Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane kanë finalizuar me sukses mbrëmjen e kësaj të shtune një operacion antidrogë, duke kapur një gomone me marijuanë, në bordin e së cilës ndodheshin 3 shqiptarë.

“Pas një hetimi të gjatë dhe informacionesh operative të marra dhe shkëmbyer midis Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, falë koordinimit të veprimeve mes dy policive rreth orës 20.00 u finalizua operacioni antidrogë i përbashkët ku u ndalua dhe u sekuestrua një gomone në zonën e Salentos, mes San Cataldo dhe Sant’Andrea (Provincia di Lecce)”,

sqaron policia në një njoftim të sajin.

Avioni i Guardia di Finanza është vënë në ndjekie të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut dhe në bordin e saj janë ndaluar tre shqiptarë.

Sipas policisë, gomonia rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo ishte e ngarkuar me marijuanë. Sasia e lëndës narkotike ende nuk dihet pasi nuk është peshuar akoma. Policia shqiptare thotë se për shkak të sekretit të hetimit me palën italiane, nuk mund të japë detaje të mëtejshme.

/tvklan.al