Përhapja e shpejtë e një varianti të ri të lisë së majmunit në Afrikë po shqetëson Organizatën Botërore të Shëndetësisë. OBSH e shpalli këtë sëmundje virale si emergjencë shëndetësore publike që përbën shqetësim ndërkombëtar.

Lia e majmunit u konstatua fillimisht në Republikën Demokratike të Kongos, ku me përhapjen e shpejtë ka shkaktuar deri më tani vdekjen e 450 të infektuarve nga 13 700 raste. Ato po përhapen me ritme të shpejta edhe në vende të tjera në qendër dhe lindje të Afrikës si, Ruanda, Kenia, Burundi dhe Republikën e Afrikës Qëndrore.

Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e shpalli variantin e ri “Emergjencë publike shëndetësore” në gjithë kontinentin. Sipas ekspertëve të OBSH-së, varianti i ri është shumë ngjitës. Përhapet përmes kontakteve të lëkurës, marrëdhënieve seksuale apo edhe përmes frymëmarrjes pranë një të sëmuri.

Vdekshmëria deri më tani, rezulton në 4%. Simptomat të cilat mund të rezultojnë fatale, janë të ngjashme me ato të gripit, ku shtohen edhe flluskat në lëkurë që krijojnë edhe plagë. Në 2022-shin një variant më i butë i lisë së majmunit u përhap në 100 vende, përfshirë Europën dhe Azinë, duke shkaktuar 140 viktima dhe 87 mijë infketime.

Tv Klan