#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Marrëveshja e fundit e Partisë Demokratike me mazhorancën Socialiste, ka rikthyer stabilitetin në Parlament. Javën e fundit kemi diskutuar për një draft i cili ende nuk ishte bërë konkret. Ndërkohë, këtë të mërkurë kemi të ftuar Gazment Bardhin, nënkryetarin e Partisë Demokratike, për të diskutuar konkretisht: si ka qenë kjo marrëveshje, cilat janë parimet në bazë të saj, çfarë ka pasur në pjesën pak më të panjohur dhe çfarë avantazhi ka fituar Partia Demokratike.

“Unë e di se kush e kurdis Lulzim Bashën”, Gazment Bardhi flet me emra konkret

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje Lulzim Bashës dhe deputetëve që e mbështesin, që të bashkëpunojnë për Reformën Zgjedhore.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan për të folur për dakordësinë mes PS dhe PD për komisionet hetimore, Bardhi i bëri ftesë sërish Bashës për reformën zgjedhore për të pasur gjithëpërfshirje.

Ndër të tjera, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj Lulzim Bashës se po përdoret nga mazhoranca, madje përmendi edhe emra.

Gazment Bardhi: Ne do merremi vetë me Ramën, siç ju e keni vënë re Basha është kurdisur kundër opozitës. Unë e di dhe se kush e kurdis.

Blendi Fevziu: Kush e kurdis?

Gazment Bardhi: E kurdis Taulant Balla. E kurdis sa herë ka nevojë për zhvendosur vëmendjen e betejës mes opozitës dhe mazhorzncës. Në vend që të mbajë zotimin se ka bërë një zotim publik që të ulim armët dhe të punojmë të gjithë bashkë dhe të kemi një koncept të përbashkët me Reformën Zgjedhore. Tani që grupi parlamentar thotë po zotëri je i ftuar që të marrësh përgjegjësi. Dëshiron të mos jetë përballë Edi Ramës, por krah Edi Ramës.

“Vëllai i kryeministrit i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë”/ Bardhi plas “bombën”, Fevziu e fton në emision javën tjetër

“Vëllai i kryeministrit Edi Rama ka qenë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë”, ka qenë kjo deklarata e bërë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Bardhi ka thënë se denoncimin e tij e ka të mbështetur në prova dhe në fakte dhe për këtë arsye, drejtuesi i “Opinion”, Blendi Fevziu i ka bërë ftesë kreut të grupit të PD-së për të qenë pjesë e panelit të të ftuarve në emision javën tjetër për të folur për këtë çështje.

Blendi Fevziu: Këtu në studio keni deklaruar, edhe pse zhvillimet herë pas here nuk na kanë lejuar që të kthehemi, keni deklaruar që keni një material të madh, një zbulim të rëndësishëm që lidhet me një komision hetimor që nuk ju lejohej nga mazhoranca. A mund të më thoni për çfarë bëhet fjalë?

Gazment Bardhi: Së pari, komisioni bëhej fjalë për atë TIMS, se për çfarë bëhet fjalë ju kam vënë në dispozicion materialet.

Blendi Fevziu: Jam gati ta bëj emisionin për këtë, por kanë ndodhur zhvillime që jemi detyruar të merremi me rendin e ditës. Përse bëhet fjalë? Kush akuzohet me këtë?

Gazment Bardhi: Bëhet fjalë për një aferë ku është i përfshirë i vëllai i kryeministrit.

Blendi Fevziu: Në çfarë pozite?

Gazment Bardhi: Ka qenë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë.

Blendi Fevziu: Po në çfarë roli?

Gazment Bardhi: Pastaj e dogjëm denoncimin. A do të më ftosh javën tjetër?

Blendi Fevziu: Po, të ftoj javën tjetër. A e keni hamendje, e keni analizë, apo e keni të mbështetur në fakte?

Gazment Bardhi: E kam analizë të mbështetur në dokumenta. Jam i gatshëm, nesër, të hënën, të martën, kur ju të dëshironi…

Blendi Fevziu: Jeni i sigurtë që janë fakte?

Gazment Bardhi: Po, janë fakte.

Blendi Fevziu: Javën tjetër unë po ju ftoj për këtë çështje.

“Deputetët kanë muaj pa pagë”, Fevziu pyet drejtpërdrejt Bardhin: Me çfarë jetoni ju?

“Secili prej kolegëve ka muaj pa pagë dhe nuk ka qenë fare ky një shqetësim”, ka qenë kjo deklarata e bërë në emisionin “Opinion” në Tv Klan nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziun, i cili e ka pyetur Bardhin se me çfarë jetojnë nëse nuk jetojnë me rrogat që marrin si deputetë të Kuvendit.

Gazment Bardhi: Kemi shkuar me zgjidhje konkrete në Konferencën e Kryetarëve, kemi dakordësuar ato 3 zgjidhje për shqetësimet e opozitës dhe parlamenti është rikthyer në normalitet siç kishim premtuar publikisht për 5 muaj rresht në çdo dalje publike. Veprimtaria e Kuvendit do të vijojë normalisht punimet e saj, mazhoranca në punën e vet, opozita në punën e vet.

Blendi Fevziu: Për atë pjesën e zbehjes së aksionit opozitar, që ju tha Tela, kishte informacione që deputetët hynin fshehtazi në mbledhje online vetëm për të marrë rrogën.

Gazment Bardhi: Unë nuk e di këtë. Unë di që secili prej kolegëve ka muaj që është pa pagë dhe nuk ka qenë fare ky shqetësim. Unë kam 5 muaj që nuk jam në Kuvend, një seancë hyja dhe përjashtohesha 10 ditë apo 20 ditë, po nuk e kam parë si problem.

Blendi Fevziu: Duhet parë se me çfarë jetoni ju kur nuk jetoni me rroga?

Gazment Bardhi: Nuk e kam fare problem këtë lloj çështje. Ajo që kishte rëndësi ështe se ne rezistuam derisa të drejtat tona kushtetuese u përmbushën.

/tvklan.al