Opinion-Çfarë i kërkon Rama SPAK-ut për Metën e Berishën?




Opinion-Çfarë i kërkon Rama SPAK-ut për Metën e Berishën?

Autori: Blendi Fevziu

20:55 12/05/2022

Të ftuar: Taulant Balla, Baton Haxhiu, Julian Zyla, Mark Marku, Enton Abilekaj, Artan Hoxha.

Nëse Sali Berisha voton kandidatin tuaj do e shkarkoni Presidentin? Si përgjigjet Taulant Balla

Gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, rikonfirmoi qëndrimin e mazhorancës në lidhje me Sali Berishën, ku thotë se nuk do të njohin asnjë dokument që mban firmën e tij. Kjo për shkakun se Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA.

“Pra kudo që do të rezultojë e përfshirë firma e zotërisë, dokumenti nuk vlen”, tha ndër të tjera Balla. Ai iu përgjigj edhe pyetjes së Blendi Fevziut nëse do të shkarkojnë Presidentin nëse Berisha voton atë kandidat. Fillimisht ai u shpreh se votimi është i fshehtë dhe nëse Berisha e bën publike atëherë “është e pavlefshme vota”.

Taulant Balla: Ka një gjë që ta dini sot se mund të më bjerë të vij prapë në këtë studio. Ai nuk ekziston për mua.

Blendi Fevziu: Nuk ekziston për ty, por ekziston për të tjerët. Nuk e përcakton ti a ekziston njeriu.

Taulant Balla: Ia kam thënë sot atje e kisha përballë. Sa herë në këtë legjislaturë të vijë një propozim që mban firmën e Sali Berishës nuk hyn në Kuvend.

Blendi Fevziu: Për çdo gjë?

Taulant Balla: Për çdo gjë…

Blendi Fevziu: Po nëse Sali Berisha voton kandidatin tuaj për President do e shkarkoni presidentin?

Taulant Balla: Është votim i fshehtë, nuk e di…

Blendi Fevziu: Nëse e deklaron votën?

Taulant Balla: Është e pavlefshme vota. Për mua ai është i vdekur.

Blendi Fevziu: Kjo është deklaratë zyrtare?

Taulant Balla: Shumë zyrtare. Pra kudo që do të rezultojë e përfshirë firma e zotërisë, dokumenti nuk vlen. Fare. Për një “non grata” të shpallur nga SHBA që firmos një dokument të Kuvendi të Shqipërisë, nuk ka vlerë. Më 11 Korrik mund të më ftoni në darkë ku Kuvendi i Shqipërisë do të ketë organizuar siç i ka hije Kuvendit të Shqipërisë pa axhenda politike për protagonizma të askujt, seancën e posaçme përkujtimore për Srebrenicës. I gjithë ky diskutim që zhvillohet sot është turpi i atij.

Blendi Fevziu: Sali Berisha është “non grata” nuk pranoni asnjë shkresë të tij?

Taulant Balla: Asnjë letër!

Blendi Fevziu: Dodik është “non grata”, por është në krah të Kryeministrit të Shqipërisë!

Taulant Balla: Ka një gjë, letra është dokument zyrtar. Po ju them që Shqipëria nuk e zgjedh dot përfaqësuesin e një vendi tjetër, por brenda vetes e zgjedh me kë do bashkëpunojë.

Balla: Për Srebrenicën do të ketë seancë të posaçme me 11 Korrik. Jam plotësisht me rezolutën, por…

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” se çdo propozim apo rezolutë, që mban firmën e Sali Berishës do të rrëzohet. Taulant Balla tha se ky qëndrim nuk do të ndryshojë për 4 vite me radhë. Sa i përket genocidit të Srebrenicë, ai tha se Kuvendi do të mbajë një seancë të posaçme me 11 Korrik. Ndërsa për rezolutën që mbante firmën e ish-kryeministrit Berisha, Balla tha ishte plotësisht dakord me përmbajtjen, por firma e ish-kryeministrit bëri që ajo të mos votohej nga mazhoranca.

“Kuvendi i Shqipërisë edhe për këtë çështje do të ketë një seancë të posaçme, e kam deklaruar sot në Kuvend, më 11 Korrik për të mbajtur një qëndrim. Po e përsëris që sa herë që të vijë një kërkesë nga Saliu do rrëzohet. Për çdo gjë. Srebrenicën ne e kemi mbështetur vendimin e gjykatës, është shpallur gjenocid. Sali Berisha me këtë ritëm rezolutash që bën Tritani dhe i firmos Saliu… Saliu ka depozituar çdo javë nga një rezolutë.

Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë fare me thelbin, jam plotësisht dakord me rezolutën, po patjetër. Jemi dakord, por për t’i vrarë për së dyti nuk e pranojmë dot”.

Reagimet në mediat në Ballkan për rezolutën për Srebrenicën, Hoxha: Kuvendi la kokrrën e namit për inat të Berishës

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” është diskutuar në lidhje me debatet pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar një projekt-rezolutë për Srebrenicën, e iniciuar nga Sali Berisha. Analisti Artan Hoxha mendon duke parë edhe reagimin e mediave në Ballkan se për inat të Berishës, Kuvendi ka lënë sot “kokrrën e namit”.

“Duke parë reagimet e mediave në Ballkan, në Serbi, në Bosnje, në Kosovë, në Maqedoni, që e kanë përkthyer këtë historinë e sotme “parlamenti i Shqipërisë rrëzoi një rezolutë që dënon masakrën e Srebrenicës”. Ka gëzim në Serbi, hidhërim në Bosnje, natyrshëm. Për inat të Sali Berishës parlamenti i Shqipërisë sot ka lënë kokrrën e namit. Kjo është pasoja”, tha Hoxha.

