OKB: S’ka lehtësim të kushteve për bizneset


OKB: S’ka lehtësim të kushteve për bizneset

21:40 22/07/2021

“Procedurat dhe formalitetet, vështirësojnë tregtinë e Shqipërisë me jashtë”

Anketa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e lehtësimit të kushteve të biznesit tregon se Shqipëria nuk bëri asnjë përmirësim në dy vitet e fundit.

Thuajse në të gjithë treguesit Shqipëria qëndron poshtë mesatares së vendeve që janë pjesë e Komisionit Europian  dhe Europës Juglindore.

Sipas anketimit të OKB, problemi qëndron në mosnjohjen e realitetit dhe në mungesën e metodologjisë për gjetjen e zgjedhjeve dhe instrumenteve që favorizojnë eksportet.

Vendi ynë për vitin 2021 shënoi një nivel prej 52,69%, nga 100% pikë që është maksimalja për vlerësimin e  lehtësimit të tregtisë.

Megjithatë OKB thekson se është vlerësuar pozitivisht transparenca, marrëveshjet dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Ndërsa negativisht, vlerësohen formalitetet në procedura dhe dokumentacioni ndërkufitar që është barriera kryesore që Shqipëria të bëjë tregti ndërkufitare, brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është njëkohësisht edhe pengesa më e madhe për rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Anketa e Kombeve të Bashkuara vlerësoi se progresi më i lartë në lehtësimin e kushteve të tregtisë në 143 vende të botës, është bërë në Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut.

Klan News







Të ngjashme