OPINION – NISHANI, RAMA, META, BASHA!



OPINION – NISHANI, RAMA, META, BASHA!

13:30 30/12/2016

Intervistë me:

Bujar Nishani

Edi Rama,

Ilir Meta,

Lulzim Basha

Intervista me z. Nishani:

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ardhur me një rrëfim ndryshe, mbrëmjen e sotme, në emisionin Opinion, përballë gazetarit Blendi Fevziuu. Një intervistë pa nota të forta politike, por mbi atë se çfarë u realizua dhe çfarë mund të bëhej ndryshe. Duke mbajtur hapin nga kujtimet festive përgjatë viteve, e deri tek, dëshirat, familja dhe projektet.

Blendi Fevziu: Z.President mirëmbrëma dhe faleminderit që pranuat ftesën për të folur në këtë prag festash.

Bujar Nishani: Mirëmbrëma, kënaqësia për mua.

Blendi Fevziu: Do të jetë një intervistë krejt ndryshe në fakt, nuk do lidhet shumë me zhvillimet politike, nuk do lidhet shumë me tensionet dhe situatat në vend, por do lidhet me një lloj profili të raportit tuaj me festat dhe natyrisht me vitin që shkoi.

Bujar Nishani: Është zgjedhje shumë e mirë.

Blendi Fevziu: Nuk e di, sa personazh festiv jeni, pra sa e ndjeni atmosferën e festave. Jo tani vetëm si president, por në përgjithësi flas.

Bujar Nishani: Unë besoj se të gjithë i ndjejnë festat dhe kanë dëshirë ta kenë afër festën dhe ta kenë vetën e tyre gjithmonë pjesë e një ambienti festiv. Kështu edhe unë personalisht e kam jetuar ambientin festiv e kam dashur dhe jam munduar që t’ia ofroj vetës, familjes dhe miqve.

Blendi Fevziu: Ka qenë atmosfera e festave në familjen tuaj edhe më parë gjithmonë e pranishme?

Bujar Nishani: Gjithmonë ka qenë e pranishme. Kuptohet në vitet e largëta me aq sa ç’ka qenë e mundur me kushtet e Shqipërisë që i njohim të gjithë, por gjithmonë me kalimin e kohës kanë qenë edhe më të theksuara.

Blendi Fevziu: Gjithsesi edhe në atë Shqipëri të varfër në vitet e komunizmit fundviti ishte festa më simbolike e shqiptarëve?

Bujar Nishani: Pema e Krishtlindjeve apo siç e quanim ne në atë kohë pema e Vitit të Ri, nuk mungonte kurrë, zbukurimet nuk mungonin kurrë, gatimet tradicionale që fillonin disa ditë përpara ardhjes së natës së fundit të vitit, bakllavaja simbolike që gatuhej në familje nga nëna me të afërmet, pra; ishte një ambient i cili gjithmonë e krijonte atë sensin e festës.

Blendi Fevziu: Sa ndryshon festa e një presidenti me atë të një qytetari të zakonshëm. Ajo që quhet atmosfera festive?

Bujar Nishani: Varet se si e vendos veten në raport me festën apo atë që ne e quajmë me ambientin njerëzor. Për mua nuk ka bërë ndonjë ndryshim. Ndoshta jam munduar që të përfshij më shumë njerëz, më shumë të afërm gjatë kohës që kam qenë në këtë detyrë në mbrëmjen e Vitit të Ri, për shkak, edhe të mungesës së hapësirave dhe kontakteve gjatë gjithë vitit. Jam munduar të shpërndahen dhe të japin edhe ca meshaze në dimensione njerëzore, p.sh, në dy festat e fundvitit kam pasur të ftuar fëmijët e shtëpisë së jetimëve, që kanë festuar bashkë me familjen tonë dhe kanë ndenjur dy-tre ditët e para në familje.

Blendi Fevziu: Kanë ndenjur në rezidencën tuaj?

Bujar Nishani: Po kanë ndenjur në rezidencën tonë.

Blendi Fevziu: Si janë ndjerë?

Bujar Nishani: Me dëshirën që të vinin përsëri vitin e ardhshëm.

Blendi Fevziu: Këtë nuk e dija si lajm publik.

Bujar Nishani: Kanë qenë disa vëllezër dhe motra nga Librazhdi të strehuar në shtëpinë e fëmijës në “Fshatin SOS”, pastaj më pas, po disa fëmijë të tjerë. Ka qenë një dëshirë e familjes për t’i përfshirë ata në rezidencën po themi të presidentit, për ta parë dhe përjetuar më ndryshe, sepse duhet të kemi parasysh se ndjenja dhe përceptimi i fëmijës për festën është shumë më i fortë dhe aq më tepër kur festa është në pjesën e institucioneve të larta të vendit, merr një dimension të botës së tyre të brendshme më të veçantë.

Blendi Fevziu: Padyshim, fëmijët janë ata që entuziasmohen më shumë nga atmosfera festive. Do rikthehem sërish në faktin se si do ta festoni Vitin e Ri dhe ku do ta festoni. Dua t’iu pyes si ka qenë viti 2016 për ju, jemi pothuajse në mbylljen e tij, për dy ditë, viti mbyllet dhe çdokush mund të bëjë një lloj bilanci?

Bujar Nishani: Në fakt, viti që sapo lëmë pas, ka qenë një vit i veçantë për mua. Në aspektin njerëzor, ishte viti i 50-vjetorit të lindjes time dhe jo në sensin e kohës, të mbërritjes së 50-viteve të jetës apo në aspektin e të cilës ne shohim formalisht një moment ditëlindje feste, por në aspektin se si reflekton gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Pra, është një rrugëtim pesëdhjetvjeçar ku njeriut i jep mundësinë që të fillojë të reflektojë, që do të thotë, sa i arrirë je në rrugëtimin tënd njerëzor, në aspiratat që ke pasur ne momentet kulmore të jetës tënde personale dhe familjare. Dhe, do apo s’do, vijmë në një moment sentimental që hyjmë brenda kësaj analize dhe e shikon se cili është rrugëtimi yt, parë në këtë sens, unë them se ka qenë një vit i veçantë.

Blendi Fevziu:  Nëse unë i rikthehem reflektimit tuaj dhe ju pyes: si ju ka gjetur pesëdhjetvjetori në raport me pritshmëritë që ju keni pasur. Çdo njeri ka disa piketa që orientohet në jetën e tij, në moshën: 20, 22-23-vjeçare kur del nga shkolla, natyrisht këto piketa janë shumë të largëta, shpeshherë shumë të afërta, dikush i tejkalon, dikush tjetër nuk arrin dot deri atje. Si kanë qenë pritshmëritë tuaja në raport me situatën ku ndodheni?

Bujar Nishani: Çdo njeri në këtë jetë ka rrugëtimin e tij me ulje-ngritjet, me sfidat dhe me problematikat. Unë në tërësinë e një bilanci pesëdhjetvjeçar mund të them se jam shumë i kënaqur me rrugëtimin tim të deritanishëm, besoj që e konsideroj veten njeri edhe me fat, njeri edhe me shanse, njeri i cili ka pasur edhe sfida të shumta, ka pasur ulje-ngritje, në aspektin njerëzor, në aspektin familjar dhe atë institucional. Nuk e kisha menduar kurrë se do të isha President i Republikës dhe ja një ditë u bëra President i Republikës.

Blendi Fevziu: Këto janë momente që nuk mund t’i parashikosh asnjëherë.

Bujar Nishani: Po, ashtu si nuk parashikon momente të tjera në sfida të tjera që ndesh njeriu në jetën e përditshme apo në jetën e tij. Por lumturia më e madhe dhe vlerësimi që kam ndjerë kësaj jete dhe mundësisë që m’u dha është padyshim familja. Familja që kam arritur të krijoj e cila ka qenë inspirimi, ka qenë mbështetja, ka qenë pse jo edhe ajo që e ka shtyrë njeriun për të kaluar momente vërtet të vështira në jetë.

Blendi Fevziu: Z. Nishani, Zhaklin Kenedy thoshte: Nuk ke bërë asgjë në jetë nëse nuk ke rritur fëmijë të mirë. Në njëfarë mënyre, thoshte dhe karriera dhe suksesi nëse t’i nuk ke arritur një familje të mirë, quhet një lloj dështimi. Sa i kënaqur jeni ju me familjen tuaj?

Bujar Nishani: Jam maksimalisht i kënaqur, nuk kemi pasur kurrë shqetësime, nuk kemi pasur kurrë probleme prej tyre dhe akoma më tej kanë qenë njerëz deri tani të suksesshëm, të mbështetur plotësisht në pasionet e tyre, në angazhimet e tyre dhe në punët e shkollës.

Blendi Fevziu: Çfarë pasionesh kanë zgjedhur?

Bujar Nishani: Djali tashmë ka hyrë në një rrugë shumë të konsoliduar është student i vitit të tretë në Universitetin e Mjekësisë në Vjenë dhe ishte një zgjedhje e tij, ishte një zgjedhje që i kërkoi një angazhim shumë të fortë dhe të mundimshëm, e shoh edhe këto ditë që është pranë familjes me pushime e konsumon kohën më shumë duke studiuar sesa duke dalë në bare dhe kafeve të Tiranës.

Blendi Fevziu: Ju vetë çfarë do t’i kishit sugjeruar?

Bujar Nishani: E kisha vështirë.

Blendi Fevziu: Nuk kishit ndonjë pretendim tjetër?

Bujar Nishani: E kisha të vështirë, ai kishte pasion të madh politikën në të shkuarën, ai ndiqte shumë afër jo vetëm aktivitetin tim, por edhe zhvillimet politike në Shqipëri, madje, edhe zhvillime politike përtej Shqipërisë në një dimension europian dhe botëror. Ishte njeri i cili kishte mjaft komunikim me zhvillimet politike në vend por edhe përtej vendit. Por gjithsesi unë mendova se ishte një pasion brenda vetes së tij, brenda qenies së tij dhe do t’i duhej të përgatitej për jetën me një profesion serioz, një profesion i cili të jepte forcën që ndaj jetës dhe vështirësive të jetës të fitonte dhe të ishte i parrahur, sa më shumë i parrahur dhe profesioni që ka zgjedhur të jep një dimension të tillë.

Blendi Fevziu: Nuk është se mjekët nuk kanë pasur sukses në politikën shqiptare?

Bujar Nishani: Padyshim që kanë pasur sukses, por rrethanat e politikës shqiptare ndryshojnë shumë shpejt dhe jemi dëshmitar të ndryshimit të kaq të shpejtë të rrethanave dhe madje jo vetëm ndryshime, por edhe ndryshime radikale. Kështu që unë jam shumë i kënaqur që ka zgjedhur një profesion. Një profesion që ta lejojë atë të ndjehet i pavarur në raport me jetën. Po ashtu edhe vajza është studente në një kolegj në Vjenë edhe ajo ishte një zgjedhje e saj. Ajo ka një pasion të veçantë pjesën e komunikimit psikologjik sidomos me fëmijët është e angazhuar edhe atje, aktive shumë në fushata vullnetare në komunikimin me fëmijët të cilët kanë nevojë shumë të komunikojnë, le të themi, t’i bëjnë një trajtim psikologjik të tyre.

Blendi Fevziu: Si ka vepruar te fëmijët, se ju u bëtë president në kohën e adoleshencës së tyre? Si ka ndikuar babai të qenurit President i Republikës?

Bujar Nishani: Ka qenë e çuditshme Blendi në fakt dhe nuk di edhe sot ta shpjegoj se cila ka qenë arsyeja, ndoshta ne nuk e kemi ushqyer por edhe rrethanat e tjera kanë qenë të tilla që ata nuk e kanë përjetuar asnjëherë se ata kanë qenë fëmijët e një familje të lidhur kaq shumë me politikën, por edhe me nivele të larta të pushtetit. Unë prej shumë vitesh kam qenë ministër dhe pastaj president dhe ata asnjëherë nuk e kanë përceptuar ditën e tyre, jetën e tyre, aktivitetin e tyre apo relacionet e tyre në shoqëri me miqtë apo edhe me ambientin përreth tyre në kontekstin e fëmijëve të një familje që ka interesa me pushtetin apo interesa me administrimin e pushtetit.

Blendi Fevziu: Në fakt, një nga pyetjet kryesore që dua t’iu bëja është se cili ka qenë momenti më i vështirë i vitit që shkoi? Ndoshta momenti më i bukur ka qenë festimi i 50-vjetorit në raport me bilancin që i bën gjithë jetës. Ka pasur momente të vështira? Qoftë edhe politike.

Bujar Nishani: Momente të vështira padyshim që njeriu ka, nuk mund të them që kam pasur një moment të vështirësie të caktuar që mund të them se ka pasur një kërcitje të fortë. Por kam përjetuar me shumë shqetësim, me një lloj dhimbje, momentet që shikoja kur kishte largime masive nga Shqipëria. Ka qenë një moment veçanërisht nga zonat e veriut të Shqipërisë, por jo vetëm edhe nga pjesa urbane e Shqipërisë dhe kam marrë disa udhëtime nga Shishtaveci në Kukës, Tepelenë, Përmet në mjaft zona të cilat ishin më të prekura nga emigrimi.

Blendi Fevziu: Janë realisht kaq të shkretuara?

