Opinion-Sa do të na varfërojë kriza?

Opinion-Sa do të na varfërojë kriza?

Autori: Blendi Fevziu

20:11 02/04/2020

Sonte në Opinion: Kryeministri Edi Rama, mjeku Pëllumb Pipero, Behgjet Pacolli, Samir Mane, Tritan Shehu, Shpëtim Redo, Aurela Hoxha.

Mane: Për 1 muaj bllokim, do duhen 18 muaj rikuperim

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, biznesmeni Samir Mane tha se sipas kalkulimeve, Shqipërisë do t’i duhen disa muaj për të dalë nga kjo krizë ekonomike.

Sipas Manes, për një biznes që mbyllet për një muaj, kërkon rreth 18 muaj për t’u rikuperuar.

Blendi Fevziu: Ekonomikisht, si të duket Shqipëria në këtë moment? Më shumë sesi do dalë nga kriza, sepse këto ditë nuk ke çfarë pyet…

Samir Mane: Unë mendoj që është një krizë e madhe, e thellë, që sapo ka ardhur. Një krizë që sipas disa kalkulimeve që ne bëjnë, nëse bizneset mbahen mbyllur një muaj, do një efekt minimalisht 18 muaj për ta rikuperuar.

Blendi Fevziu: Sa muaj për ta rikuperuar?

Samir Mane: 18 muaj për ta rikuperuar.

Blendi Fevziu: Për 1 muaj të mbyllur duhen 18 muaj që të rikuperohet?

Samir Mane: Në masën e madhe po, por padyshim që kjo do të ketë efektet e veta, sepse mungojnë sistemet zinxhirë të ekonomisë diku bllokohet një sistem, pastaj ai rrit çmimin. Shitja e produkteve do mungojë etj. Pra jam i sigurtë që Shqipëria në këtë moment është në ditët më të këqija të veta të paktën mesa mbaj mend unë. Është një krizë globale, ka të bëjë me Shqipërinë, por është një krizë kudo kështu që efektet do të jenë edhe më të mëdha ditët në vazhdim, ndoshta do të rritet edhe papunësia kur bizneset të mos kenë mundësi të operojnë në përditshmërinë e tyre. Jo vetëm tek punonjësit, por edhe për detyrimet që kanë ndaj furnitorëve kjo do ta përkeqësojë krizën. 

Fevziu: Cila është situata me furnizimet? Përgjigjet Mane

Biznesmeni Samir Mame u shpreh mbrëmjen e sotme në “Opinion”, se nuk mendon se do të ketë probleme me furnizimet e vazhdueshme në vendin tonë për shkak të situatës me koronavirusin.

Sa i përket mundësisë për rritje të çmime, ai tha se varet nga tregu apo ndryshimi i kursit të euros.

Blendi Fevziu: Ka mundësi furnizimi të vazhdueshëm?

Samir Mane: Unë mendoj që ka mjaftueshëm furnizim të paktën për 3-4 muaj, mesa kemi folur edhe me furnitorët tanë por edhe me importet që kemi bërë. Ka rreth 3-4 muaj furnizim pa asnjë lloj problemi. Natyrisht furnizimet e importit varen më shumë nga kufizimi që do të bëjnë vendet e tjera, Ka disa vende që kanë bërë kufizime të produkteve ushqimore, por pjesa më e madhe e vendeve nuk kanë bërë kufizime. Shpresojmë që kjo situatë të vazhdojë  e tillë. Unë nuk besoj se do të kemi problematikë të furnizimit.

Blendi Fevziu: Po do t’i rrisë çmimet Mane?

Samir Mane: Çmimet varen nga tregu, mund të rriten nga kursi i lartë i ndryshimit të kursit të euros. Mund të rriten edhe nga furnitorët e huaj. Nëse çmimet në Francë, Gjermani, Holandë, aty ku në marrim mallrat do të rriten, me siguri do të reflektohen edhe në tregun shqiptar.

Blendi Fevziu: Në çfarë mase, ka një ide sesa mund të jetë rritja e çmimit që mund të vijë nga kriza?

Samir Mane: Nëse çmimet do të rriten në Europë nga produkti për shkak të falimenteve që mund të bien fabrikat në Europë, padyshim që edhe këtu do të rriten çmimet. Siç mund të ketë edhe ulje për shkak të një mbiprodhimi.

Samir Mane: Shqetësimi më i madh që kemi është si të mos heqim asnjë punonjës nga puna 

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Televizionin Klan, Samir Mane u shpreh se shqetësimi më i madh që kanë këto kohë me stafet drejtuese, është se si të bëjnë të mundur që asnjë punonjës të mos hiqet nga puna.

