria dhe Arbër Kodra.

Të dy janë aktivistë të të drejtave të njeriut në mbështetje të komunitetit LGBTQI. Vladimir Luxuria është aktore, shkrimtare dhe po ashtu ka qenë deputetja e parë transgjinore e Parlamentit Evropian . Kjo për të është hera e parë që vjen në Tiranë për organizimin e maratonës së filmit i cili do japë mesazhe shumë të rëndësishme për të drejtat e njeriut.

Edhe pse tani është e suksesshme dhe një figurë shumë e dashur për shumë njerëz, Vladimir, tregon se jeta e saj nuk ka qenë e lehtë, ajo madje rrëfen se ka pasur mendime të këqija për jetën duke menduar se njerëz si ajo nuk kanë vend në këtë botë. E ftuar për herë të parë në një televizion shqiptar transgjinorja rrëfeu se si është ndier kur ajo në fillim ka pranuar veten e saj. Bullizimi dhe dhuna që ajo ka provuar nuk kanë qenë aspak të lehta.

Rudina Magjistari: Vladi si është historia juaj. Mund të dimë pak, kushedi sa herë e keni rrëfyer por për të ditur momentet kryesore. Kur ju e kuptuat që ju ishit brenda një trupi që nuk ishit komod dhe të zgjidhnit të ishit ajo që ju vërtet ndieni në jetë.

Vladimir Luxuria: Unë mendoj se është gjithmonë është e rëndësishme të flasësh për këtë. Njerëzit duhet  ta kuptojnë se nuk është një tekë, nuk është një devijancë, nuk është një sëmundje, është thelbi ynë. Njerëzit që kanë lindur femra dhe ndihen  gra, dhe njerëzit që kanë  lindur meshkuj ndihen burra janë pjesa më e madhe në botë, por ka edhe njerëz nga unë. Unë isha djali i parë në familje. Të gjithë prisnin diçka nga unë, por nuk  jam ndier kurrë mashkull në jetën time. Kur isha i vogël më pëlqente të luaja me kukulla, më bezdisnin kur flisnin për ndeshjet e futbollit, por vdisja për thashethemet. Më pëlqente bota feminile, por ky ishte një mendim që duhet ta hiqja nga koka. Po të tregoja pjesën time femërore njerëzit do reagonin keq dhe reaguan keq. Unë kam tentuar ta mbaj të mbyllur këtë pjesën time femërore. Ishte tamam si një princeshë e mbyllur në një kështjellë që askush nuk po vinte ta shpëtonte dhe duhet të isha unë që duhet ta liroja.  Kur unë tregova feminilitetin tim filluan problemet. Filloi bullizmi, filluan të më godisnin, filluan të më pështynin. Jam përzënë nga kisha. Ka patur një moment kur kam menduar se njerëz si unë nuk kanë të ardhmen, nuk mund të kenë dashuri. Kam pasur edhe mendime të këqija, sepse askush nuk më mbështeste, prindërit, kisha, shkolla, ndihesha totalisht vetëm. Për fat të mirë unë rezistova. Jeta më ka shpërblyer me këtë zgjedhje për të jetuar, sepse unë e ndiej dashurinë e shumë njerëzve, prindërit kanë filluar të më duan për atë që jam. Sot mendoj se shumë njerëz që më kishin trajtuar keq, më kanë kërkuar falje. Unë ju them që në jetën time kam luftuar shumë për t’u ndier i barabartë me të tjerët. Unë nuk dua të ndihem superiore. Unë kam qenë deputete, jam e famshme, shkrimtare, por kurrë nuk jam joshur nga superioriteti./tvklan.al