Bujar Nishani: Për fatin e keq, po. Sidomos pjesa rurale ndjehet tërësisht e braktisur dhe mua më vjen keq se bëjnë një dallim midis një momenti që rrethanat ishin shumë shpresëdhënëse, ndoshta ka qenë mesi apo fillimi i vitit 2008 kur unë pashë për shkak edhe të pozicionit që kisha në atë kohë si ministër i Brendshëm që një numër i madh emigrantësh shqiptar që kishin jetuar në Itali dhe Greqi filluan të rikthehen në Shqipëri, por jo si njerëz që kishin humbur punën dhe besimin në vendet ku ata jetonin, por njerëz me një lloj shprese për të ndërtuar një jetë të re dhe vinin si investitor. Patjetër jo si investitor të mëdhenj, madje vinin shumë prej tyre si bashkëpunëtor me investitor grek apo italianë. Ata fokusoheshin kryesisht në fushën e shërbimeve. Që do të thotë ishte një prespektivë e mirë për biznesin e mesëm le të themi. Në lidhje me shtresën e mesme të Shqipërisë. Vitet 2014 apo 2015, por edhe fillimet e këtij viti ishin shumë shqetësuese, të braktisjes së zonave dhe rikthimin përsëri në atë konceptin e shtytjes për të ikur.

Blendi Fevziu: Keni frikë z.president se përtej asaj atmosferës së festave pasi të kalojnë, momentet që do vinë do jenë më të vështira për Shqipërinë?

Bujar Nishani: Unë shpresoj që gjërat të vinë duke u përmirësuar, sepse, në fund të fundit, është në mundësinë e njerëzve që jetojnë në Shqipëri, në mundësinë e njerëzve që e bëjnë organizimin politik, social të vendit. Përplasjet politike duket se janë ashpërsuar. Unë do t’u uroja që të kishte një reflektim më të gjerë, më të thellë në kontekstin e të parit gjërave në një perspektivë afatmesme dhe jo të parit gjërat se ç’ndodh nesër apo pasnesër në raportin e interesave individ dhe realitet shoqëror.

Blendi Fevziu: Meqenë se unë u premtova se nuk do u bëja pyetje politike, por nuk mund të rri pa ju pyetur. A keni luajtur ju personalisht, në gjykimin tuaj, rolin e të qenurit simbol të bashkimit kombëtar dhe mbi palët?

Bujar Nishani: Duhet të keni parasysh që vërtetë Kushtetuta e ka paraparë Presidentin si simbolin e unitetit dhe zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion i cili në momentet e krizave të forta të bashkojë palët. Për fatin e mirë ne nuk kemi pasur ndonjë përplasje dramatike, e cila, të kishte nevojën që institucioni i Presidentit të Republikës të ndërhynte për të zbutur problematikën që mund të sjellte një përplasje e tillë dramatike. Fati kryesisht që palët për çështje madhore siç ka qenë kryesisht ajo e integrimit europian, janë fokusuar dhe kanë qenë të angazhuar dhe ka qenë një mekanizëm që ka zbutur shumë, mendoj unë, ecjen e keqkuptimeve apo të përplasjeve të forta midis palëve dhe duhet të jemi realist. Kështu që, Presidenti i Republikës në Shqipëri, mund t’i duhet situatës njëherë, dy herë por mund të mos i duhet asnjëherë në kontekstin se si ai do të përcjellë apo do të bëjë zgjidhjen e momenteve krociale, të forta, në Shqipëri. Jam treguar i gatshëm, kam qenë i gatshëm, padyshim në aspektin formal kam ofruar gjithmonë pjesën e imazhit të institucionit që ofron dhe e ka këtë hapësirë në dispozicion të palëve politike. Unë mendoj se është pozitive kur nuk është e nevojshme shfaqja apo ndërhyrja e presidentit. Sepse duhej të kishim kriza të forta nëse do ishte e nevojshme ndërhyrja e Presidentit të Republikës. Por në aspektin e adresimeve dhe vokacionit në raport me opinionin publik, pavarësisht se është fokusuar dhe gjithmonë fokusi i vokacionit vihet tek problematikat dhe tek ato që e shqetësojnë opinionin publik dhe jo tek lavdet dhe tek elozhet, por ky vokacion ka qenë pa kolorite agresive ka qenë një vokacion i cili ka adresuar gjithmonë në sensin e një klime pozitive që duhet të reflektojmë.

Blendi Fevziu: Z.President ju keni zhvilluar disa vizita zyrtare dhe njëkohësisht keni pritur krerë shtetesh në Tiranë. Cilat kanë qenë vizitat që kanë lënë impresionet më të mira tek ju?

Bujar Nishani: Ky vit ka qenë shumë i ngjeshur në aspektin e kontakteve ndërkombëtare. Vetëm në takime dhe insiativa të shumta rajonale, të cilat kanë qenë vërtetë të rëndësishme dhe të dobishme për çështjen e sigurisë kryesisht, por edhe të bashkëpunimit rajonal kanë sjellë një frymë mirëkuptimi përmes këtyre kontakteve. Mund të them dhe dua t’u garantoj juve personalisht por edhe të gjithë opinionin përmes jush që kam ditur t’a prezantoj dhe ta përcjell imazhin, opinionin dhe angazhimin e Shqipërisë në mënyrën më dinjitoze jo vetëm në aspektin rajonal, por krysisht në aspektin rajonal, atje ku Shqipëria ka një peshë dhe shikohet dhe moniterohet se çfarë prish dhe çfarë aktiviteti bën, kuptohet brenda një dimensioni që mund të ketë Presidenti i Republikës. Por ka qenë edhe në disa dimensione të tjera e shpërndarë. Ka qenë një vizitë e shkëlqyer në Kroaci ku aleanca midis Shqipërisë dhe Kroacisë në nivelin rajonal mbetet një aleancë prioritare, fondamentale dhe shumë e rëndësishme për dy vende por edhe në tërësi për rajonin. Më pas në aspektin e bashkëpunimit me vendet e Bashkimit  Europian ka qenë një vizitë shumë mbresëlënëse në Romë, vizita zyrtare në Itali i ftuar nga presidenti Mattarela ku u rikonfirmua një miqësi tradicionale e madhe midis Shqipërisë dhe Italisë. Ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme, për mua, në sensin jo vetëm të mirëpritjes por edhe të çështjeve të interesit të përbashkët në festën e mbretit të Jordanisë, mbretit Abdulla, i cili adresoi një vëmendje dhe një dëshirë shumë të veçantë që më la mbresa të forta për të thelluar miqësinë dhe për të nisur bashkëpunimin me Shqipërinë. Së fundi, ishte vizita në Turqi, gjithashtu një vizitë e cila rikonfirmoi edhe njëherë miqësinë tradicionale, por edhe bashkëpunimin kryesisht në fushën e sigurisë midis Shqipërisë edhe Turqisë. Një vizitë shumë e veçantë ka qenë edhe në Urdhrin Maltez, ku vetë Urdhri Maltez për nga mënyra e organizimit dhe personazhet që ishin ftuar (organizuar në Romë) jo vetëm anëtarët e bordit të Urdhrit Maltez, por edhe konteksti që ne kemi përgjatë 25 viteve të fundit është shumë interesant me Urdhërin Maltez dhe vullnetarët e tyre në Shqipëri. Pra ky vit, ka pasur një intensitet shumë të madh të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Blendi Fevziu: Kalojmë tek 2016-ta, është një vit shumë deçiziv për ju. A do të rivendosni të kandidoni, mandati juaj mbaron në korrik zyrtarisht, por zgjedhjet për presidentin e ri apo fushata për presidentin e ri fillon diku nga fillimi i prillit apo mesi i tij. A do rikandidoni sërish, ju z.Nishani?

Bujar Nishani: Kjo çështje ka dy anë, së pari është gatishmëria për të vijuar kontributin kur unë jam zgjedhur president. Në kohën kur unë jam zgjedhur nuk ka qenë një kërkesë apo garim personal, ka qenë një propozim politik, kam ofruar gatishmërinë time, jam mbështetur dhe në varësi e në raport të mbështetjes që mu dha, kam ofruar kontributin tim duke vënë dhe interesin publik dhe mendoj se ka qenë e rëndësishme për interesin publik qenia e një presidenti në zyrën e kreut të shtetit, cili nuk ishte një president që të mbetej nën hijen e qeverisë. Në kuptimin institucional. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me procedurën e zgjedhjes, ne jemi një republikë parlamentare dhe zgjedhja formale e presidentit varet nga mazhoranca parlamentare, kuptohet se kjo mazhorancë ka ndryshuar nga ajo kur unë u zgjodha para katër vitesh e gjysmë. Kështu që duhet të përputhet vullneti dhe gatishmëria e individit për të ofruar mbështetjen politike.

Blendi Fevziu: E ke diskutuar këtë gjë me kryeministrin Edi Rama që është kreu i mazhorancës?

Bujar Nishani: Jo nuk e kam diskutuar. Sepse, nuk duhet të vijë fillimisht, kërkesa dhe inspirimi nga presidenti.

Blendi Fevziu: As me z.Meta?

Bujar Nishani: As me z.Meta dhe me asnjë tjetër. Nëse shumica në parlament apo parlamenti si institucion do të gjykojë që është interesi i vendit, është interesi publik, është interesi i qytetarëve shqiptar që të vazhdoj një mandat tjetër ky president që është në detyrë, unë kam ofruar gatishmërinë time. Se si do variojnë pasta rrethanat në fillim prillin e ardhshëm kjo mbetet pastaj për t’u parë.

Blendi Fevziu: Z.President nëqoftë se ju nuk do të garoni për një mandat të dytë presidencial, në moshën 51-vjeçare del nga zyra e presidentit, supozojmë gjithmonë, do vazhdoni të jeni i angazhuar?

Bujar Nishani: Unë do mbetem i angazhuar në politikë padyshim, sepse politika është investimi im i vetëm është fusha në të cilën unë edhe kam përfituar dhe përfitimi është eksperienca, njohuritë e mëdha që kam me sfidat me mënyrën se si sfidat që ka Shqipëria dhe shqiptarët duhen përballur. Kam dhënë një eksperiencë shumë të madhe dhe shumë të gjërë. Kështu që unë nuk mund ta shpërdoroj gjithë këtë eksperiencë që kam fituar.

Blendi Fevziu: Ju keni kaluar disa vite më parë një moment shumë të vështirë shëndetësor. Sa i fortë duhet të jetë njeriu për të kaluar momente të tilla të vështira në jetë?

Bujar Nishani: Padyshim që ka të bëjë karakteri, karakteri individual, mënyra se si je formësuar në rrugëtimin tënd.

Blendi Fevziu: Ka qenë një moment i vështirë për ju për t’a kaluar?

Bujar Nishani: Ka pasur vështirësi, por unë jam ndjerë jo vetëm i fortë, por jam ndjerë edhe shumë i inspiruar për të kaluar çdo vështirësi që sollën ato momente. E kaluara ime, pra, përgatitja e karakterit dhe le të themi e forcës së brëndshme inspiruese që duhet të ketë një qenie njerëzore, njëriu për t’u përballur por edhe për t’i përceptuar. Së dyti, është kapaciteti intelektual për fatin e mirë, i cili nuk u cënua por përkundrazi eksperienca dhe dinamika e përditshme e pasuruan akoma edhe më shumë kapacitetin intelektual si qenie njerëzore edhe në këtë rast.

Blendi Fevziu: Ku e festoni festën?

Bujar Nishani: Në familje, në shtëpi, në atë që ne e kemi banesën e Presidentit të Republikës. Unë gjithmonë e kam festuar me familjen, e kam preferuar festën t’a kaloj me familjen. Sikur e përjetoj dhe e ndjej më shumë, si dhe relaksohem më shumë pranë familjes në shtëpi. Në këto festa, gjithmonë dëshirojmë, nga rrethi familjar të kishim një prezencë më të madhe. Do të jem më familjen time, me prindërit, me vëllezërit, si dhe me prindërit e Odetës, bashkëshortes time dhe njerëzit e saj.

Blendi Fevziu: Z.President, ju falënderoj për intervistën. Duke përfituar nga ky moment, ju uroj gëzuar Vitin e Ri.

Bujar Nishani: Faleminderit. Gëzuar edhe ju personalisht, por edhe familjes tuaj. Gëzuar dhe mbarësi gjithë shqiptarëve.

Intervista me Kryeministrin Edi Rama:

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë krejt ndryshe nga ccfarë jeni mësuar ta shihni në “Opinion”. Ai ka rrëfyer momente dhe episode jo vetëm nga jeta në politike por dhe në familje e shoqëri. 

Fevziu: Zoti Rama, mirëmbrëma. Faleminderit që e pranuat intervistën.

Kryeministri: Faleminderit që erdhët.

Fevziu: Është një intervistë pak ndryshe në fakt. Unë kam regjistruar krerë kryesor të shtetit dhe të opozitës, për të folur mbi një qasje ndryshe për festat. Nuk do të jetë ai stili i zakonshëm i batutave, i debateve, nuk shtë një intervistë investigative, tenton kryesisht të sjelli një imazh tuajin jashtë politikës, por natyrisht do të ketë dhe një-dy pyetje politike. Do të doja ta nisja me një pyetje standarde, që e kam pasur dhe me të tjerë. A jeni person që ju pëlqen atmosfera festive? Ka njerëz që e ndjejnë shumë festën, ka të tjerë që i bezdis ajo atmosferë, ose qoftë dhe gjithë tollovia që prodhojnë festat. Personalisht si keni qenë jo vetëm këto ditë, por edhe në përgjithësi në jetën tuaj?

Rama: Diçka ka ndryshuar. Ka ndryshuar, sepse të them të drejtën festat i pres si mundësi për të fjetur pak më shumë dhe sapo shfaqen dritat e festave…

Fevziu: Shfaqet dhe gjumi në horizont.

Rama: Pres momentin kur do të vijë dita që mund fle pak më gjatë.

Fevziu: Në fakt, këtë në dorë e keni, se mund të jepni dorëheqjen si kryeministër, mund të flini sa të doni. Ju i keni mundësitë të flini në ajër të pastër. Keni një shtëpi sa Pallati i Zogut, në një farë mënyre, kështu që mund të flini sa të doni.

