Obama: Trump, mungesë lidershipi gjatë pandemisë



Obama: Trump, mungesë lidershipi gjatë pandemisë

16:08 17/05/2020

Ish-presidenti bën akuza të forta ndaj pasardhësit

Teksa fushata për zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit në Shtetet e Bashkuara po afrohet, po ashpërsohen tensionet politike mes demokratëve dhe republikanëve.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama duket se tashmë është bërë pjesë aktive e fushatës në mbështetje të ish-zëvendësit të tij Joe Biden, kandidati më i mundshëm për President nga radhët e demokratëve. Për të dytën here, Barack Obama lëshoi një mesazh plot akuza për keqmenaxhim të krizës së COVID-19 ndaj shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili synon një mandat të dytë nën siglën e republikanëve.

 “Më shumë se çdo gjë, pandemia grisi krejtësisht perden e idesë se në krye janë kaq shumë njerëz që e dinë mirë se ç’bëjnë. Shumë prej tyre, as që ia kanë idenë që kanë përgjegjësi. Që bota të shkojë më mirë, kjo varet nga ju”.

Në fjalimin e pak ditëve më parë, ish-presidenti Obama tha se mënyra e menaxhimit të pandemisë nga administrata Trump ishte “katastrofë absolute kaotike”.

Përmes një serie postimesh në Twitter, Presidenti Trump e ka akuzuar Obamën se ka shpërdoruar pushtetin, duke e përdorur FBI-në për interesa të ngushta, për të penguar ardhjen e tij në pushtet dhe për të minuar punën e administratës republikane.

Trump tha se Obama dhe njerëzit e tij në FBI shpikën ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 2016-ës, ndërsa kërkoi hetim për këto shpërdorime të cilat i konsideroi si “Obamagate” por që Kongresi deri tani nuk i ka marrë parasysh. 

Tv Klan



Të ngjashme