NigeriOrganizata Botërore e Shëndetësisë e ka nxjerrë zyrtarisht Nigerinë nga harta e përhapjes së virusit Ebola.

Sipas Organizatës, që nga 5 shtatori, në këtë shtet nuk është regjistruar asnjë rast i ri me infeksion.

Ky është një lajm shpresëdhënës në luftën kundër virusit, pasi 3 ditë më parë edhe Senegali u përjashtua nga lista e vendeve ku po përhapej Ebola.

Ndërkohë që situata vijon të mbetet alarmante në Liberi, Sierra Leone dhe Guine.

Për këtë arsye, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po diskutojnë për dërgimin e një misioni civil në Afrikën Perëndimore, si dhe akordimin e një ndihme prej më shumë se 500 milionë eurosh.

Edhe nga Spanja ndërkaq ka lajme pozitive.

Mjekët në Madrid deklaruan se infermierja 44-vjeçare Teresa Romero, nuk është më e infektuar nga Ebola.

Ndërsa në Teksas të Shteteve të Bashkuara, gjendja shëndetësore e dy infermjereve vijon të jetë e rëndë.

Tv Klan