Rama: Faleminderit që ma bëre pyetjen, sepse…

Fevziu: Thashë nuk do e nisnim me batuta në fakt, por meqenëse e nisëm me gjumin.

Rama: Shtëpia ka një mur të gjatë, por meqenëse është shtëpia ime dhe duke qënë se unë jam pak si ndryshe, jo vetëm nga gjatësia, fakti është që hapësirat e brendshme të jetueshme janë më të vogla sesa hapësirat e tua të jetueshme dhe ka një oborr të brendshëm. Ka edhe një hapësirë tjetër që është krejtësisht e papërdorur dhe që pret pikërisht kohën kur unë nuk do të jem më në këtë detyre dhe do të kem mundësi të vazhdoj të merrem me…

Fevziu: Çfarë ka kjo hapësira tjetër bosh?

Rama: Asgjë. Është vetëm mundësia për kohën për jetën e tretë. Se një jetë të parën e kam pasur si artist.

Fevziu: Si sportist

Rama: Si sportist, pedagog, njeri i lirë, që i jepja vetes të drejtën që të mos kisha asnjë pengesë. Jeta e dytë është kjo.

Fevziu: Po e treta?

Rama: Shpresoj të kem një jetë të tretë, e cila do të jetë përsëri një jetë individuale.

Fevziu: Gati të krijon përshtypjen sikur po ndërtoni një azil pleqsh. Çfarë do të jetë?

Rama: Me veprimtari tërësisht individuale. Kam një plan, por është thjeshtë një ëndërr.

Fevziu: Meqë hymë tek shtëpia në fakt, se nuk doja të fokusohesha shumë aty. E keni projektuar vetë si ide shtëpinë?

Rama: Është një shtëpi që ka filluar si një ide e imja. Sigurisht më kanë ndihmuar dhe të tjerë, se nuk mundem dot të detajoj…

Fevziu: Pjesën konstruktive.

Kryeministri: Nga pikëpamja personale, por po, është një shtëpi që filloi si ideja e 4 frutave në lëndinë. Njëra pjesë është oborr, pra hyn në shtëpi, por në fakt je përsëri jashtë. Ka një pjesë ndenjeje që është 130-135 metra katror, ka dhe një pjesë gjumi që ka 3 ndarje, 3 dhoma, por e gjitha është 90 metra katror. Pjesa e katërt është atelieja që me gjasë do të jetë…

Fevziu: Është e vërtetë, siç kam lexuar në shtyp, që e keni shtëpinë pa dritare, si një lloj bunkeri?

Kryeministri: Është një zgjidhje e veçantë. Në fakt ka një dritare, po e vërtetë është, në pjesën e gjumit nuk ka dritare. Megjithatë ka dritë më shumë sesa po të kishte dritare.

Fevziu: A është e dekoruar për festa dhe kush merret me to?

Kryeministri: Po ka një pemë të vitit të ri brenda, ka dhe një pemë të vitit të ri jashtë në oborr.

Fevziu: Më duket pak e çuditshme që Edi Rama të ketë një pemë të vitit të ri klasike, me topat edhe me flokët e borës.

Kryeministri: Po por unë jam kryeministër kur dal nga shtëpia, ndërsa në shtëpi ka një mbret, Zaho. Është mbreti që vendos, kështu që mbretit nuk mundet dot t’ia privonim pemën e vitit të ri dhe topat në të.

Fevziu: Sa kohë kaloni me Zahon?

Kryeministri: Do të doja të kaloja shumë më tepër, por megjithatë përpiqem që të mos ketë asnjë ditë që mund të fillojë ose të mbarojë pa Zahon.

Fevziu: Arrin ta perceptojë faktin që mungoni gjatë në shtëpi, ose nuk jeni prezent saç ndoshta ai do të donte? Gjë që kam përshtypje, shumë fëmijë e ndjejnë.

Kryeministri: Kam përshtypjen që arrin, sepse në momentin kur nuk është i kënaqur me mua, për një arsye ose një tjetër, për një lodër apo një film, apo për një top, thotë, “shko në punë tani”.

Fevziu: Fëmija juaj i parë, pra, djali juaj i parë ka ardhur në jetë kur ju ishit i ri, 20 e ca vjeç, ndërkohë djali tjetër ka ardhur në një moshë më të pjekur. Çdo të thotë të bëhesh baba në këtë moshë? Në fakt nuk është shumë e zakonshme.

Kryeministri: Në fakt, e vërteta është që për arsye të rrethanave, unë nuk mund të them që e kam përjetuar, siç e keni pasur fatin ta përjetoni ju dhe përgjithësisht të gjithë, të qenit baba, në kontakt me fëmijën gjatë gjithë kohës, në momentin e parë, me Gregun dhe ishte një ndjesi që me siguri është e ndryshme në këtë distancë kohe, por për mua ishte komplet e befasishme, e jashtëzakonshme dhe nuk e kam imagjinuar kurrë që do të ishte një emocion dhe një burim kaq i mrekullueshëm energjie pozitive dhe dizintoksifikimi nga helmet e jetës jashtë mureve të shtëpisë. Ndërkohë që me siguri është një fat shumë i madh, kur je në këtë punë, përveçse je baba dhe të jepet kjo dhuratë kaq e mrekullueshme.

Fevziu: Ndërkohë raportin me djalin e madh si e keni?

Kryeministri: Është shok. Ka qenë shok që kur nuk ishte në moshë për të qënë shok, për arsye se marrëdhënia jonë ishte marrëdhënie shumë e posaçme dhe unë, nën shembullin e tim eti, kam qenë gjithmonë shumë këmbëngulës që ai të ishte sa më i lirë dhe të merrte sa më shumë vendime vetë.

Fevziu: Çfarë pasionesh ka?

Kryeministri: Ai ka pasion të shkruajë. Shkruan vërtetë, besoj, bukur. Ka pasion të skulpturojë, ka pasion të fotografojë. Përgjithësisht është në këtë botë.

Fevziu: Raportin me djalin e vogël, raporti midis tyre?

Kryeministri: Perfekt.

Fevziu: Perfekt, pavarësisht distancës në moshë?

Rama: Perfekt.

Fevziu: Doja t’ju pyesja në fakt, se kam pyetur edhe të gjithë të ftuarit e tjera, ku do ta festoni Vitin e Ri? Vjet ju gjeti në Amerikan Arena në Miami, duke parë një ndeshje basketbolli, në mos gaboj, i ulur pranë Sel Rusit, një shqiptaro-amerikan i njohur, një vizitë gjysmë inkonjito, gjysmë sekrete, që u dekonspirua vetëm nga fotot.

Kryeministri: Nuk gabon, s’ke si të gabosh se faktikisht është një moment që u bë edhe ngjarje e disproporcionalisht e madhe, pasi këtu ndodhi për fat të keq që…

Fevziu: Vërtetë shkuat për të parë një ndeshje basketbolli? Një kryeministër i një vendi shkon për të parë një ndeshje basketbolli?

Kryeministri: Nuk shkova për të parë një ndeshje basketbolli. E kam thënë, por mbase nuk e keni vënë re, shkova sepse i kisha premtuar gjyshit, pra, të atit, kreut të familjes, një burrë shumë i lartë, Turhan Rusit, se do t’i shkoja për vitin e ri dhe ai do të ishte në shtëpi, pasi ai pati një operacion shumë të vështirë në zemër dhe praktikisht ishte në një situatë shumë kritike. Unë e mora në telefon dhe i thashë t’i do të bëhesh shumë mirë dhe unë do të vij të të vizitoj për vitin e ri. Ishte një fjalë që e dhashë për atë burrë dhe shkova për këtë arsye.

Fevziu: E kuptoj që nuk paskeni shkuar për një ndeshje basketbolli, në këtë rast që ka qenë i kreut të familjes Rusi, por ju kam parë edhe në ndeshjen e Bayernit, për shembull, kur shkoni edhe me xhupa të Juventusit apo të ekipeve italiane. Kam përshtypjen, ky pasion për sportin, për t‘u gjendur nga pallati i sportit në stadium, nga se vjen?

Kryeministri: Në fakt, problemi im është që po të shkoj njëherë në një stadium, duket sikur shkoj gjithmonë në stadium. E vërteta është që unë kam shkuar në stadiumin e shtetit shumë më pak sesa ti, ose sa shumë të tjerë që kanë këtë mundësi të lëvizjes. Dhe tjetra që është e rëndësishme, kam shkuar në stadium, ose kam shkuar në Amerikë, ose nëse ka pasur ndonjë arsye, kam shkuar jo për arsye pune, me shpenzimet e mia që ma lejojnë që të bëj edhe ndonjë udhëtim tjetër. Për me tepër se kaq, në fakt te Bayerni më ftoi Karl-Heinz Rummenigge mbasi këtu ishte Carlo Anceloti dhe patëm një nga ato bisedat që bëjmë në Qendrën për Hapjen dhe Dialog, këtu poshtë, për lidershipin. Jemi shumë miq dhe ai mu lut që të shkoja. Unë me të qeshur i thashë nuk vij po nuk pata ndonjë ftesë zyrtare. Ftesën ma bëri drejtuesi i Bayernit dhe gjeta një moment.

Fevziu: Pra ishte privat? Nuk kishte lidhje me statusin?

Kryeministri: Ishte tërësisht private dhe nuk ishte që vajta dhe pastaj shkova në Berlin, sepse kisha dhe takimin në Berlin. Por jam kthyer dhe pastaj jam rinisur.

Fevziu: Zoti Rama, një nga pyetjet që jua kanë bërë pothuajse të gjithë të ftuarve, cili ka qenë momenti më i vështirë ose më i bukur i 2016-s. Të sugjeroja të mos fokusoheshit tek pjesa publike politike, por te pjesa private.

Kryeministri: Momenti më i vështirë ka qenë ai që përmendët ju, momenti kur isha atje në SHBA dhe këtu ndodhi ajo që ndodhi, pati një mot shumë të rënduar dhe faktikisht, distanca e bën të pamundur që të isha. E kuptova se nuk është se nuk i bëra punët që duhet të bëja, sepse me teknologjinë sot mund të bësh çdo gjë, por prapë ai ishte një moment i vështirë, sepse sigurisht që ishte një moment ku edhe ajo balta e përditshme kishte intensitet më të lartë dhe faktikisht krijoi ndjesinë sikur..

Fevizu: Mos ta kthejmë në politikë, sot jam me format tjetër. Dhe momenti më i bukur?

Kryeministri: Ka qenë momenti i ditëve të pushimit me Zahon, për shkak se këtë vit ishte më i rritur dhe kishte një marrëdhënie prej më të rrituri me detin. Ishte vërtetë një kënaqësi e jashtëzakonshme.

Fevziu: Ju thatë që kohë të lirë mundoheni gjithmonë të gjeni për Zahon, ndërkohë jeni kryeministër, jeni shumë i impenjuar edhe prej postit. Keni djalin e vogël me të cilin doni të konsumoni kohën, por të paktën në informacionet që kam unë, – do të thoni që janë informacione që qarkullojnë në Tiranë, por dhe midis tyre ka padyshim të vërteta, siç ka edhe ekzagjerime, – ju harxhoni kohë shumë të madhe duke punuar në poçeri. Madje mund të jeni i pari kryeministër që duket sikur i kushtoni më shumë kohë poçerisë sesa kësaj poçerisë së madhe, Shqipërisë. Është e vërtetë që keni një poçeri tuajën?

Kryeministri: Ky nuk është një informacion i marrë në rrugë investigative, sepse, mbase e ke harruar, por e ke lexuar, kur e kam treguar vetë. E kam treguar vetë si kam kaluar nga vizatimet që më shoqërojnë në të përditshmen time dhe që nuk i bëj po qe se nuk jam në një takim, në një mbledhje, është njësoj si, të thuash, një bashkërrugëtim ku përqendrohem shumë më tepër në bisedë, ndërkohë që dora bën punën e vet. Kur kam vajtur tek një shoku im i fëmijërisë, i cili ka një studio dhe vajta për ta falënderuar sepse i kishte bërë një dhuratë shumë të bukur sime mëje, disa pjata që ai prodhon mbi disa vizatime të mia. Dhe aty kapa me dorë baltën.

Fevziu: Keni punuar ndonjëherë me baltë?

Kryeministri: Jo nuk kam punuar asnjëherë, me thënë të drejtën. Shumë vite më parë, kam qenë pak më i madh se Zaho, mbaj mend që kam bërë një skulpturë të vogël në studion e tim eti, por nuk e kam pasur asnjëherë pasion skulpturën. Aty bëra një diçka të vogël. Pastaj nuk harxhoj kohë shumë të madhe. Mund të shkoj dy herë ose tre herë në muaj, mund të jenë dy të shtuna.

Fevziu: Punon vetë me baltë, në poçe?

Kryeministri: Absolutisht. Dhe jam një poçar jo i keq.

Fevziu: Ç’do me thënë poçar jo i keq? Pashë një ekspozitë në Neë York, ishin ekspozuar disa nga poçet.

Kryeministri: Ato nuk janë poçe, ato janë pak më shumë sesa kaq. Por që filloi me vazot dhe pastaj u zhvilluan, ndërkohë që një shoku im është një mjeshtër për qeramikën dhe kalojmë shumë mirë. Do doja që ato momente të kohës të lirë t’i përdorja për të lozur basketboll.

Fevziu: Kam dëgjuar që lozni. Në oborrin e Kryeministrisë keni dhe një kosh. Thonë që sa herë lodheni, ose i bërtisni vartësve, zbrisni hidhni disa topa.

Kryeministri: Ideja ka qënë që të mund të ftoja ndonjëherë shokët e mi të vjetër, që kanë qenë basketbollistë shumë më prej vërteti, Gaz Çaçi etj..