Samir Mane:Në këto kohë të vështira kur kompani ka më shumë nevojë për mua, jam në kontakt të vazhdueshëm më shumë se në ditët normale të punës.

Blendi Fezviu: Sa punonjës keni në Shqipëri?

Samir Mane: Në Shqipëri diku tek 4200, në të gjithë Ballkanin rreth 5800 punonjës.

Blendi Fezviu: 4200 në Shqipëri… sa prej tyre janë në punë dhe sa prej tyre janë pushim tani prej karantinës?

Samir Mane: Biznesi ynë është shitje me pakicë… mendoj se 55% të njerëzve janë në punë, pjesa tjetër janë në shtëpi, në pamundësi për të punuar se qendra tregtare janë të mbyllura, dyqanet e pakicës janë të mbyllura, kështu që 45% e punonjësve janë në shtëpi.

Blendi Fezviu: I paguani Mane?

Samir Mane: Të gjithë janë paguar deri tani dhe shqetësimi më i madh që kemi pasur këto ditë me stafin drejtues është si të bëhet e mundur që të mos heqim asnjë punonjës nga punë në këtë kohë të vështirë që po kalojmë…

Blendi Fezviu: Rrezikon që një kompani e madhe si e juaja që për arsye të krizës, mund të mos i mbajë të gjithë punonjësit në punë?

Samir Mane: Unë mendoj se kompanitë e mëdha si dhe në të gjitha vendet e botës, janë po aq shumë të rrezikuara, për të mos thënë edhe më shumë se kompanitë e mesme e të vogla, por pa dyshim puna jonë e pritshme është si të bëjmë të mundur, dhe besoj ia kemi dalë, që të gjithë punonjësit të marrin rrogën, të mos heqim asnjë nga puna. Besoj se deri në qershor të vitit tjetër kemi mundur që me kapacitetet tona financiare për të gjithë ata që nuk punojnë, të mos largojmë njeri nga puna dhe kompania të veprojë të operojë. Natyrisht që solidariteti i madh mes kompanive që kanë mundësi për të ndihmuar kompanitë që nuk kanë mundësi, i kam parë gjatë këtyre ditëve dhe për këtë jam shumë mirënjohës…

Blendi Fezviu: Mane nëse ju pyes, kompanitë e mëdha shqiptare, sa kohë mund të rezistojnë në kushtet e një emergjencë të tillë? Kush është limiti?

Samir Mane: Varet nga kompanitë, por padyshim që ka komani që nuk mund ta mbyllin dot as prillin se të ardhurat e tyre nuk e mundësojnë, jo vetëm pagën e punonjësve, por dhe shpenzimet e tjera. Ka kompani që kanë mallra me datë skandence për një muaj, dhe këto kompani mund të falimentojnë. Mendoj që kompanitë e mëdha, varet nga industria, mund të ketë nga 1 muaj deri 5 muaj, por mund të ketë dhe kompani që rezistojnë dhe më gjatë… 

Fevziu lexon mesazhin prekës për fëmijën 2 muajsh, Rama reagon menjëherë

Kryeministri Edi Rama në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për një mesazh prekës të ardhur në telefon rreth një problemi të një fëmije dy muajsh të sëmurë nga sindroma “Pierre Robin“ që i duhet të bëj një ndërhyrje jetësore jashtë vendit.

Menjëherë pas mesazhit reagoi edhe Kryeministri Rama i cili tha se rasti do të verifikohet dhe do të bëhet gjithçka është e mundur.

Blendi Fevziu: Më ka ardhur një mesazh nuk e kam verifikuar, bëhet fjalë për një fëmijë dy muajsh vuan nga sindroma “Pierre Robin“ dhe është në intubim, është në rrezik për jetën dhe i duhet të bëjë një ndërhyrje e cila nuk bëhet as në privat dhe as në shtet në Shqipëri. Nuk është problem financiar, duhet ndihmë urgjente, sepse nuk lëviz dot për shkak të mbylljes së kufijve për të vajtur në Firence për të bërë operacionin, duke e verifikuar deri në fund, sepse nuk jam i sigurtë nëse qëndron realisht e vërteta, por nuk besoj që dikush të gënjejë për këtë gjë. A mund të bëni diçka zoti Kryeministër?

Edi Rama: Mjafton që tani në momentin e parë pasi të përshëndetemi dhe kur ju të keni reklama më çoni kontaktin edhe ne do të verifikojmë dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur, por kuptohet në këtë situatë nuk di të jap përgjigje menjëherë.