Abilekaj irritohet me Zylën: Duro o b*thë turtull! Analisti: Jam i lumtur që shfaqe nivelin tënd të vërtetë

Edhe kjo e enjte nuk kaloi pa përplasje në studion e Opinion. Protagonistë kësaj here ishin analisti Julian Zyla dhe gazetari Enton Abilekaj. Ky i fundit u irritua kur Zyla ndërhynte teksa gazetari fliste…

Enton Abilekaj: Po duro ore ti se po flas me këtë. Ti je kryetari i ardhshëm, kryetari hije? Çfarë je ti? Duro të mbaroj me këtë njëherë!

Julian Zyla: Kundërshton ata që zgjedhin opozitën.

Enton Abilekaj: Duro more, duro!

Julian Zyla: Ti do të zgjedhësh opozitën tani?

Blendi Fevziu: Pse po ziheni me njëri-tjetrin tani? Dëgjojeni njëri-tjetrin!

Enton Abilekaj: Po nuk po të dëgjoj mo.

Julian Zyla: Pra unë duhet të flas me altoparlant.

Enton Abilekaj: Po nuk po të dëgjoj. Prit të mbaroj unë. Ti je zhurmuesi që i mban krahun këtij. Ndaj rolin ça roli mban. Thuaj të ka punësuar Taulanti për këtë gjë. Të paktën thuaj më ka mësuar Taulanti për këtë gjë. Të ndaj rolin, po që se është zhurmuesi i Taulantit ta dimë që këtë e ka Taulanti.

Julian Zyla: O Enton unë nuk po të vë epitete, po mos u nxeh.

Enton Abilekaj: Çfarë mos të nxehem.

Julian Zyla: Kur se mban dot çfarë të them unë.

Enton Abilekaj: Ti je b*thë turtulli je. Çfarë të mbaj unë.

Julian Zyla: Jam shumë i lumtur që ndihmova në shfaqjen e injorancës. Jam shumë i lumtur që kontribuova në shfaqjen e nivelit tënd të vërtetë.

Enton Abilekaj: B*tha e turtullit njihet biologjikisht për proceset që lëshon.

Hoxha: SPAK po heton një çështje ku janë përfshirë 2 ish-kryeministra dhe ministra, kam dorëzuar 2 kaseta

Gazetari Artan Hoxha ka bërë të ditur gjatë emisionit “Opinion” se SPAK ka në hetim disa çështje të rëndësishme. Hoxha u shpreh se personalisht i ka vënë SPAK në dispozicion dy kaseta dhe në këtë çështje janë përfshirë dy ish-kryeministra dhe ministra. Megjithatë, Hoxha nuk dha asnjë detaj tjetër në lidhje me këtë dosje.

“Dosje të tjera të cilat SPAK i ka nën hetim, në dijeninë time janë çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin. Çështjet me korrupsionin janë më të shumta në numër se ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Edhe pse çështjet që ka finalizuar SPAK deri më tani janë çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar më shumë. Mes këtyre janë dy çështje, të paktën i di se jam vetë i përfshirë në këtë histori. Këtu kam materialin që unë e kam dorëzuar vetë në SPAK, kasetat e filmuara të marra nga një personazh i rëndësishëm. Unë nuk i kam publikuar në kohën kur i kam marrë ato materiale sepse rrezikoja jetën e personit që kisha regjistruar. Ia kam vënë në dispozicion SPAK në Korrik të vitit të kaluar. Mos më kërko detaje të tjera sepse… Është çështje e rëndësishme, por SPAK ende nuk ka finalizuar në lidhje me këtë. Unë e di që po punon për këtë çështje, e di që në këtë çështje janë përfshirë dy ish-kryeministra, ka ministra në këtë histori. Unë kam çuar në datën 22 Korrik 2021 dy video, njëra është 1 orë e 47 minuta, tjetra është diku tek 2 orë të plota. Detajet të thashë nuk dua t’i jap”, tha Hoxha./tvklan.al

Hoxha: Do të dëshmoj në Belgjikë për “Toyota Yaris” sepse…

Gazetari Artan Hoxha ka bërë të ditur gjatë emisionit “Opinion” se javën e ardhshme do të shkojë në Bruksel për të dëshmuar në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”. Gazetari tha se e shqetëson fakti që autoritetet belge zgjodhën që mos e merrnin dëshminë e tij në Tiranë për shkak të frikës se mund të dekonspiroheshin.

“Unë javën tjetër ditën e martë në orën 10:00 do të jem në Bruksel pranë Prokurorisë Federale Belge për të dëshmuar në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”. Ditën e martë jam atje. Ka dhe një element tjetër që më shqetësoi në fakt. Autoritetet belge zgjodhën që mos e merrnin dëshminë në Tiranë sepse sipas tyre deklarimet që mund të bëja në Tiranë mund të dekonspiroheshin dhe ata kërkuan që unë këtë deklarim ta bëj pranë prokurorisë belge në Bruksel”, tha Hoxha.

Në lidhje me këtë çështje gjykata në Shqipëri ka dënuar me 1.5 vite burg Ervis Vladin. Ai u kap 4 vite më parë me 3.4 milionë Euro. Por ky rast do të bënte bujë pasi do të paralajmërohej me anë të një deklarate në Kuvend nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Për pasojë, në lidhje me këtë çështje ka dhënë deklarime para prokurorëve belgë edhe Basha./tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:55 12/05/2022