Fevziu: Edhe Beqajn?

Kryeministri: Edhe Beqajn. Por nuk e kam bërë asnjëherë, sepse nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë dhe kur janë në mes 50 vjet, atëherë, mendja të thotë se mund të kërcesh, gjuri të thotë ndalo se mund të biesh.

Fevziu: Shpresoj që nuk ka filluar e gjithë qeveria që të gjuajë kosha, e keni vetëm ekskluziv tuajën?

Kryeministri: Jo, nuk është se përdoret në fakt, për fat të keq, ashtu siç do doja.

Fevziu: Ndërkohë, meqë po flisnim për poçet dhe unë e përdora ndoshta me fjalën më të përdorshme në publik, kam parë që keni hapur disa ekspozita. Ka pasur dhe debat për ekspozitat tuaja. Kam një pyetje, në fakt mos e merrni, se unë thashë, nuk jam në formatin ngacmues sot, jam në format tjetër. Si shpjegohet që sa kohë nuk ishit kryeministër, nuk kishit kaq shumë ekspozita. Tani që u bëtë kryeministër, edhe poçet duken më të bukura për ekspozitat e perëndimit? Mos kanë lidhje me kryeministrin këto ekspozita?

Kryeministri: Në fakt, kur nuk kam qenë kryeministër, kam bërë më shumë ekspozita, por nuk binin aq shumë në sy saç bien tani. Më lejo të të them që, për fat të mirë ose të keq, unë nuk di të kem bërë ndonjë gjë që nuk ka bërë zhurmë. Për shembull, unë jetoja deri shumë vonë në një apartament shumë modest, me qira dhe të gjithë thoshin ky ka 200 shtëpi. Në momentin kur si të gjithë shqiptarët e tjerë bëhem me shtëpi dhe jo falë meje, sepse s’kam pasur asnjëherë një marrëdhënie të afërt me gjërat materiale, por falë Lindës, atëherë u bë shtëpia më e madhe në botë. Kështu që s’ka gjë që bëj unë, për fat të mirë apo të keq, që nuk bën zhurmë. Ekspozitat është e vërtetë që kanë ndodhur dhe kanë ndodhur, – gjëja që më vjen mirë, – në një proces shumë të natyrshëm, me galeri jashtëzakonisht profesionale.

Fevziu: Sa ka ndikuar të qenit kryeministër? Vetëm dua të jeni i hapur. Unë cekova galerinë e Neë York-ut, kjo është detyra ime, të cekoj dhe ishte një galeri prestigjioze. Si shpjegohet që kjo galeri prestigjioze ju fton tani që jeni kryeministër, nuk ju ka ftuar 7 vjet, 10 vjet përpara, nuk po them 15 vjet përpara, kur nuk ishit as në politikë. Sa ndikon të qenit Kryeministër? Është ekzotike për një galeri të ftoj kryeministrin e një vendi që hap një ekspozitë. Sa e ndihmon kryeministri, Edi Ramën në këtë rast?

Kryeministri: Tani po ju them unë si ka nisur kjo histori, sesi ka shkuar kjo histori në një stad tjetër. Patjetër që ka një moment, si të thuash, kurioziteti dhe ka një moment atraksioni që këto gjëra i bën një njeri që është edhe kryeministër. Por nëse këto gjëra nuk do të kishin vlerë, ose nuk do ishin atraktive në vetvete, askush nuk do guxonte të hapte një ekspozitë në një galeri që nuk jeton me kryeministra, por jeton me tregun e avancuar të artit bashkëkohor. Kjo ka filluar kur unë kam botuar librin e vizatimeve me Anri Salën. Anri insistonte shumë. Anri ishte njeriu që në fakt më ka shtyrë dhe më thoshte gjithmonë, shiko, mos ki kompleks, sepse kjo është diçka që duhet ta shohin njerëzit. Libri pastaj u shpërnda në shumë muzeume. Ky libër i ra në dorë një galeristi të famshëm në Berlin, i cili kërkoi të më takonte, erdhi këtu. Kur hyri në zyrë dhe pa dhe zyrën e të gjitha u impresionua jashtëzakonisht shumë dhe më tha “unë dua të kemi një marrëdhënie profesionale bashkë”. Pastaj ka ndodhur ajo që kam treguar, që më vjen një letër nga Marian Goodman, që është the top of the top, është një instancë, madje unë u habita dhe nuk u besoja syve.

Fevziu: I shton vëmendje të qenit kryeministër, galerisë?

Kryeministri: Unë besoj se këto galeri nuk kanë nevojë që të rrisin vëmendjen ndaj tyre, duke ekspozuar një politikan. Bile është shumë e rrezikshme për to, nëse ajo që ekspozojnë nuk ka cilësi në vetvete. Por patjetër që fabula është fabul. Nuk dua të përmend emra, por për shembull, por të ishte kaq kollaj, ka të tjerë burra shumë më të mëdhenj sesa unë, që kanë kaluar dhe nga Shtëpia e Bardhë, që bëjnë piktura, por nuk i ka ftuar njeri të bënin ekspozita.

Fevziu: Meqë përmendët zyrën, zyra që ju keni, është zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Pra, është zyra e kreut të ekzekutivit. Ndërkohë ju e keni mbushur me flutura, me vizatime fluturash apo të tjera. A është pak “strange” për të huajt, pra, e çuditshme për të huajt që vijnë t’ju vizitojnë tek kjo zyrë. Pra, një zyrë duhet të jetë një zyrë simbolike, që ikën dhe vjen një kryeministër, por mbetet një zyrë simbolesh shteti.

Kryeministri: Të them të vërtetën, kur shkova në Bashkinë e Tiranës, bëmë atë shtesën e bashkisë, se zyra e kryetarit të bashkisë ishte një hata më vete, zyra e vjetër e komunitetit ekzekutiv dhe tek kolltukët ku uleshin miqtë, tek këndi, ishte një kovë që mblidhte ujin që binte nga tavani pikë-pikë. Ndërkohë, Këshilli Bashkiak nuk kishte sallë dhe mblidheshin nëpër restorante. Urbanistika nuk kishte një atelie. Atëherë unë bëra një shtesë. Kur kam bërë zyrën e kryetarit të bashkisë, kam menduar pikërisht këtë gjë, kjo zyre është zyrë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe i kam vënë dhe stemën dhe datën, me idenë që do jetë për 50 vjet. Kishte një qasje personale, por nuk ishte një zyrë ku të thoshin ky ka ekspozuar veten e vet. Më ka dhembur shumë, kur kam parë që mbi mermer është shtruar laminat, kur kam parë që muret janë hedhur përtokë, kur kam parë një transformim që nga një zyrë, ku të gjithë ata që e kanë vizituar, që nga Romano Prodi që erdhi në hapjen e zyrës dhe gjithë të tjerët impresionoheshin pozitivisht, u kthye në një sallë aeroporti të dorës së dytë. Kur erdha në zyrën e kryeministrit, ajo që bëra unë, së pari, rikuperova një vlerë të jashtëzakonshme që ishte o nëpër bodrume, o në Shkodër në një repart ushtarak, mobilet origjinale të dizajnuara nga Gio Ponti, që sot konsiderohet babai i dizajnit modern. Pra, gjithçka që është brenda, nga pikëpamja e mobilieve, jo gjithçka, por 80%, është Gio Ponti. Rikuperova atë dyshemenë ku kishte laminat mbi mermer nga koha e kaluar dhe disa karrige transparente, që mund të rrinë mund të mos rrinë. Tek muret, vendosa letër murale me vizatime dhe me idenë që, kur të vijë tjetri ta prishi, më mirë e heq vetë dhe po iki dhe e lë murin e bardhë. Por ajo që është më e rëndësishme është – ju siguroj – se të gjithë krerët e shteteve që kanë ardhur e kanë vizituar atë zyrë dhe që kam pasur rastin t’i takoj më pas, flasin për zyrën. Domethënë janë gjëra, të cilat i bëjnë mirë, si të thuash, edhe përshtypjes, i bëjnë mirë edhe raportit njerëzor, i bëjnë mirë, besoj unë, edhe një marrëdhënieje me vendin. Nuk dua të përmend emra, se s’kam dëshirë, por një nga figurat kryesore që ka ardhur këtu, kur e kam përcjellë në fund më tha “kjo godinë”, – se vizitoi katin e parë, zyrën, sallën e hartave, – “është promotor shijeje. Uroj shumë që sa më shumë të tilla të kisha mundësinë të shikoja.”

Fevziu: Kjo godinë që kur e ka projektuar Gherardio Bosio, kam përshtypjen ka qenë një nga godinat më të bukura që ekzistojnë sot në Europë. Që kur është dizajnuar.

Kryeministri: Patjetër, por të siguroj që nuk e kishte fjalën vetëm për pjesën e jashtme, por për gjithçka pa. Të siguroj po ashtu, që kam parë njerëz që kanë dalë të tmerruar nga kjo godinë, në kohën kur kam qenë ministër. Vinin nga jashtë dhe nuk e imagjinonin dot sesi mundej që një monument i tillë të ishte rrënuar në atë masë.

Fevziu: Kam 2-3 pyetje të vogla politike. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje. Do rinovohet Parlamenti. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: A do ketë sërish persona problematikë, si ata që kishte ky Parlament? Pra, në vullnetin tuaj, nuk po them ata që i pengon ligji, a do tentoni të fusni sërish persona të dyshimtë, të akuzuar, me 100 probleme në biografinë e tyre?

Kryeministri: Unë jam i neveritur dhe i shoh me përçmim të gjithë ata që më shohin mua si njeriun që tentova, apo ia dola të fus njerëz me rekorde kriminale në Parlament. Unë kam bërë verifikimet e mia, aq sa mundësi kam pasur dhe asnjëherë e asnjë çast nuk kam ftuar njerëz, për të cilët ka pasur rekorde kriminale. Ndërkohë që tani kemi miratuar një ligj, të cilin e kemi votuar dhe ne, e kemi lënë ta shkruajë siç të donte Partia Demokratike dhe ky ligj do zbatohet. Zbatimi i ligjit është absolutisht një garanci që kushdo që ka një problem në të shkuarën, nëse gënjen, – se tani as unë dhe as Partia Socialiste apo cilado parti nuk janë ekipe hetimore, – nëse ka diçka të fshehur në të kaluarën e dikujt që ai nuk e deklaron dhe kjo zbulohet, atëherë pasojat janë shumë të qarta. Unë nuk besoj se do ketë njerëz që do guxojnë të hyjnë në këtë proces dhe pastaj të dalin të diskretituar publikisht.

Fevziu: A do zgjasë vitin e ardhshëm martesa juaj? Flas martesa politike me Ilir Metën? Do pyes edhe zotin Meta. Ju keni thënë që Meta mund të rrijë me ne, ose mund të rimartohet djathtas. Ju personalisht kërkoni që Meta të rrijë në martesë, pra, e quani një martesë të suksesshme që duhet të vazhdojë, apo do tentoni të luani i vetëm në zgjedhje?

Kryeministri: Krahasimi me martesën është bërë në një kontekst të caktuar, kur jam pyetur nga një kolegia juaj e TV Klanit. Ka qenë më shumë një batutë. Megjithatë le t’i rrimë kësaj, përsa i përket Partisë Socialiste dhe mua personalisht, koalicioni me LSI është strategjik. Pra, është diçka që shkon përtej meje, sipas meje dhe përtej një ekipi që është sot. Është një investim për të konsoliduar një forcë progresiste të majtë, moderne, europiane, që nuk është ende si shumë e si gjitha gjërat e tjera, ajo që duhet të jetë, edhe pse është padyshim forca më e madhe dhe forca më e besueshme progresiste që ka vendi, përtej të metave, problemeve, boshllëqeve etj.. Pra, unë besoj që përsa më takon dhe përsa na takon, nuk ka absolutisht asnjë arsye nga ana jonë që ne të godasim një projekt strategjik, një program strategjik.

Fevziu: Pra, do tentoni të shkoni sëbashku. Pyetja e fundit para se t’ju kërkoj një urim për shikuesit. Duket që vazhdimisht takoheni me Metën. Ju shoh që kaloni rrugën me duar në xhepa, për t’i shkuar në zyrë. Është folur që herë pas here e ftoni për të darkuar në Kryeministri, në darka që zgjasin gjatë. Cili është raporti yt personal me Metën? Asnjëherë nuk më është dukur që ka pasur ndonjë pëlqim mes jush, por në fakt, personalisht si shkoni?

Kryeministri: Këtë të nivelit pëlqimit mes burrash mos ji kaq i sigurt që mund ta identifikosh, siç mund ta identifikosh mes grash. Ne kemi pas një histori të veçantë, me thënë të drejtën, sepse kemi qenë shumë afër në kohën kur të dy ishim, besoj unë, jo mjaftueshmërisht të pjekur nga pikëpamja politike. Pastaj kemi kaluar një periudhë që dihet. Jemi ritakuar me shumë më tepër eksperiencë dhe në fund të fundit, besoj, edhe me mirëkuptimin e brendshëm, por dhe me njëri-tjetrin, që nuk jemi këtu për të ndryshuar njëri-tjetrin, por jemi këtu për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke u munduar të jemi sa më komplementarë. Jemi dy njerëz komplet të ndryshëm. Nuk e di si do ishin marrëdhëniet tona, nëse do ishim dy fqinj, por di që tek ky fakt që jemi kaq të ndryshëm, ka një potencial shumë të madh për të qenë komplementarë. Pra, siç ka një potencial për të qenë eksplozivisht antagonistë, ka dhe një potencial të madh për të qenë komplementarë. Besoj që me vështirësitë përkatëse, edhe ai, edhe unë përpiqemi që të shfrytëzojmë dhe të rrisim këtë potencial të të qenit komplementarë.