“Po marrin gjobë shqiptarët në Greqi”, Rama: Nuk është e vërtetë!

Kryeministri Edi Rama në një lidhje live me “Opinion” në Televizionin Klan, u shpreh se shqiptarët që kanë mbetur në Greqi për shkak të mbylljes së kufijve, nuk do të penalizohen.

Por gazetari Blendi Fevziu i tregoi një mesazh të një qytetari i cili kishte fotografuar gjobën që kishte marrë, prej 1200 eurosh.

Edi Rama:Nuk ka më riatdhesime.

Blendi Fevziu: Po marrin 1200 euro gjobë shqiptarët që kanë mbetur në Greqi…

Edi Rama:Nuk është e vërtetë! Nuk është e vërtetë! Është teorike sepse ashtu është gjoba, por ne kemi biseduar dhe me kryeministrin grek dhe me ministrin e jashtëm dhe nuk do të ketë penalizimie.

Blendi Fevziu: Por ja ku e kam foton, është e vënë gjoba këto ditë…

Edi Rama: Nuk do të ketë gjoba për qytetarët që kanë mbetur andej për  shkak të mbylljes së kufirit prej situatës me Covid-19. Nuk kemi luksin për të hapur kufijtë ndaj do qëndrojnë andej për të mbrojtur veten dhe familjen e tyre. Por kuptoni që jemi në luftë dhe jo çdo gjë bëhet në perfeksion…

Blendi Fevziu: Ok, mund të thoni që ka raste por jo që nuk është e vërtetë…

Edi Rama:Në këtë luftim, nuk e kuptoj gjuhën greke, por në këtë luftë mos presë asnjeri perfeksion askund… nëse doni të kuptoni se ku mund të shihni, na krahasoni me New York… është kryeqyteti i financave botërore… më shkruan një mik dhe më thoshte që kishte 8 ditë me të gjitha simptomat dhe nuk bënte dot testin, dhe e lanë në shtëpi…

Blendi Fevziu: Zoti Rama, kam dhe foto të infermierëve që vishen me thes plehrash për t’u mbrojtur nga virusi… fakti që SHBA u gjen papërgatitur nuk është justifikim për ne…

Edi Rama:Aaaa në rregull!

Ndërkaq i pyetur se çfarë do të ndodhë me fatin e naftëtarëve të Ballshit, Rama u shpreh se po mundohen të gjejnë një zgjidhje, por mbetet një problem mes palëve pasi është marrëdhënie private.

“Kemi bërë çmos, është një marrëdhënie mes punëtorëve dhe privatëve… po punojmë për një zgjidhje, por nuk mund të bëjmë ne rolin e rafinerisë së janë marrëdhënie private dhe megjithatë i kemi  dhe do i ndihmojmë sa të mundemi”.

Fevziu-Ramës: Pse nuk e bëni ju sakrificën, pse nuk anuloni PPP?!

Këtë mbrëmje në “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur disa prej pyetjeve të cilat shqetësojnë publikun në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga koronavirusi dhe kufizimeve që kanë ardhur më pas.

I vënë përballë pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu, Rama tregoi se përse nuk anulohen PPP.  

Blendi Fevziu:A rrezikon në çojë në përplasje sociale, fizike… do nxjerrin pistoletat që si kanë dorëzuar akoma…

Edi Rama:Shqiptarët janë njerëz solidarë dhe mirëkuptojnë, një grusht nuk bën shumicën, mund të ketë një grusht njerëzish që mund ta presin në mënyrë të papëlqyer, prandaj ka dalë akti normativ dhe ta provojnë të kacafytën… Është kohë lufte dhe çdokush duhet të heqë diçka për dikë që është më keq.

Blendi Fevziu:Pse nuk bëni një sakrifice ju si qeveri të parët, të hiqni PPP?

Edi Rama:Nuk do t’i kthehem më koncesioneve sepse është pllaka e gramafonave që rrotullohet.

Blendi Fevziu:Sa para paguani për koncesionet?

