Pse nuk u realizua vota e diasporës? Celibashi: Vetëm 3600 emigrantë të regjistruar

Zyrtarisht KQZ-ja njeh vetëm 3600 emigrantë që mund të kishin të drejtën e votës nëse do të realizohej vota për emigrantët. Shifrat i dha në emisionin Opinion Ilirjan Celibashi, kryetari i KQZ-së. Ai u shpreh se kur ka hyrë në zyrën e tij gjithsej kanë qenë të regjistruar 853 emigrantë. Celibashi theksoi se KQZ-ja kishte angazhimin për të realizuar votën e diasporws, por koha e pakët në dispozicion nuk e bëri të mundur.

“Është e çuditshme, por kur kam hyrë në atë zyrë kam mësuar se janë 853 emigrantë. Sot kemi 3600 emigrantë të regjistruar. Kaq kemi. Edhe këtë duhet të jemi të ndershëm sepse kemi folur për të garantuar votën e diasporës, por nuk e kemi diasporën. Ne do të punonim për të realizuar të drejtën e votës atje ku banojnë, sot, për 3 mijë e 600 e pak emigrantë”, tha Celibashi.

Por si kryhet vota e emigrantëve? Celibashi u shpreh se fillimisht, emigranti duhet të tregojë vendin se ku banon. Pastaj KQZ-ja i dërgon fletën e votimit. Janë disa mënyra se si mund të votojë diaspora sipas tij, por më tradicionalja është votimi me postë.

Thirrjet e Kim për Doshin, Celibashi: I kemi vlerësuar, procesi i verifikimit të kandidatëve vazhdon

Përpara dërgimit të listave për kandidatë nga partitë në KQZ, ambasadorja e SHBAS-së në Tiranë, Yuri Kim bëri thirrje që të mos regjistrohej Tom Doshi. Megjithatë, kreu i PSD-së e dërgoi emrin dhe është i regjistruar për zgjedhjet e 25 Prillit. Për këtë çështje ka folur këtë të martë në studion e Opinion, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse në ndodh moment ka pasur dyzim që ta skualifikonte Doshin mbi bazën e këtyre deklaratave të Yuri Kim. Celibashi tha se KQZ ka vlerësuar të gjitha thirrjet e ardhura. Ai u shpreh se emri i Doshit është dërguar në Prokurori për verifikim të thelluar.

“Ne kemi vlerësuar me të gjithë seriozitetin e duhur, të gjitha thirrjet që kanë ardhur qoftë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos më shumë prej tyre, por edhe nga faktorë të tjerë institucionalë dhe politikë në lidhje me procesin e verifikimit të kandidatëve. Ky është proces vazhdues. Në momentin ku ne kemi shqyrtuar atë dokumentacion që na është paraqitur kemi marrë vendimin që reflektohet edhe në përmbajtjen e fletës së votimit. Por ky është një proces që vazhdon”, tha Celibashi.

Janë 30 emra që ka dërguar KQZ për verifikim në prokurori. 28 prej tyre janë kandidatë partish dhe koalicionesh ndërsa 2 janë kandidatë të pavarur. KQZ-ja ka bërë në total verifikimin e 1836 kandidatëve të partive dhe koalicioneve dhe 5 kandidatëve të pavarur. Celibashi u shpreh se brenda KQZ-së është një ekip që merret me verifikimin e kandidatëve.

“Kemi bërë vlerësimin paraprak të 1836 kandidatëve të partive politike dhe koalicioneve dhe 5 kandidatëve të pavarur. Është një ekip një staf që punon në KQZ për këtë, mbi bazën e dokumenteve që prezantojnë partitë politike dhe koalicionet dhe vetë kandidatët. Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni kemi marrë indicie të paktën për një pjesë të madhe të këtyre 30 të themi. Për disa kemi marrë indicie edhe nga parti politike, media, apo siç është rasti i zotit Doshi. Ligji e parashikon këtë që të dhëna publike që i merr mund të shërbejnë si indicie për të kërkuar hetim të thelluar”, tha Celibashi.

Në rast se Prokuroria sjell emrin e ndonjë kandidati që e kap ligji i Dekriminalizimit, Celibashi u shpreh se ai do të humbë mandatin. Ai shtoi në studion e Opinion se deri më tani partitë politike i kanë respektuar rregullat në lidhje me këtë çështje.

Zgjedhjet më 25 Prill, a do vijnë në kohë fletët e votimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në “Opinion” deklaroi se procesi i printimit të fletëve të votimit do të nisë mëngjesin e së mërkurës dhe fletët pritet që të mbërrijnë në vendin tonë 4-5 ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Sa i përket zgjedhjes për t’ia lënë procesin e printimit një kompanie të huaj, sllovene në rastin konkret, Celibashi tha se “preferenca ka qenë për një kompani të huaj dhe kjo kompani ka një eksperiencë gati 25 vjeçare në Shqipëri. Kjo kompani ka printuar fletët e votimit të disa edicione zgjedhjesh në Shqipëri. Fletët e votimit do të kenë disa elementë sigurie të dukshëm dhe të padukshëm”.

I pyetur se përse shtypen 3.6 milionë fletë votimi, kur në fakt në votim shkojnë shumë më pak qytetarë, Celibashi tha: “Janë 2 përqind se 3.6 milionë sepse numri i votuesve rreth 3.5 milion. Jemi të detyruar ta bëjmë sepse e obligon ligji këtë”.

Pas mbërritjes në Shqipëri, Komisioneri Celibashi tha se fletët e votimit shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit, që janë 5199, më pak në krahasim me zgjedhjet e shkuara, pasi janë bërë disa bashkime qendrash votimi.

Pse u vendos për fletën e votimit me numra për zgjedhjet e 25 Prillit

Blendi Fevziu prezantoi këtë të martë në studion e “Opinion” fletën e votimit që do të kenë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 25 Prillit. Ashtu siç është vendosur nga Kolegji Zgjedhor, fleta e votimit do të jetë ajo me numra. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte i ftuar në studio tregoi se sipas KAS-it dhe Kolegjit Zgjedhor, fleta e votimit me numra prezanton një informacion më të qartë për votuesit sesa ajo me emra.

“Unë kam mbështetur variantin e fletës së votimit që ishin shënuar emrat, por në pikëpamje të ligjit qëndrojnë të dy variantet. Kolegji dhe KAS vlerësuan që ajo prezanton një informacion më të qartë për votuesit se sa ajo me emra. Ashtu është gjykimi i tyre, ndoshta për shkak të madhësisë. Secila prej varianteve ka avantazhet dhe disavantazhet e veta”, tha Celibashi.

Por a bën kjo fletë votimi që listat të jenë të hapura? Sipas Celibashit, ligji ta jep këtë mundësi.  

“Në pikëpamje të ligjit, të dyja variantet e sigurojnë votimin parapëlqyes. Diskutimi është si identifikohet më mirë kandidati, nëpërmjet emrit, që edhe në qarkun e Tiranës ka 36 kandidatë, apo nëpërmjet numrave në atë version ku fleta e votimit është më e vogël”.

Në zgjedhjet e 25 Prillit garojnë 12 subjekte, parti politike dhe koalicione si dhe disa kandidatë të pavarur në 5 qarqe të ndryshme Gjirokastër, Berat, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. /tvklan.al