Fevziu: Që të mos e zgjasim me pyetje politike, ku do festoni, në shtëpinë tuaj?

Kryeministri: Dëshira e madhe dhe një tentativë që bëmë ishte që të festonim fundin e 2016-ës, që në fakt po ikën në mënyrën më të keqe të mundshme, sepse humba një nga njerëzit më të shtrenjtë, pavarësisht se nuk kemi pasur shumë marrëdhënie intensive vitet e fundit, Bujar Lakon dhe fillimin e vitit tjetër, që shpresoj në këtë aspekt të mos na ketë rezervuar lajme të tilla tragjike, në Kosovë, Prishtinë, kisha shumë dëshirë. Por mesa kuptuam, nuk është një traditë, siç është këtu, që në 31 festohet në një restorant, me njerëz, etj. Pra, deshëm ta festonim bashkë me Lindën në Kosovë, por nuk u bë e mundur. Kështu që do ta festojmë në shtëpi, ose mund të shkojmë rrotull, por këtu.

Fevziu: Faleminderit zoti Rama për intervistën!

Kryeministri: Sinqerisht gëzuar, çdo të mirë, mbi të gjitha, shëndet, pastaj tjerat vijnë vetë!

Fevziu: Gëzuar!

 

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu:

Meta, a jeni person që e ndjeni atmosferën e festave, pra hyni në atmosferën festive?

Padyshim, po të kesh fëmijë le të themi pak të vegjël, gjithmonë do ta ndjesh këtë atmosferë dhe kjo ka filluar që në fund të muajit nëntor me vendosjen e pemës.

Është ajo atmosfera që krijojnë fëmijët, por kur keni qenë fëmijë vetë z. Meta, ka qenë një Shqipëri ndryshe në fakt me shumë mungesa dhe me shumë privacione…

Atëherë, jo një muaj para, por një vit para mendohej për Vitin e Ri, për bakllavanë, gjelin, etj.

Si ka qenë viti 2016 për ju? Gjithmonë është momenti në një kohë të tillë që të bëhet një bilanc për vitin. A ka qenë 2016-ta një vit i mirë?

Ka qenë një vit interesant, i veçantë në shumë aspekte, një vit me sfida.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira të 2016-s për ju apo momentet kur jeni ndjerë më në siklet ose në një lloj sfide?

Nga ana politike për shkak të angazhimit, sigurisht që momenti më i vështirë dhe më i mirë ka ndodhur në më pak se 24 orë. Pra, nga mbrëmja e 20 korrikut në të gdhirë të 21 korrikut e deri pasditen e 21 korrikut për të shkuar te mesnata, momenti kulminant i reformës në drejtësi.

Pse ishte kaq intensiv ky 24 orësh z. Meta?

Padyshim, sepse ishte një reformë që duhet të behej me konsensus ose që do të instalonte një konflikt politik afatgjatë për vendin dhe nuk do të arrinte asnjë qëllim të reformës në drejtësi, që kërkonte e gjithë shoqëria shqiptare. Pra, ose do të legjitimonte themelet e kësaj reforme ose do të legjitimonte në një farë mënyre një konflikt të pafrenueshëm më pas.

Ju luajtët një rol në atë që mund të quhet gjetja e konsensusit, në fakt dua t’iu bëj një pyetje tjetër që nuk ka shumë lidhje me politikën. Si shpjegohet që ky vend mund të gjejë konsensus aty-këtu, por nuk mund të gjejë konsensus për gjëra të tjera të mëdha, tej reformës në drejtësi? Si shpjegohet që vendi është vazhdimisht në konflikt? Ju jeni sot një prej politikanëve më afatgjatë në vend, një prej atyre që keni dalë që në dhjetor të 90-s dhe vazhdoni karrierën politike, shumë pak kanë mbetur të tillë pavarësisht moshës…|

Është për të ardhur keq, sepse vendi ka nevojë për disa kolona afatgjata të stabilitetit dhe të zhvillimit të tij, si nga ana ligjore e institucionale ashtu edhe nga ana e ekonomisë apo qoftë edhe e kulturës. Pak më parë se të vihesha në dispozicion tuaj takova një personalitet të njohur të komuniteteve fetare në vendin tonë, i cili më shprehte shqetësimin se përse veprojmë vazhdimisht në presionin e momentit dhe nuk i kushtojmë pak vëmendje mbrojtjes, konservimit të disa vlerave afatgjata kombëtare, që i shërbejnë edhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, sikurse kemi të bëjmë edhe me trashëgiminë fetare. Por unë mendoj që e ardhmja do të shkojë drejt konsensusit për gjërat më të rëndësishme më bazike të shoqërisë sonë dhe jo të konfliktit.

Zakonisht në fund të vitit thuhen fjalët e mira, kam parasysh se po i thoni këto për të përcjellë vitin me fjalë të mira se që të shkojë drejt konsensusit duket pak e çuditshme…

Unë besoj që shoqëria shqiptare është mjaft e lodhur nga konflikti i tepruar dhe i stisur politik.

Dua t’ju bëj një pyetje krejt personale, drejtoni çdo të enjte një seancë tmerrësisht konfliktuale, tmerrësisht të vështirë, tmerrësisht të lodhshme në Parlament. Nuk ndiheni vetë gati-gati i neveritur nga ajo që shihni aty?

Ndihem i keqardhur, për arsye se shterojnë energji pa kuptim dhe në më të shumtën e kohës nuk flitet për përmbajtjen e ligjeve që mund të ishte më me interes, por shpresoj shumë që Parlamenti i ardhshëm të jetë shumë më cilësor se sa aktuali…

…Me certifikata më të pastra besoj…

…Jo vetëm çështja e certifikatës. Mendoj se kjo e banalizon pak atë që kërkojnë qytetarët nga Kuvendi, por edhe figura më cilësore, të cilat sjellin mendime, ide konkrete për të përmirësuar legjislacionin dhe për të ndikuar realisht në jetën e qytetarëve.

Meta, a e keni menduar ndonjëherë ose a keni arritur të analizoni që gjithë ajo – unë e quajta teatër ose betejë në Parlament të enjteve – është shkëputur krejtësisht nga interesi i përditshëm publik? Pra, një qytetar që sheh nga televizori nuk gjen asgjë që shkon në favorin e tij në ato diskutime…

Unë pikërisht u përpoqa të nënvizoja më parë, që të punojmë dhe të shpresojmë, meqenëse ju thatë se është edhe fundviti dhe gjithmonë urohet e synohet një vit edhe më i mirë, që Parlamenti i ardhshëm të kontribuojë, pavarësisht nga përbërja politike, për një cilësi tjetër të përfaqësimit dhe të lidhjes së deputetëve me problemet e qytetarëve. Ky është një konflikt në nivelet e larta dhe i stisur, nuk është një konflikt midis qytetarëve shqiptarë.

Qytetarët shprehin pikërisht këtë shqetësim, që Parlamenti nuk reflekton më interesin e përditshëm të tyre, por është futur në një axhendë që ka më shumë larje hesapesh midis personave se sa shqetësime reale…

Mendoj që edhe qytetarët do të duhet të thonë fjalën e tyre.

Vetëm të dalin në rrugë e të protestojnë para Parlamentit…

Nuk po flas thjesht vetëm për këtë çështje, sepse edhe kjo është demokratike, por vitin e ardhshëm kemi zgjedhje dhe të gjitha forcat politike duhet të kenë përgjegjësinë për të paraqitur kandidatë sa më të përgjegjshëm, sa më dinjitozë për të qenë në Kuvendin e Shqipërisë dhe sa më përfaqësues për qytetarët.

Ku do ta festoni mbrëmjen e Vitit të Ri, z. Meta?

Ne gjithmonë festojmë në shtëpi për Krishtlindje apo për Vitin e Ri, mblidhet e gjithë familja.

Cilat janë pasionet e fëmijëve? Kanë zgjedhur se me çfarë duan të merren? Vajza e madhe dhe djali janë thuajse në një moshë kur mund të zgjedhin…

Ende jo. Vajza e vogël ka dëshirë të bëhet artiste, duket pak si më e qartë, por mendoj se derisa të rritet do të ketë mundësi ta ndërrojë disa herë dëshirën apo pasionin e saj.

Por preferenca e juaj, për vajzën e vogël meqenëse ju e përmendët, cila do të ishte?

Mendoj që fëmijët duhet të zgjedhin atë që ata mendojnë se mund të bëjnë më mirë dhe mund të jenë më të dobishëm e më të qetë me veten e tyre.

Në politikë do ta stimulonit që të merrej?

Absolutisht që jo, për arsye se të stimulosh fëmijën që të merret me diçka për të cilën nuk ka dhunti apo nuk ka pasionin e duhur, do të thotë ta çosh në rrugën e dështimit. Dhe ne kemi vënë re që shpeshherë kanë ndodhur dështime të tilla për arsye se asgjë nuk mund të imponohet, aq më tepër në kohët tona.

Ju personalisht jeni penduar që zgjodhët të merreshit me politikë?

Është shumë vonë për të bërë këtë pyetje dhe shumë vonë për t’u përgjigjur.

Nëse do t’ua bëja pyetjen ndryshe: nëse do të rizgjidhnit sot me kaq eksperiencë sa keni dhe me gjithë këtë bagazh të këtyre viteve angazhim do të rizgjidhnit politikën?

Nuk e di, unë gjithmonë kam qenë i dyzuar në zgjedhjen që kam bërë që në fillimet e mia, por sidoqoftë besoj që ka qenë një angazhim dhe një sakrificë që ia ka vlejtur edhe pse ka qenë shumë e madhe.

Është sakrificë më shumë apo është kënaqësi?

Në rastin tim ka qenë një sakrificë shumë e madhe, sepse gjithçka më është dashur që ta arrij vetë, në kuptimin e sfidave dhe përpjekjeve. Natyrisht i mbështetur nga shumë kolegë, bashkëpunëtorë e kështu me radhë, por ka qenë shumë e vështirë.

Kur zgjodhët ekonominë (ju keni studiuar ekonomi) e zgjodhët vetë, ishte pasioni juaj apo thjesht atje ju caktuan?

E zgjodha vetë. Unë kisha vetëm një qëllim, të mos shkoja për inxhinieri mekanike.

Pse? Shkoi z. Majko nuk i doli keq…

Jo, nuk ishte problem. Për çdo gjë tjetër isha i gatshëm, edhe për shkencat e natyrës e kudo, por sepse në vizatim teknik nuk kam qenë shumë mirë, pavarësisht se në fushat e tjera kam qenë shumë mirë. Vizatimi teknik ka qenë pika ime e dobët, 9 e kam patur notën, por nuk më tërhiqte dhe vetëm këtë shqetësim kam patur. Çdo gjë tjetër për mua ka qenë shumë OK.

Do t’i sugjeronit djalit ose vajzës së madhe që të merreshin me ekonomi?

Vajza e madhe besoj se ka hyrë në këtë rrugë.

Çfarë ka zgjedhur?

Kam përshtypjen se dëshiron të studiojë për financa ndërkombëtare.

Ka qenë zgjedhja e vet?

Absolutisht e saj.

Po djali ka pasion?

Djali ka qejf të bëhet aktor, por ne nuk jemi shumë dakord.

Si e keni atmosferën me fëmijët? Një person i cili prej 25 vitesh, por edhe nga lindja e fëmijëve është në punë nga mëngjesi deri në darkë, është në udhëtim, është në fushata elektorale, ku gjen kohë për familjen dhe sa të lidhur janë fëmijët me ju?

Mendoj se fëmijët janë më të lidhur me Monikën, por padyshim që unë kam një lidhje shumë të mirë dhe të qëndrueshme, sidomos me vajzën e vogël, dhe gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohën dhe vajza e vogël është organizatorja më e mirë e drekave, darkave tona, eventeve të caktuara.

Kënaqen fëmijët nën atmosferën festive të natës së Vitit të Ri ose Krishtlindjeve?

Po, padyshim që kënaqen, sepse siç e thatë edhe ju pak më parë, nuk janë kaq të shpeshta momentet kur ne mund të qëndrojmë të gjithë së bashku.

Nëse unë ju pyes sot: cili është pasioni jashtë politikës, në atë pak kohë të lirë që keni, që nuk ja kushtoni politikës, me se merreni?

Leximi. Edhe si një mundësi për t’u shkëputur nga përditshmëria, takimet, problemet, sepse të gjitha takimet janë me probleme, por edhe për t’u relaksuar.

Sa herë keni menduar që po e lë fare politikën e të iki?

Kjo është si puna e duhanit. Mbaj mend një futbollist të madh të kombëtares sonë, nuk po ia përmend emrin, meqenëse nuk më ka autorizuar, më kujtonte kur ai shkoi te një ekip shumë i njohur jashtë dhe filloi të bënte stërvitjen atje, por ngaqë ngarkesa ishte e jashtëzakonshme çdo natë thoshte se ditën tjetër sa të zgjohem do të kthehem në Shqipëri. Por kur zgjohej e kuptonte se kjo ishte një dështim, që ai nuk mund ta pranonte dhe fillonte përsëri nga e para derisa përfundimisht u përshtat me atë situatë të vështirë.

Që do të thotë se edhe juve ju qëllon shpeshherë darkave të thoni që nuk do të shkoj nesër në mëngjes të merrem me këtë punë dhe përsëri vini të merreni me punën tuaj?

Nuk është tamam kështu, por shpesh ndodhin zhgënjime. Por efektet e tyre janë momentale, pasi shpesh ato kthehen në një motiv më të fortë për të kërkuar suksesin e radhës.

