obama-iranitPresidenti amerikan Barak Obama kërkon ndihmën e një armiku të përbetuar për të luftuar Shtetin Islamik.

Bëhet fjalë për liderin suprem të Iranit, Ajatollahun Ali Kamenei, të cilit sipas Wall Street Journal i ka dërguar një letër sekrete.

E përditshmja amerikane shkruan se Obama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Teheranit, në atë që e quan një interes të përbashkët të dy vendeve, luftën kundër xhihadistëve, por edhe për programin bërthamor iranian.

Letra është dërguar muajin e kaluar.

Limiti i nënshkrimit të një marrëveshjeje është 24 nëntori.

Një zyrtar i lartë i Kongresit amerikan tha për Fox News se ekzistenca e një letre të tillë nuk mund të vërtetohet.

Por sipas tij nuk është e pazakontë, pasi Obama i ka dërguar edhe më parë letra udhëheqësit suprem iranian për programin bërthamor.

Për të tjerë kongresistë, nëse ekziston, letra do të shkaktojë probleme serioze me aleatët sunitë në rajon, që janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik.

Ata thonë se Obama duhej të paktën të kishte informuar Kongresin për një hap të tillë.

Sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë Xhosh Ërnest tha se nuk ishte i autorizuar të jepte detaje për korrespondencat e Presidentit me udhëheqësit botërorë.

Ai ripërsëriti se qëndrimi amerikan ishte të mos bashkëpunonte ushtarakisht me Iranin.

Megjithatë autoritetet iraniane janë shprehur më herët, të gatshme të japin kontributin e tyre, në luftën kundër xhihadistëve Suni, të cilët mbajnë nën kontroll zona të gjera Irak e Siri, duke përmes dhunës dhe brutalitetit të ushtruar kundër Shiitëve, Kurdëve e të Krishterëve.

Tv Klan