Edi Rama:Nuk i kthehem më sot se e kemi sqaruar. Është një fajësi me tonalitet kriminal që i thotë popullit se kanë 120 milionë ua japin 10 vetave dhe nuk ua japin juve, ndërkohë që këto para nuk i marrim nga buxheti…. ne paguajmë që ato pincat për operacione që të jenë të sterilizuara…

Blendi Fevziu:Por mund të jenë dhe si maskat tuaja të skaduara…

Edi Rama:Fevzi e kuptoj që bën ndërmjetësin mes publikut dhe meje dhe sjell këtu dhe gjëra së si beson as vetë, por nuk ka vend të botës sot që nuk kanë nxjerr nga stoku të gjitha maskat e ashtuquajtura të skaduara për ti shpërndarë, janë maska për të bërë mbrojtjen bazike për personelin mjekësorë jo për personelin e infektivit… 

Rama sfidon Fevziun: Pas 10 ditësh…

Mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte me “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama ka sfiduar gazetarin Blendi Fevziun, i cili solli raste kur kompani të mëdha kanë larguar punonjës nga puna sepse nuk duan të marrin kredi, duke i thënë se pas 15 ditësh të bëjnë bilanc sa prej tyre kanë marrë kredi.

Blendi Fevziu:A ka diskriminim për biznesin e vogël, për të vetëpunësuarit po u shtyni kreditë, kurse për biznesin e madh po  u thoni merrni kredi.

Edi Rama:Ata që dalin dhe bëjnë propozime universale tregojnë se nuk kuptojnë asgjë nga kjo që po ndodh. Do them diçka që tani është shumë aktuale… Lufta është shah, nuk është as bixhoz ku ti të luash bllofin, sepse mund të biesh në një hon të zi, nuk është as poezi… është shah! Që do të thotë luan ti, luan dhe kundërshtari që është armiku i padukshëm. Duhet të shohim vijueshmërinë e luftës dhe hap pas hapi të ndihmojmë duke filluar nga poshtë lart. Këtu kemi dhe përgjigje për kompanitë e mëdha. Kompanitë e mëdha kanë marrë garanci sovrane dhe të hënën fillon lëvrimi. Unë po ju them juve, jo juve personalisht…

Blendi Fevziu: Unë mund t’ju tregoj juve me dhjetëra mesazhe punonjësish të kompanive të mëdha që kanë marrë një email, një sms, në mënyrë cinike, ju kanë thënë shkëputet marrëdhënia financiare… garancia sovrane nuk i ndihmon këta njerëz të marrin rrogën e këtij 15-ditëshi.

Edi Rama:E para kam dëgjuar dhe unë për këtë garancinë sovrane, dhe që nuk do ta marrë njeri etj, etj,… Unë ju sfidoj juve që mbas 10 ditësh, ju sfidoj jo ju, por jam i gatshëm që pas 10 -15 ditësh kamera juaj të vij prapë këtu dhe të shikojmë a do kenë marrë apo jo kompanitë kreditë për të mbajtur punëtorët në punë. Por kjo nuk dot thotë që kompanitë do t’i mbajnë të gjithë, por një pjesë e punëtorëve do mbahen nga kompanitë dhe për pjesën tjetër do kujdesemi ne, por këto janë me faza.

“Qiratë nuk do paguhen për dy muaj”, Rama tregon se kush përfiton nga ky lehtësim

Mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte me “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama ka sqaruar se cilët janë ata qiramarrës që nuk do ta paguajnë këstin mujor për dy muaj, Maj dhe Prill, por do t’i paguajnë në muajt në vijim.

Si do të funksionojë mospagimi i qirave dhe a ka të drejtë shteti të ndërhyjnë në një marrëdhënie private?

“Kjo ishte nisja e një Akti Normativ, që besoj se u jep përgjigje një pjese të shqetësimeve. Të gjithë qiramarrësit individë që kanë kontratë qiraje për banesë, që kanë kontratë pune dhe e kanë pezulluar për shkak të Covid- 19, nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj. Po ashtu edhe qiramarrësit studentë, po kështu sipërmarrësit, persona fizik me të ardhura deri në 14 milion lekë në vit nuk do ta paguajnë për dy muaj, Prill dhe Maj, më pas detyrimi i prapambetur do të paguhet në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin pas muajit maj. Për kontratat që përfundojnë në maj do të paguhen në muaj më tej, në tre muajt e mëtejshme. Kush do të ketë probleme me marrjen e qirasë, do të ndërhyrë drejtoria e tatimeve”, u shpreh Rama.

Për rastet që nuk kanë kontratë, Rama thotë: Ka marrëveshje me noter, mes palësh apo me shtrëngim dore… mjafton që personat që kanë njërën nga këto marrëveshje të jenë me qira të deklaruar, pra që për këtë qira është paguar një detyrim, këta të gjithë do përfitojnë.

Sa u takon qiradhënësve që me qiratë që marrin çdo muaj jetojnë, atëherë do të ketë një vendim specifik “sepse këta janë persona që duhen ndihmuar“, tha kryeministri./tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:11 02/04/2020

Grupi

Kallezo