Ndërkohë që duket se 2017-ta do të jetë një vit interesant për arsye të zgjedhjeve, për arsye të disa zhvillimeve që mund të ketë. Megjithëse unë premtova që kjo intervistë nuk do të kishte pyetje politike, dy, tre detaje të vogla do t’jua bëj. Si e keni vendosur në 2017, të paktën në parashikimet tuaja, do të vazhdoni të qëndroni “i martuar” me Ramën apo do të “rimartoheni” djathtas, siç thoshte Kryeministri?

Unë martesën politike nuk e njoh si koncept. Njoh marrëveshjen.

E paska gabim Kryeministri atëherë kur mendon që ke qenë i martuar djathtas. Kjo është edhe më e rëndë që Kryeministri nuk e ka ditur që paskeni qenë i pamartuar dhe ju ka marrë për ish-të martuar…

Në këtë drejtim unë gjithmonë i kam qëndruar marrëveshjeve dhe i qëndroj marrëveshjeve, sepse vetë politika është një marrëveshje dhe funksionon në këtë mënyrë. Dhe përsa i takon vendimeve që ju kërkoni të merrni përpara Vitit të Ri, ato janë vendime që do t’i takojnë vitit 2017 dhe kurrsesi nuk do të jenë personale.

Meta të gjithë besojnë që, po ju i qëndroni marrëveshje, por kanë shumë problem tremuajshin e fundit marrëveshjes. Që do të thotë çfarë ndodh me marrëveshjen kur ajo duhet o të rinovohet ose të griset? Pra në këto dy alternativa…. Megjithëse ka shumë komentatorë që thonë se martesa juaj me Ramën është një martesë që nuk prishet dot, që nuk parashikon divorcin. Të paktën në këto zgjedhje…

Nuk kam ndërmend ta nis vitin e ardhshëm me paragjykime. Përkundrazi, por besoj që do të keni në çdo rast vendime të pjekura dhe të përgjegjshme të LSI-së, jo thjesht të miat.

Si shpjegohet që ju po tentoni të mbani një pozicion disi ndryshe nga mazhoranca. Pra duke qenë pak më tolerant me opozitën dhe më i moderuar në qëndrimet tuaja sesa Rama? Janë vendimet tuaja apo i keni kalkuluar me z. Rama?

Nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbante qëndrime identike me Partinë Socialiste, nuk do të ishte e nevojshme dhe as e domosdoshme të ekzistonte si forcë politike më vete. Fakti që këtu gjithmonë ekziston një paragjykim, që mendoj që është produkti i politikës konfliktuale të krijuar ose të mbajtur artificialisht, se ndoshta fillimisht konflikti ishte i fortë, sepse erdhi pas një tranzicioni mjaft të dhimbshëm, por tani artificialiteti është i dukshëm, nuk është një konflikt i natyrshëm dhe real.

Absolutisht që LSI-ja dallon që nuk bëhet pjesë e konfliktit. Pra mund të mbajë qëndrim plotësisht në mbështetje të një qëndrimi të PS-së, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, i argumentuar. Mund të mbajë edhe një qëndrim po themi shumë më pranë PD-së apo opozitës, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, por një gjë mund ta them me bindje që të gjitha qëndrimet e LSI-së janë në përputhje të plotë me marrëveshjen që LSI-ja ka nënshkruar me PS, në Shkodër.

Meta kam qenë shumë kurioz herë pas herë. Ju keni pasur edhe një marrëveshje me PD. Nuk mbaj mend as të darkonit një herë në javë me z. Berisha, as të takoheshit një herë në javë në zyrë. Ndërkohë që shoh z. Rama që vjen herë në këmbë, herë me duar në xhepa nga Kryeministria në Kuvend për t’ju takuar. Është folur shpeshherë që ju darkoni në atë që po e quaj “prive”-në e Kryeministrit në Kryeministri. Si janë raportet tuaja personale me z. Rama?

Raportet e mia personale janë shumë të mira me të gjithë.

A po qenë aq të mira sa me të gjithë e kuptoj…. Konkretisht me z. Rama?

Raporti im me z. Berisha, ndryshe nga ç’kam menduar dhe unë ka qenë shumë më i mirë se ç’kanë menduar shumë të tjerë se sa pritej, për arsye sepse ka qenë një koalicion risi, në kushte të vështira. Por që ka qenë i domosdoshëm për rrethanat kur përfunduan zgjedhjet e vitit 2009 dhe padyshim që me z. Berisha jemi takuar vazhdimisht. Por ndoshta nuk binte në sy se unë nuk isha Kryetar Kuvendi që ai të vinte këtu apo unë të shkoja atje.

Kush ka qenë partneri më i mirë? E di që është e vështirë, por është e sinqertë. Edhe si partner më i thjeshtë për të komunikuar? Kështu është kur ke dy martesa dhe nuk thua dot cila ka qenë më e mira…

Çdo partner ka veçantitë e tij. Unë marrëveshjet nuk i shikoj si raporte personale. Ato mund të jenë më të mira me dikë, më pak të mira me dikë tjetër. Ato janë detyrime, sepse bëhen në emër të një force politike dhe janë përgjegjësi të rëndësishme, sepse janë në raport me qytetarët.

Në këtë vit, pra në 2017-n pritet të zgjedhjet dhe Presidenti i Republikës. Nga ky parlament do të zgjidhet Presidenti z. Meta?

Kjo është një çështje tekniko-juridike. Por është e qartë që Presidenti normalisht do të zgjidhet nga ky parlament. Parlamenti i ri normalisht duhet të mblidhet në shtator.

A do të jeni ju Presidenti i ri i Republikës? A ka një marrëveshje me Ramën që ju të merrni postin e Presidentit?

Unë jam i bindur që do të vazhdoj të jem dhe më 19 qershor Kryetar i LSI-së.

Edhe në 19 qershor do të vazhdoni të jeni Kryetar i LSI-së?

Po, një ditë pas zgjedhjeve. Patjetër, sepse besoj se rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat pozitiv edhe unë do të kem të drejtën morale të vazhdoj ta drejtoj këtë forcë politike.

Si do të jetë profili i Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë sipas jush? Duhet të jetë fryt i një marrëveshje të gjerë apo një zgjedhje ekskluzive e maxhorancës? Z. Rama më ka thënë: është e drejta jonë për ta zgjedhur dhe nuk negociojmë me njeri. Ju si mendoni?

Është tepër herët për të folur për këtë çështje. Në çdo rast Presidenti i vendit duhet të jetë një njeri me integritet dhe që të garantojë një komunikim sa më gjithëpërfshirës.

Mendoni që rezultati i LSI-së do e çojë Shqipërinë në një politikë tripolare të konsoliduar, siç po flitet herë pas here?

Unë mendoj që LSI-ja do të rrisë kontributin e saj për stabilizimin e vendit nga të gjitha pikëpamjet: politike, institucionale, ekonomike. Cili do të jetë roli i LSI, kjo do të vendoset nga LSI-ja, por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptar. Ata do të vendosin rolin e gjithsecilit.

Çfarë urimi do të keni për shqiptarët sot?

Uroj lumturi të gjithëve në familjet e tyre. Sa më shumë dashuri në familjet e tyre dhe për njëri-tjetrin.

Sërish me dashuri i urove?

Po patjetër.

Dhe qetësinë e harruat z. Meta…

Qetësinë e harrova, sepse besoj se do të ketë pak hare, pak entuziazëm. Dhe dëshiroj vërtetë që të jetë një vit më i mirë për të gjithë.

 

Intervista me z. Basha:

Fevziu: Z.Basha, faleminderit që pranuat ftesën. Eshtë një format ndryshe, nuk janë pyetje të mirëfillta politike, nuk ka as tension. Eshtë një intervistë pak a shumë në atmosferën festive dhe një gjysëm profili i asaj që ju bëni, edhe thjesht jashtë zyrës, por kam edhe dy-tre pyetje politike në fund.

Basha: Faleminderit për ftesën Blendi.

Fevziu: Çfarë raporti keni me festat. I kam pyetur të gjithë të ftuarit e tjerë të këtij emisioni të sotëm. Nuk flas vetëm sot, sepse e di që kryetari i opozitës është gjithmonë më shumë i ngarkuar se ç’e imagjinojmë ne. Por flas edhe në përgjithësi, edhe në rininë tuaj, edhe në fëmijërinë tuaj dhe tani që jeni prind.

Basha: Gjërat kanë ndryshuar shumë, në mënyrë themelore. Për mua, festat në radhë të parë, janë mundësi për të kaluar më shumë kohë me familjen. Eshtë borxhi më i madh që kam. Eshtë ndaj familjes time, ndaj vajzave të mia, ndaj bashkëshortes time, ndaj prindërve. Por kjo ka ndryshuar ndër vite. Brezi ynë ka njohur festat në kohën e diktaturës të cilat ishin një mundësi për të qenë bashkë, në gëzimin e festimit familjar.

Fevziu: E ruani akoma këtë traditë, festoni në shtëpi zakonisht për Vitin e Ri?

Basha: Me sa mundemi po. Herë me prindërit me mi, herë me prindërit e Aurelës. Me vëllain tim, me vëllain e Aurelës dhe shpeshherë vitet e fundit me miq, brenda familjes.

Fevziu: E ndjeni atmosferën festive, pasi ka njerëz që i bezdisin festat

Basha: Pa dyshim, kur je në një pozicion publik, festat sjellin me vete jo vetëm privilegjin, por edhe detyrimin e një kontakti edhe më intensiv me njerëzit, duke filluar nga familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, qytetarët. Pra në këtë kuptim, sezoni i festave sjell impenjim ekstra.

Fevziu: Ta prish axhendën rutinë të ditës

Basha: E prish, por nga ana tjetër është edhe një mundësi për një kontakt të çliruar nga stresi dhe brengat e përditshme. Të urosh njerëzit në telefon, me mesazhe, kur i takon…

Fevziu: E keni dekoruar shtëpinë?

Basha: Kemi vënë një bredh.

Fevziu: Kush merret me dekorimin?

Basha: Aurela me vajzën e madhe, Dafinën.

Fevziu: Vajzat kënaqen nga atmosfera e festave?

Basha: Jashtëzakonisht! Gëzimi i festave për mua sot, është gëzimi i fëmijëve. Kur shoh fëmijët që gëzohen, kur shoh vajzat që gëzohen, ky është gëzimi që përjetoj për festat.

Fevziu: Ju thatë që zakonisht e ruani traditën për ta festuar sërish në shtëpi, në mënyrën tradicionale që kemi njohur gjithmonë. Por kam përshtypjen se ka gjithmonë akuza se në fakt ju udhëtoni më shumë në Hollandë se sa në Shqipëri, që do të thotë, e bëni atje apo këtu Vitin e Ri.

Basha: Ne e bëjmë vitin e ri këtu, këtë vit do ta bëjmë këtu, ka pasur disa raste kur e kemi bërë atje, por në tërësi familja feston këtu, familja jeton këtu.

Fevziu: Përse ju ngatërrojnë kaq shumë me Hollandën. Vura re LSI-në, në një deklaratë të fundit që sërish e riforcon këtë çështje.

Basha: Unë kam jetuar në Holandë, kam studiuar në Holandë dhe pa dyshim që kam shijuar vitet e mia në Holandë dhe i jam mirënjohës përjetë atij vendi për atë që më fali. Privilegjin që kam patur dhe vitet e para të hapjes së Shqipërisë për të shkuar e studiuar, për të krijuar miqësi atje, për të mësuar rreth një shoqërie me mundësi të barabarta për njerëzit. Ky është një privilegj që unë e kam patur, por unë kam vendosur vetë të rikthehem në shtëpi në vitin 2004, pas një periudhe katër vjeçare shërbimi në Kosovë.

Fevziu: Kishit një dilemë, të ktheheshit në Shqipëri apo të qëndronit?

Basha: Pa dyshim. Ka qenë një vendim i rëndësishëm i jetës sime, por një vendim i prerë, i marrë në konsultim me bashkëshorten time Aurela, atëherë nuk kishim fëmijë. Ne ndodhemi prej vitit 2004 këtu. Nuk janë mediat që kanë spekuluar për këtë. Por ka qenë Edi Rama që ka spekuluar. Ajo është një sajesë, një baltosje. Për fat të keq, është një nivel shumë i ulët për dikë që akuzon çdo ditë mediat si kazan e vetë bie në nivelin e baltosjes së jetës familjare të fëmijëve të kundërshtarit politik. Por siç e kam thënë edhe më parë, unë kam zgjedhur ta injoroj këtë. Ka shumë miq, komshin të pallatit, që thonë, si nuk i kthen përgjigje. Jemi në qendër të vëmendjes së publikut dhe jemi këtu për publikun dhe jo për veten tonë. Ky është një nivel i ulët i kundërshtarit politik, të merret me fëmijët e kundërshtarit, por kur kam parasysh se ç’heqin fëmijët e shqiptarëve nga i njëjti kundërshtar politik, fëmijë që për këtë festë nuk marrin dot dhurata, shumë prej tyre jetojnë në shtëpi ku u është këputur energjia elektrike, apo ku prindërit janë pa punë dhe nuk sigurojnë dot mjetet bazë të jetës, pra kur shoh se çfarë për fat të keq kundërshtari politik ka shkaktuar me politikat e tij, me papërgjegjësinë e tij, për qindra, mijëra fëmijë shqiptarë, mendoj që nuk është e domosdoshme që të reagoj sa herë që merret me fëmijët e mi.

Po, ne jetojmë në të njëjtin apartament që prej vitit 2005, apartament që e kemi blerë në vitin 2003, para hyrjes në politikë. Vajzat shkojnë këtu në shkollë, vajza e madhe shkon në shkollë dhe vajza e vogël shkon në kopësht. Gjithçka tjetër është një sajesë e pastër që bëhet vetëm për qëllime politike.

Fevziu: Ju jeni larguar në Holandë në moshë shumë të re, apo jo?

Basha: Në vitin 1993.

