#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar:Berat Buzhala, Redi Shehu, Preç Zogaj, Marsela Karapanço. Në lidhje Skype: Arestina Skenderi

Gazetarja: Basha, takime në heshtje prej 1 viti. Çfarë diskutuan sot krerët e degëve të PD-së

I veshur me T-Shirt, me atlete dhe me një sfond të ri nga pas si asnjëherë më parë, Lulzim Basha u rikthye në një takim publik me të rinj ku dha disa mesazhe. Gazetarja Arestina Skënderi në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, u shpreh se në fakt Basha, nuk ka ndalur asnjëherë së testuari aty ku ka gjetur mbështetjen nga demokratët.

Madje gjatë këtij 1-vjeçari të dorëheqjes së tij ai ka zhvilluar herë pas here takime të mbyllura me deputetë të PD-së, por edhe persona që mbajnë ende një post në PD-në zyrtare. Gazetarja tregoi se ditën e sotme është zhvilluar një takim mes krerëve të degëve të PD-së, të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të Bashës. Sipas burimeve të saj, ata kanë diskutuar për një rikthim të Bashës në krye të partisë.

“Nëse do flasim për axhendën e 1 viti të Lulzim Bashës duhet thënë se që prej momentit që ka dhënë dorëheqjen, nuk ka ndalur asnjëherë së testuari, hapësirat e vogla, aty ku ka gjetur mbështetjen nga demokratët. Prej 1 viti, ish-kreu i PD-së, i cili në mënyrë deklarative dha dorëheqjen, ka bërë takime në heshtje. Gjithashtu i shoqëruar nga deputetë të PD-së. Le të themi kafe të mbyllura, në ambiente private ku mos të shihej nga të tjerët.

Publikisht, mediatikisht është munduar që të mos jetë aktiv. Vetëm një ditë më parë u takua me disa të rinj që sinjalizoi që dëshiron të kthehet për të marrë drejtimin e PD-së. Pasditen e sotme, edhe pse vetë zoti Basha nuk ishte, janë takuar krerët e degëve të cilët si mbështetësit më të mëdhenj të Bashës. Ai nuk ka qenë i pranishëm, por kanë qenë vetë krerët e degëve dhe në rrjetet sociale kanë shpërndarë një foto ku theksojnë se Partia Demokratike duhet të ringrihet. Prej një kohe shumë të gjatë nuk kanë hedhur postime në rrjetet sociale, por edhe nga burimet që unë kam kanë diskutuar për rikthimin e Bashës, por gjithashtu për sjelljen që ai pati ditën e djeshme. U duk si një politikan rishtaz në politikë. I thoshte të rinjve mos u besoni politikanëve, mos i lejoni të riciklohet. Në fakt ka qenë një prej njerëzve që ka mbajtur më shumë poste politike, ekzekutive qoftë në parti, por edhe në qeveri,” u shpreh gazetarja.

Basha edhe pse gazetarëve u tha që nuk donte që takimi i djeshëm të bëhej mediatik, nga ana tjetër, njerëzit e tij kanë njoftuar se ai po rikthehej në një takim me të rinjtë.    

“Zoti Basha dje u kujdes të na shpjegonte tek e tek gjithë gazetarëve se ky takim nuk donte të bëhej mediatik, ishte takim mes të rinjve. ‘Tek e tek të gjithë bashkë”, ku le të themi vulosi rikthimin e tij me gafat ose batutat që nuk i mungojnë asnjëherë. Nga personat që ka influencë, nëpërmjet gazetarëve dhe njerëzve të tij kishte ardhur njoftimi se zoti Basha po rikthehej në takim me të rinjtë, dhe jo me të rinjtë të cilët vijnë nga universitetet e ndryshme, maturantë, por me të rinj që sipas tij i përkasin Forumit Rinor të Partisë Demokratike”, u shpreh gazetarja.

Sipas gazetares, Basha ka një axhendë, por që nuk është bërë publike. Ai do të vijojë të ketë takime me grupimet e vogla të PD-së që vijojnë ta mbështesin, me qytetarë dhe me struktura të PD-së, të cilat në fund të fundit janë ato që vendosin për të zgjedhur kreun e saj./tvklan.al