Fevziu: Ishit maturantë në mos gaboj… Ose në vitin e parë të studimeve dhe keni studiuar atje. Në momentin që jeni kthyer në Shqipëri, sipas të dhënave që kam unë, të mos jem i gabuar, keni pasur një pagesë shumë të mirë në Kosovë. Përse një çift që paguhet mjaft mirë në një vend tjetër, që ka ndërtuar edhe një lloj jete në një shtet tjetër ku ka jetuar për më shumë se sa një dekadë, vendos të kthehet në Shqipëri? Cili ishte motivi që ju shtyu të ktheheshit?

Basha: Motivi ishte dhe është, sepse ne besojmë, besojmë tek Shqipëria. Besojmë se edhe Shqipëria ka të gjitha shanset dhe mundësitë të kthehet në një vend ku jo vetëm unë dhe familja ime, por çdo shqiptar, të ketë mundësinë të jetojë mirë.

Fevziu: Ju ftuan apo vendosët të vinit vetë z.Basha?

Basha: Pa dyshim edhe jam ftuar, por vendimin e kam marrë unë. Vendimin e kam marrë unë bashkë me bashkëshorten time, kishim një vit që ishim martuar, në vitin 2004 ishim martuar. E kam shpjeguar para disa vitesh por po e kthej prapë në vëmendje. Isha para disa vendimeve, kisha një ftesë për të punuar në një institucion ndërkombëtar në Hagë që sapo themelohej, kisha një ftesë për të punuar në New York, po kështu për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një ftesë të përsëritur nga opozita, nga Partia Demokratike, nga Sali Berisha, për t’iu bashkangjitur përpjekjes opozitare dhe me thënë të drejtën, shpirti më qante prej vitesh…

Fevziu: Gjatë kohës që ishe në Holandë, ishe i lidhur me Shqipërinë?

Basha: Në mënyrën më intensive.

Fevziu: Vinit shpesh në Shqipëri?

Basha: Pothuajse çdo muaj. Puna më lidhte sepse gjatë kohës që studioja kam punuar part-time kryesisht me zyrën e marrdhënieve me jashtë të Fakultetit Juridik, kemi pasur disa projekte me Shqipërinë dhe kjo më mundësonte me mjete të tjera, jo me mjetet e studentit, të isha në një kontakt shumë më të shpeshtë se sa ç’i rastis një studenti në veçanti siç ishin vitet ’90 që ishin vite edhe me mundësi më të pakta për studentët se sot.

Fevziu: Z. Basha ju u larguat fiks në momentin e një kthese të madhe të Shqipërisë në aspektin shoqëror. Kur u kthyet pothuajse 12 vjet më pas, sa kishte ndryshuar Shqipëria? Jo në anën e ndërtimeve, atë vizive, por edhe në shoqëri.

Basha: Pa dyshim që ishte një Shqipëri ndryshe nga ajo që unë kisha lënë. Kishte zhvillim dhe kishte edhe prapambetje. Varet nga pikëvështrimi. Pikëvështrimi im ishte pa dyshim dhe mbetet i dikujt që ka shijuar dhe gëzuar frytet e lirisë dhe mundësive që ofron liria në Europë, në Perëndim, në një nga vendet më të zhvilluara, më demokratike, më tolerante siç është Holanda. Kështu që, nga kjo pikëpamje, kërkesat e mia për realitetin shqiptar edhe para futjes direkte në politikë, kanë qenë shumë më të larta se realiteti. Padurimi, frustrimi me gjendjen, dëshira për të bërë diçka, besimi se mund të bëj diçka, kanë qenë motivuesit kryesorë për të marre vendimin që mora.

Fevziu: Z. Basha, në këto momente që keni qenë i angazhuar si kryetar opozite, si Ministër dhe si anëtar i mazhorancës. Ka pasur ndonjë moment që jeni ndjerë i penduar që morët vendimin për t’u kthyer?

Basha: Asnjëherë! Në asnjë çast.

Fevziu: A ka pasur moment që jeni lodhur nga politika. Keni thënë, dreqi ta marrë, le të shkojë ku të shkojë…

Basha: Jo te shkojë ku të shkojë… por me të vërtetë jam kryetar i opozotës por jetoj me realitetin shqiptar, me hallet, me zhgënjimet, me shpresat e shqiptarëve dhe unë si çdo njeri kam momentet e frustrimit tim total në veçanti me pamundësinë për të ndryshuar gjërat shpejt dhe mirë siç dua dhe siç besoj se mund të ndryshojnë. Momente të tilla ka patur plotë e në veçanti këto tre vitet e fundit. Por po kështu, ka patur edhe momente shumë pozitive. Si sot që po flasim, shqiptarët kanë marrë një lajm shumë të mirë. Dy ditë para fundvitit më në fund beteja për dektiminalizimin ka shënuar fitoren e parë. Pra sigurisht është një problem që u krijua nga politika. Nuk e krijuan shqiptarët e thjeshtë, e krijoi politika. Beteja që ka nisur është në një farë mënyre për të prishur një të keqe të madhe, një dëm të madh, që politika po i bën Shqipërisë, po i bën shqiptarëve, po i bën fëmijëve të tyre. Por megjithatë njerëzit duhet të dinë te shijojnë edhe arritjet, edhe fitoret. Dhe sot mendoj që është një ditë fitoreje, shprese, për shqiptarët. Eshtë edhe një sinjal i fortë që shoqëria, njerëzit e kanë forcën për t’u ndarë nga e keqja. Nuk do të jetë një betejë e lehtë. Sepse krimi në politikë ka mbështetje dhe ka mbrojtje qeveritare, por jam i bindur që nëse shqiptarët e ndershëm bashkohen në vendosmërinë për t’u ndarë nga e keqja, do të ndahen nga e keqja dhe do të ecim përpara. Kjo është bindja ime.

Fevziu: Z. Basha çfarë bëni ju në kohën e lirë pasi kam përshtypjen shumë pak veta e dinë që në rininë tuaj ju keni qenë një volejbollist. Çfarë mbeten nga pasionet e vjetra, çfarë pasionesh të reja keni?

Basha: Pasionet e vjetra, sporti…

Fevziu: Vazhdoni të luani volejboll?

Basha: Jo, nuk është se më mbetet shumë kohë. Kam vite Blendi që nuk kam arritur të luaj në asnjë ndeshje të vetme. Sigurisht që volejbolli është një lojë skuadre, është lojë ekipi. Edhe po të kem një moment nuk është se mund të luhet menjëherë. Koha dhe rrethanat në të cilat veproj, si kryetar i partisë më të madhe opozitare, më kufizon mundësinë për të patur kohë të lirë. Koha e lirë zakonisht shkon për familjen, për fëmijët dhe pak për lexim.

Fevziu: Keni akoma mundësi të lexoni?

Basha: Kush do, e gjen gjithmonë mundësinë për të lexuar, por për mua janë orët e vona të natës.

Fevziu: Dita zakonisht, sa e ngarkuar është? Dhe çfarë axhende ka dita?

Basha: Ka një axhendë jashtëzakonisht të ngarkuar e cila komplikohet në mënyrë të rregullt, të padiskutueshme nga ndërhyrjet, ngjarjet e ditës, të cilat kurrë nuk të lënë të kesh një ditë të planifikuar. Siç nis në mëngjes, nuk mbaron kurrë në darkë.

Fevziu: Gjatë gjithë këtyre viteve që ju keni qenë edhe ministër i mazhorancës, dhe më pas do t’ju pyes edhe për vitin 2016, cili ka qenë momenti që keni ndjerë sadisfaksionin më të madh?

Basha: Kam disa. Lidhen sigurisht me produktet e punës, lidhen me momente të cilat është e thjeshtë të thuash që i kemi ëndërruar, por as nuk i kemi ëndërruar, si momenti i marrjes së ftesës për në NATO, kur isha Ministër i Jashtëm, momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, heqja e vizave për shqiptarët, udhëtimi i parë me studentët më 15 dhjetor pa viza, fiks 6 vjet e dy javë më parë, moment i paharrueshëm. Kur ingranazhet që punojnë në kokën e politikanit dhe që racionalizojnë gjithçka në fakte, argumente, në shifra, i lënë vendin një reflektimi personal, njerëzor, një miklimi që ja isha pjesë e diçkaje që realisht ndryshon jetën e njerëzve për të mirë dhe kjo nuk ndodh në momentin e sallës, të dritave apo lajmit, ndodh kur takon një çift… nuk e harroj një çift të moshuarish në tregun e Tiranës, dy apo tre javë pas liberalizimit të vizave, të cilëve u shkelqenin sytë sepse për herë të parë në 10 vjet do të shkonin të takonin djalin në Gjermani dhe ajo që merr nga një moment i tillë është shumë më e madhe se sa madhështia e heqjes së vizave, ceremonia në Bruksel. Fakti se si influencon jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, të njerëzve të thjeshtë dhe kupton se ke pasur rolin tënd, që unë kam pasur rolin tim për t’i bërë këta të ndjehen kështu.

Fevziu: Pra ke një kontribut personal në këtë rezultat të themi…

Basha: Politika është një sport i vështirë. Një sport gjaku thonë në Uashington por po kështu nëse orientohet nga e mira është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë gjënë e duhur, në javët, muajt apo vitet që na fal Zoti në këtë jetë.

Fevziu: Po momenti më i vështirë i karrierës së mëparshme, jo i këtij viti?

Basha: Padyshim ka patur shumë. Ka pasur sfida. Nuk dua sonte të risjell momentet tronditëse që kam kaluar edhe në përgjegjësitë e mia. Por ka patur të tilla.

Fevziu: Po në vitin 2016 cili ka qënë momenti më i vështirë?

Basha: Edhe aty do të ndaja disa momente. Ky ka qënë një vit sfidash të jashtëzakonshme për mua si kryetar i opozitës, si qytetar. I kam rënë Shqipërisë cep më cep dhe kam parë njerëzit në varfërinë e tyre, braktisjen e tyre, pamundësinë e tyre.

Fevziu: Gjithsesi varfëria ka qënë aty z.Basha edhe me më përpara. Nuk i ka lindur këtij vendi 3 vitet e fundit?

Basha: Ka qenë, por e kombinuar me vrasjen e shpresës që është një risi e këtyre 3 viteve dhe e theksuar në veçanti në vitin e fundit, është një dramë, një gur që të varet rëndë në shpirt. Ka edhe momente të vështira në kuptim racional të fjalës. Ka qënë momenti i realizimit, pas zgjedhjeve në Dibër, që krimi…

Fevziu: Ishte moment i vështirë zgjedhjet në Dibër apo produkti i tyre? Mesazhi i tyre?

Basha: Produkti i tyre. Mesazhi që jep për të nesërmen.

Fevziu: Përse?

Basha: Sepse tregoi që krimi ishte bërë kaq i fuqishëm me mbështetje qeveritare dhe politike sa që jo vetëm influenconte por asgjesonte procesin politik. Pra nga njëra anë shohim program, me kandidat, me fushatë, me një përpjekje klasike për të bindur njerëzit për të votuar për alternativën tënde, dhe në fund e kupton që e gjitha ishte një përpjekje që përballë nuk kishte simotrën e vet të kampit kundërshtar por kishte krimin e kamufluar, do të thoja lehtë.

Fevziu: Dhe ky do të transferohet si një problem i madh edhe në zgjedhjet e ardhdhme…

Basha: Problem i jashtëzakonshëm. Shkatërrim i procesit politik nga krimi është problem i jashtëzakonshëm. Eshtë sfida më e madhe që kanë sot shqiptarët sepse është sfida që nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet e ardhshme por ka të bëjë me mundësinë apo pamundësinë për të ndryshuar jetët e njerëzve, për të ndryshuar Shqipërinë. Zgjedhjet çfarë janë?! Janë një mundësi për të ndryshuar për më mirë. Pra shkatërrimi i zgjedhjeve dhe i procesit politik, shkatërrimi i ofertave dhe i garës është në fakt përpjekja me tinzare e këtyre 26 viteve për të asgjesuar shpresën e shqiptarëve se janë ata që kanë në dorë ndryshimin dhe jo një dorë njerëzish.

Fevziu: Nuk doja të hyja në politikë, por ky mund të jetë një problem për zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë do të bëni konkretisht?

Basha: Ne e kemi të qartë rrugën dhe do ta ndjekim atë deri në fund. Alternativë tjetër përveç fuqizimit të qytetarit, kthimit të vendimarrjes tek qytetari dhe jo tek një grup politikanësh, kriminelësh dhe oligarkësh për Shqipërinë, nuk ka dhe nuk do të ketë. Për këtë është e domosdoshme që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo vetëm kaq, por që tu ofrojë qytetarëve një sistem përfaqësimi ku qytetarët përfaqësohen nga deputetët dhe deputetët përfaqësojnë qytetarët përpara se të përfaqësojnë vullnetet politike të kryetarëve të partisë. Kjo kërkon një reformë të thellë kushtetuese. Urgjenca numër një është ndarja e politikës nga krimi. Urgjenca numër dy paralelisht me këtë, është të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Në bindjen time, zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër nuk ka dhe nuk mund të ketë ndaj beteja dhe sfida që na pret është që ti japim Shqipërisë instrumentet që çdo shqiptar të vendosë pa frikë, pa shantazh, pa shitblerje, si e do ai formën e qeverisjes dhe cilit program dëshiron ti besojë me votë dhe cilin deputet kërkon të zgjedhë në Kuvendin e Shqipërisë.

Fevziu: Kur bëhesh kryetar i opozitës me një pozicion të fuqishëm si i juaji, ose kur bëhesh kryeministër, kryetar Kuvendi, President apo edhe ministër, gjithmonë krijon një zhbalancë forcash. Humb miq dhe fiton njerëz të tjerë që në shumicën e rasteve afrohen për shkak të postit. Ju ka qëlluar që në këto vite në politikë të humbisni miq apo njerëz të afërm? Ose njerëz që u besonit  dhe krijon një mosbesim mes jush?

Basha: Dua të shpresoj që jo. Por padyshim që ngarkesa dhe sfidat me të cilat përballesh në detyrën e drejtimit të opozitës janë të tilla që kërkojnë shpesh të vendosësh interesa shumë më madhore mbi, le të themi interesa personale, apo shpeshherë edhe mbi miqësi personale. Kjo është barra e lidershipit.

Fevziu: Eshtë e vështirë kjo?

Basha: Eshtë e vështirë por është diçka që unë e kam pasur të qartë që prej ditës së parë që kam marrë këtë përgjegjësi.

Fevziu: Krijon keqkuptime?

Basha: Jam i sigurtë që po.

Fevziu: Detyrohesh ti thuash shpesh jo, një miku të vjetër sepse mendon që nuk e ben dot atë që duhet dhe mund ti thuash po, dikujt që mund të ketë qënë kundërshtari yt…

Basha: Detyra e lidershipit nuk është vetëm të udhëheqë por edhe të ruajë për sa është e mundur mirëkuptimin për vendimet e vështira që duhet të marrë. Dhe kjo ndodh përmes komunikimit. Nëse komunikohet, nëse bëhet përpjekja për të shpjeguar se cilat janë motivet e një vendimi që duhet marrë dhe nuk favorizon një mik, një koleg, një bashkëpunëtor por favorizon një ndërmarrje shumë më të madhe atëhere kam bërë pjesën time. Ajo që më bën të ndihem keq është nëse ka pasur raste kur komunikimi ka munguar dhe kjo në radhë të parë është përgjegjësia e lidershipit.

Fevziu: A jeni njeri që e ruani mërinë?

Basha: Jo.

Fevziu: Që do të thotë se i kapërceni situatat me ata që ju shajnë, ju kritikojnë, që janë agresivë me ju?

Basha: Nuk ruaj mëri. Eshtë një tipar që e kam mbartur që nga jeta civile nëse mund të themi këtu para futjes time në politikë. Mundësia për tu detashuar nga vorbulla e politikës që shpërfytyron njerëzit, kundërshtarin politik, presioni i jashtëzakonshëm që i bën ata të dalin nga vetja nga e cila nuk jam imun as unë sepse edhe unë kam pasur momentet e mia të tejkalimit të së drejtës, por në tërësi ndjek parimin që të jem i drejtë në raport me ato që besoj, pra parimet.

Fevziu: E drejtë aq sa mundet sepse drejtësi absolute nuk ka asnjëherë…

Basha: Përpiqem. Gjyqtari nuk jam unë. Gjyqtari janë qytetarët.

Fevziu: Edhe një pyetje që do të doja një përgjigje të sinqertë që duket sikur është bërë gjithmonë por po e ndërtoj në formë ndryshe. Sa e vështirë është të drejtosh PD-në në një moment që ka humbur zgjedhjet në një mënyrë spektakolare dhe mbi të gjitha pas një drejtimi 21 vjeçar të njërit prej figurave më simbol të politikës shqiptare të këtij tranzicioni, të Sali Berishës…

Basha: Shumë e vështirë. Nuk e kam fshehur në asnjë moment këtë. Eshtë shumë e vështirë, ka qënë shumë e vështirë.

Fevziu: Që kur mendohej zëvëndësimi i Berishës mendohej një ndërmarje e pamundur. Por në momentin që ju e morët përsipër, sa sa e keni ndier këtë presion?

Basha: Presion i jashtëzakonshëm.

Fevziu: Krahasimi me atë, vednimarrja duke menduar gjithmonë se si do ta bënte ai…

Basha: Krahasimi me të…unë besoj se e kam bërë të qartë pozicionin tim që nga fillimi, që kur kam kërkuar votën e demokratëve, që mos prisni që të zëvëndësoj Sali Berishën. Unë jam Lulzim Basha. Kam stilin tim, kam mënyrat e mia, kam format e mia. Natyrisht me Sali Berishën, me bashkëpunëtorët e mi në PD, me lidershipin e PD-së në vite ndaj jo vetëm krenarinë për historinë pozitive të kësaj partie, peshën e përgjegjësisë për pjesën jo pozitive, edhe vlerat e tjera. Por stili është i imi. Mënyrat, format me të cilat unë drejtoj partinë janë të mia. E bukura e kësaj që kam marrë përsipër është mundësia për të ndryshuar sepse ajo që u prit nga unë dhe pritet, është ndryshimi në PD, hapja e Partisë Demokratike. Një Parti Demokratike që u përgjigjet sfidave me të cilat Shqipëria duhet të përballet në vitin 2016 dhe jo në 2013 apo në 2005, e aq më pak në 1990, apo kur u krijua. Janë sfida të tjera. PD është një forcë e madhe që ka influencuar 26 vite të një historie, të asnjë vendi tjetër në tranzicion, po ta krahasojmë ku ka qënë Shqipëria në 1990 dhe ku është sot. Pra ka brenda vetes jo vetëm forcën por edhe detyrimin tu japë shqiptarëve dicka ndryshe. Mua më ka rënë barra, privilegji dhe përgjegjësia të udhëheq këtë ndryshim. Të udhëheqësh një ndryshim, për mua, qoftë i vogël apo një ndryshim i madh si ky që po përjeton PD-ja sot dhe që nesër do të përjetojë Shqipëria, është diçka jashtëzakonisht frymëzuese, inkurajuese, eksituese do të thoja. Eshtë një mundësi që nuk mund ti jepet çdokujt. Eshtë padyshim një përgjegjësi e madhe.

Fevziu: Ndërkohë në vendimarrjen tuaj, në momente të vështira e keni përfshirë në vendimarrje Berishën apo keni tentuar ta mbani larg?

Basha: Jo. Z.Berisha ka zgjedhur me vullnetin e tij të lirë jo vetëm të largohet nga drejtimi i PD-së por po kështu të largohet nga jeta partiake, në kuptimin që ai është pjesë e grupit parlamentar…

Fevziu: Ka momente që keni nevojë ta telefononi për ti kërkuar një këshillë apo për ta pyetur për diçka?

Basha: Padyshim, atij dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë të PD-së. Këshillat, rrahja e mendimeve etj është diçka tjetër. Por drejtimi i Partisë Demokratike është një proces i cili ndodhet eksluzivisht në duart e institucioneve të Partisë Demokratike ku unë kam rolin tim si kryetari i kësaj partie.

Fevziu: Z.Basha edhe dy pyetjet e fundit të cilat unë po i quaj edhe më politiket. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje, sa të vështira do të jenë këto zgjedhje në PD dhe a keni frikën e një disfate?

Basha: Viti i ardhshëm me të vërtetë që ka një sfidë të jashtëzakonshme, që janë zgjedhjet. Por përtej zgjedhjeve, sfida më e madhe e vitit 2017 është ndryshimi.

Fevziu: Për të ndryshuar duhet të fitosh zgjedhjet?

Basha: Unë kam bindjen se Shqipëria kërkon ndryshim, se shqiptarët kërkojnë ndryshim, se shqiptarët dhe kur flas për shqiptarët i jap vetes të drejtën të flas edhe për të majtët nuk mund të pranojnë, nuk mund të tolerojnë më vazhdimin e kësaj situate.

Fevziu: Eshtë një ndërmarrje shumë e vështirë për opozitën?

Basha: Sigurisht sepse politika e në veçanti pusheti kanë kapur gjithë interesat e vendit; kanë kapur interesat finaciare; kanë kapur interesat kriminale; kanë kapur pushtetin pra, paranë, drogën. Pra ka interesa të prekshme. Këtu nuk bëhet fjalë për të ndryshuar njerëzit nga kolltuku, bëhet fjalë për miliarda e miliarda para të drogës, para të koncensione, para të drogës, tendera publikë, që vidhen, shpërdorohen dhe japin këtë efekt në ekonomi, në gjendjen shoqërore të njerëzve, në arsim, në shëndetësi, në kujdes social, në gjendjen e fëmijëve, të moshuarve, të të rinjve, të studentëve. Pra, çdo vendim që marrim ne politikanët e në veçanti çdo vendim që merr pushteti në mënyrë të menjëhershme afekton jetët e qindra, mijëra, miliona shqiptarëve. Kemi ardhur këtu sepse politika ka humbur sensin e realitetit, sepse një grusht politikanësh sot jetojnë në një botë që s’ka asnjë lidhje me botën në të cilën jetojnë të gjithë shqipitarët dhe ky është ndryshimi që ne duhet të sjellim. Ne duhet të sjellim një politikë rrënjësisht të ndryshme. Kjo kalon përme betejash të vështira, përmes ndarjes nga krimi. Betejë e cila sot ka filluar me një lajm të mirë por që është një betejë e gjatë dhe e vështirë. Ne nuk do të ndalemi në këtë rrugë, ne do ta çojmë deri në fund këtë betejë. Sot Elvis Rroshi nuk është më kryetar i bashkisë Kajavë.

Fevziu: Por edhe një nga deputetët tuaj nuk është?

Basha: Sot Elvis Rroshi nuk është më kryetar i bashkisë Kajavë. Figurë emblemë e kriminalizimit, mesazh i pastër, i qartë për dhjetra të tjerë kryetarë bashkish dhe deputetë se ora e pastrimit të politikës ka trokitur. Se bashkë me shqiptarët e ndershëm ne duhet të sjellim ndryshimin që funksionon për jetët e tyre dhe jo vetëm për grupet e tyre parlamentare. Ndryshon grupet parlamentare, apo ndryshon ministrat. Ndryshimi duhet të jetë një ndryshim që ta prekin njerëzit, një ndryshim pozitiv. Që të ndodhë kjo, nuk mund të ndodhë me instrumenta te kalbëzuara të kësaj Republike. Kjo Republikë sot është gërmadhë. Institucionet e kësaj Republike pavarësisht prej synimeve që kanë pasur nga momenti që është bërë Kushtetuta dhe ndryshimet kushtetuese, janë të ezauruara. Demokracia direkte, demokracia direkte brenda PD, demokraci direkte për qytetarët, zgjedhje të drejtpërdrejtë të deputetëve nga populli, zgjedhje të drejtëpërdrejtë të presidentit nga populli, fuqizim të qytetarit dhe shkurorëzim të pashallarëve të politikës. Ky është ndryshimi që duhet dhe do të sjellë viti 2017.

Fevziu: Kjo z.Basha nga mënyra se si flisni më kujton pak një film mediokër që titullohej “Dhe i vetëm dhe trim në luftë”. Që do të thotë, jemi para zgjedhjeve, mazhoranca duket se po kalcifikon, po rajivëzon një koalicion të gjerë, ku për përfshin edhe LSI-në, dhe PDIU-në dhe parti të tjera. Ndërkohë që PD, përveç PR, që është aleate tradicionale nuk duket të ketë një koalicion të gjërë…

Basha: Nuk është ashtu.

Fevziu: A keni frikë se mbeteni i vetëm dhe i marzhinalizuar në këtë betejë?

Basha: Jo, nuk kam asnjë frikë që jam i vetmuar. Përkundrazi në qoftë se mund të ndaj diçka të mirë nga ky vit me ju dhe me ata që na ndjekin, dhe që dua ti falenderoj nga zemra, është mbështetja e jashtëzakonshme që kam marrë gjatë këtij viti të vështirë për betejat që kam luftuar, jo për veten time por për betejat që kam luftuar në emër të një Shqipërie ndryshe, në emër të një Shqipërie të së ardhmes. Zgjerimin e frontit opozitar, jo vetëm me koalicion tonë opozitar që përbëhet nga shumë parti, disa prej tyre parlamentare, disa prej tyre jo parlamentare, por që përfshin në gjirin e saj faktorë të shoqërisë civile, akademikë, intelektualë dhe mbi të gjitha të rinj. Të rinj, të cilët besojnë se përmes një përpjekje të përbashkët me PD, me këtë vizion timin, për një demokraci direkte, për fuqizim të popullit, rifuqizim të popullit dhe shkurorëzimin e pashallarëve në politikë, ne mund dhe do t’ia dalim. Dhe rrugë tjetër për Shqipërinë, nuk ka. Pra, jo vetëm që nuk ndihem i vetmuar por ndihem shumë i mbështetur, shumë i privilegjuar nga ngrohtësia dhe besimi që kam marrë nga shqiptarët gjatë këtij viti dhe që padyshim përbën për mua një stimul që vitin e ardhshëm ta nisim me një betejë sa më të fortë dhe vendimtare për të nesermen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Fevziu: Ku do e festoni Vitin e Ri?

Basha: Në shtepi.

Fevziu: Me familjen?

Basha: Me familjen si gjithmonë.

Fevziu: Atëhere më mbetet vetëm t’ju falenderoj dhe t’ju uroj gëzuar festat dhe mbarësi për vitin e ardhshëm!

Basha: Edhe unë dua t’ju falenderoj, t’ju uroj ju personalisht dhe familjen tuaj, bashkëpunëtorët që keni këtu dhe të gjithë bashkëpunëtorët e televizionit tuaj, të gjithë median shqiptare. Por më lejoni, edhe qytetarët shqiptarë të cilëve dua t’iu uroj në radhë të parë shëndet dhe mirësi. T’iu uroj që ky vit i ardhshëm të jetë viti që iu rikthen shpresën, që të gjejnë kurajon për të bërë gjënë e duhur. Dhe të rishpreh bindjen time se kur njerëzit e mirë bashkohen nuk ka gjë që nuk mund të arrijmë së bashku!

Fevziu: Faleminderit z.Basha!

Basha: Falemnderit z.Fevziu!







Të ngjashme